• петок, 22 ноември 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 21 nëntor/ 2024

Shkup - Qeveria është përfshirë në zgjidhjen e problemit me mungesën e naftës për autobusët e NQP-së Shkup. Në seancën e sotme të jashtëzakonshme është marrë vendim, me të cilin do të mundësohet që Qytetit të Shkupit t'i huazohet një pjesë e rezervave të naftës të shtetit. "Qeveria në seancë të jatëzakonshme debatoi për mungesën e energjensave për funksionimin e transportit publik në territorin e Qytetit të Shkupit, me ç'rast u konstatua gjendja e keqe dhe mungesa e derivateve për nevojat e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik dhe me këtë rast Qeveria është përfshirë në zgjidhjen e këtij problemi. Është marrë vendim, me të cilin konfirmohet ekzistimi i gjendjes së krizës në furnizimin me energji ngrohëse në rajonin e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë ngrohëse, mundësisë për shfyrtëzimin e derivateve alternative dhe gjendjes në tregun e energjisë ngrohëse", deklaroi pas seancës së jashtëzakonshme, zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi.

Shkup - Qyteti i Shkupit sonte ka mirëpritur vendimin e Qeverisë që siç theksojnë, "më në fund dëshmoi se është gjithmonë më mirë të bëhet politikë e arsyeshme, e jo me inate dhe se nëse interesi publik është në vendin e parë, “mund të veprohet në mënyrë konstruktive dhe në interes të qytetarëve”. "Kujtojmë se Qeveria ka ende borxh prej 500 milionë denarë ndaj NQP Shkup për standardin e studentëve dhe transportin falas të studentëve gjë që do të stabilizojë gjendjen në tërësi në kompani", theksohet në kumtesë. Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së ftohet që "të ndjekë shembullin pozitiv të Qeverisë për interesat e qytetarëve si prioritet, të marrë vendimet në Këshillin e Qytetit të Shkupit si të domosdoshme për përmirësimin e kushteve në transportin publik".

Shkup - Deri në Vitin e Ri do të miratohet Ligji i ri për lojërat e fatit, i cili do të jetë shumë radikal, i rreptë dhe do të korrigjojë gabimet tuaja, theksoi sot nga foltorja e Kuvendit, zëvendës kryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili është përgjigjur pyetjes së parashtruar nga deputetja, Rina Ajdari nga BDI-ja dhe e cila theksoi se nuk ka asgjë nga mbyllja e kazinove, që e ka paralajmëruar kjo qeveri. Mexhiti në përgjigjen e tij ka theksuar se edhe zogjtë e dinë se kush ka bërë kazino në çdo lagje apo mëhallë.

Shkup – Gjithnjë derisa unë e udhëheq Qeverinë do të udhëhiqem nga interesat e atdheut tim Maqedonisë dhe interesat kombëtare maqedonase dhe do ta mbështes çdonjërin që është në atë drejtim dhe në atë vijë, theksoi kryeministri Hristian Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga deputeti Rexhep Ismail, lidhur me mbështetjen e kryeministrit, Radmilla Shekerinska të zgjidhet zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s. Ndoshta sipas jush, iu përgjigj kryeministri deputetit Ismail, më mirë do të ishte të ishte zgjedhur ndonjë tjetër nga katër kandidatët, por për mua kjo nuk është më mirë. 

Shkup - Në seancën e sotme në Kuvend, kushtuar pyetjeve të deputetëve është evituar konfrontim fizik midis deputetëve nga E Majta dhe VMRO-DPMNE-së. Incidenti filloi pasi deputeti Rexhep Ismail nga E Majta parashtroi pyetje deri te kryeministri Hristijan Mickoski, ndonëse ajo më herët nuk ishte bërë e ditur me shkrim, ashtu siç e kërkon Rregullorja. Në këtë proceduralisht ka reaguar koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski i cili ka akuzuar se po luhet me rregullat. Pasi për reagim procedural është paraqitur Borislav Kërmov nga E Majta dhe u drejtuar drejt foltores ka ardhur deri te një debat midis liderit të së Majtës, Dimitar Apasiev dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Shkup - Paga neto në shtator është rritur për 9.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kumtoi sot Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS). Sipas të dhënave statistikore, në shtator paga mesatare neto e paguar për punonjës arrin në 41.585 denarë. Rritja vjen kryesisht si pasojë e rritjes së pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorin e shërbimeve administrative dhe ndihmëse, ku ka një rritje prej 12.6 për qind, në industrinë përpunuese si dhe në sektorin e artit, argëtimit dhe rekreacionit.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, nesër për vizitë pune do të qëndrojë në Republikën e Finlandës. Në kuadër të vizitës, ministri Murtezani do të zhvillojë takime me ministrin e Çështjeve Evropiane të Finlandës, Joakim Strand dhe ministren e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen. Në takime, siç kumtoi Ministria, do të diskutohen tema në kontekst të dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut, mbështetja finlandeze për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, avancimi i marrëdhënieve bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Finlandës, proceset reformuese në Maqedoninë së Veriut, si dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm, veçanërisht përmes Tuining instrumentit. 

Shkup – Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, në prag të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, sot ka pritur nxënës dhe mësimdhënës nga shkolla fillore komunale “Kongresi i Manastirit” nga Shkupi.  Në takim nxënësit e njoftuan presidenten Siljanovska Davkova me interesat e tyre, ambiciet dhe afinitetet personale në zhvillimin vijues arsimor, ndërsa patën edhe mundësi që pak pas kësaj të informohen për punën, si dhe për sfidat që dalin nga funksioni presidencial. “Presidentja Siljanovska Davkova theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve dhe arsimit dhe edukimit cilësor, i cili do të nxjerrë të rinj shumë të kualifikuar, ambiciozë dhe të lumtur, të cilët janë e ardhmja e çdo vendi. Në këtë drejtim, presidentja u tha nxënësve që të besojnë në vetvete, të jenë të sinqertë dhe vetëmohues, t'i qasen me përkushtim realizimit të dëshirave dhe ëndrrave të tyre”, njoftuan nga Kabineti i Siljanovska Davkovës.

Shkup – Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska si të paqartë e vlerëson arsyetimin e Byrosë së Furnizimeve Publike për furnizimin e pezulluar për karburant eurodizel për autobusët e NQP “Shkupi” dhe thotë se nuk mund të flitet për ofertë më të mirë ose më të keqe për furnizim të karburanteve, në situatë kur çmimi është rregulluar nga ana e Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE).  “Ajo që është dhënë si shpjegim publikisht, gjegjësisht si arsye për (vetë anulimin e blerjes) për ne është e paqartë sepse nuk mund të keni ofertë më të mirë apo më të keqe për blerjen e karburantit ku çmimi është i rregulluar nga Komisioni Rregullator i Republikës së Maqedonisë. Është çmim i njëjtë për të gjithë, nuk mund të jetë më i lartë apo më i ulët, nuk mund të ofrohet për atë çmim sepse çmimi tashmë është përcaktuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë”, tha kryetarja e Shkupit në intervistë për televizionin Telma.

Shkup - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën donatore qeveritare "Romët dhe miqtë", kushtuar projekteve për përmirësimin e integrimit të romëve në shoqëri, me theks në strehim, kulturë dhe arsim. "Është një nder i veçantë për mua që sot të marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, qëllimi i të cilit është të mbështesë përfshirjen më të madhe të romëve në shoqërinë tonë. Si shoqëri demokratike multietnike, Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar për promovimin e përfshirjes dhe barazisë, me theks në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët tanë", theksoi ministri Mucunski në fjalimin e tij, kumtuan sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski nga foltorja e Kuvendit tha se është i madh numri i aplikantëve me prejardhje turke, të cilëve nuk u është përgjigjur nga viti 2022 deri tani për marrjen e shtetësisë në bazë të prejardhjes pas ndryshimeve të Ligjit për shtetësi, të miratuar në vitin 2021.

Shkup - Ministri për integrimin e romëve, Shaban Saliu në një konferencë për media në Qeveri, informoi sot se në konferencën e donatorëve në prani të më shumë se 30 ambasadave do t'i prezantojë katër projektet për përmirësimin e jetës së komunitetit rom që janë pjesë e strategjisë së përfshirjes së romëve 2022-2030. Si një nga projektet e rëndësishëm për komunitetin rom, Saliu ka theksuar projektin për ndërtimin e banesave në 15 komuna në mbarë vendin të cilat do të dedikohen për romët që nuk kanë banesë të tyre ose jetojnë në shtëpi të improvizuara. "Një nga projektet e rëndësishme është ndërtimi i 1001 banesave në 15 komuna të vendit tonë, për të ndihmuar ata qytetarë që nuk kanë shtëpi apo ata qytetarë që jetojnë në shtëpi të improvizuara, në gjendje të rëndë ekonomike materiale", tha Saliu.

Beograd– Kryeministri Hristian Mickoski nesër në Beograd do të ketë takime të ndara me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Millosh Vuçeviq.  Mickoski e kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut i cili do të marrë pjesë në panairin e tretë ndërkombëtar të verës, ushqimit, rakisë dhe turizmit “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur”. Sipas informacioneve nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryeministri do të flasë në hapjen e panairit të verës, si dhe në natën maqedonase

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, deklaroi se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut vendosës në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në fjalimin e saj vjetor para Kuvendit në Kosovë, Osmani porositi se çdo përpjekje për të minuar të drejtat e shqipëtarëve në Maqedoninë e Veriut do të përballet me kundërshtim të vendosur nga shqiptarët në Ballkanin Perëndimor. Presidentja e Kosovës porositi se do të ndërmarrë gjithçka, që të mos bëhet asnjë hap prapa në lidhje me të drejtat e shqiptarëve të fituara me Marrëveshjen e Ohrit. Presidentja e Kosovës theksoi se nevojitet koordinim i vazhdueshëm midis Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, por mbi të gjitha për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Tiranë – Në Tiranë sot u mbajt marsh protestues dy orësh për vrasjen e 14-vjeçarit, e cila e goditi të gjithë shoqërinë shqiptare.  Nxënës, prindër dhe qytetarë të tjerë mbanin pankarta, ku në njërin shkruhej “institucionet e papërgjegjshme vrasin”. Në përfundim të marshit protestues, në muret e Ministrisë së Arsimit u lanë gjurmët e duarve me ngjyrë të kuqe që simbolizon gjakun. “Mesazhi kryesor i prindërve dhe pjesëmarrësve në protestë ishte dorëheqja e ministres së Arsimit, Ogerta Manastriliu të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për ngjarjen e rëndë dhe situatën e arsimit. Prindërit i kanë lënë një afat deri në fundjavë ministres për të dhënë dorëheqjen në të kundërt javën e ardhshme kanë paralajmëruar tjetër protestë”, njoftoi A2 CCN. 

Gjenevë - Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom Gebrejesus është pranuar në spitalin e Rio de Zhaneiros, njoftuan sot agjencitë botërore duke cituar gazetën lokale "Globo". Ai është shtruar në spital me "simptoma të infeksionit të veshit dhe presionit të lartë të gjakut", pasi të hënën në margjinat e takimit të G20-ës u bë e ditur se nuk ndjehet mirë.

Moskë - Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, derisa ka mbajtur brifing, të emetuar në platformën "JuTjub", ka marrë instruksione që të mos e komentojë sulmin eventual me raketë balistike interkontinentale ndaj Dnjeprit në Ukrainë. Armata ukrainase kumtoi se Rusia ka gjuajtur raketë balistike interkontinentale ndaj Dnjeprit. Derisa Zaharova ka folur, i ra zilja e celularit dhe një bashkëbisedues anonim i tha: "Lidhur me sulmin me raketa balistike ndaj fabrikës 'Juzhmash', për çka Perëndimi filloi të flasë, mos komentoni asgjë".

Londër - Në tre vitet e fundit për 65 për qind janë rritur zonat në botë që janë të prekura nga konfliktet, kumtoi organizata që analizon rreziqet "Verisk Mejplkrodt" (Verisk Maplecroft). Konfliktet e brendshme apo konfliktet midis vendeve shtrihen në 6.15 milionë kilometra katrorë, që është 4.6 për qind e tokës, ndërsa në vitin 2021 përqindja ishte 2.8 për qind. Në të njëjtën periudhë për 29 për qind është rritur numri i viktimave. Përplasjet dhe trazirat që nga viti 2021 janë përhapur dhe intensifikuar në Ukrainë, Mjanmar, në Lindjen e Mesme dhe në "korridorin e konfliktit" në rajonin e Sahelit të Afrikës. Një rritje e konsiderueshme e rrezikut nga viti 2021 është vërejtur në një total prej 27 vendesh, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë, Indinë, Indonezinë dhe Tajlandën.

Uashington - Administrata e presidentit amerikan në largim, Xho Bajden e informoi Kongresin se planifikon ta shlyejë borxhin e Ukrainës me vlerë 4,65 miliardë dollarë, njoftoi Blumberg. "Me shlyerjen e borxhit i ndihmohet Ukrainës që të fitojë në luftën kundër Rusisë, që është në interes kombëtar të SHBA-së dhe partnerëve të tyre nga BE-ja, G7 plus dhe NATO", thuhet në letrën e Departamentit të Shtetit, të dërguar deri te Kongresi më 18 nëntor. "Shlyerja e një pjese të borxhit të Ukrainës ka hasur në kritika nga republikanët. Senatori Rend Poll nga Kentaki paralajmëroi se do të kërkojë të votohet në Senat me qëllim që të pengohet borxhi ukrainas "të bëhet përgjegjësi e popullit amerikan". Por, deri në janar, Senati është nën kontroll të demokratëve dhe me siguri nuk do të përkrahet iniciativa e senatorit Poll.

Tel Aviv - Arrijnë reagimet  e para për urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për arrestimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netajahu, ish ministrit të Mbrojtjes, Joav Galant dhe komandantit të Hamasit, Ibrahim al-Masri i cili konsiderohet si i vdekur. Urdhërarrestet u lëshuan për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë që atëherë. Liderët izraelitë në krye me Netanjahun, dënuan kërkesën për urdhërarrest të lëshuar nga prokurori kryesor i GJNP-së, Karim Kan si antisemite dhe të turpshme.

Остани поврзан