• сабота, 12 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

MIA Flesh

MIA Flesh

12:00/ 3 prill/ 2025

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Bullgari, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e shefave të shteteve dhe qeverive në "Akaba Proces Ballkan III" në Sofje.  Siç njoftoi Kabineti i Siljanovska - Davkovës, vizita realizohet me ftesë të presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev dhe mbretit të Jordanisë, Abdullahu i Dytë. "Presidentja e Maqedonisë së Veriut do të mbajë fjalim në seancën e parë të mbledhjes e titulluar 'Identifikimi dhe kuptimi i kërcënimeve'. Gjatë vizitës, janë paraparë edhe takime dypalëshe të presidentës Siljanovska-Davkova me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev dhe me mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullahu i Dytë", thuhet në njoftim.

Shkup– Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë dhe pjesë e Koalicionit VLEN mbrëmë në një deklaratë për mediat e mohoi se do ta lëshojë koalicionin qeveritar.  “Jo, tani për tani jo. Grupet e punës mes deputetëve ende po zhvillojnë bisedime, kështu që shpresojmë se do të gjejmë gjuhë të përbashkët. Nëse jo, atëherë do të shohim si më tutje”, tha mbrëmë Taravari në një deklaratë për mediat. Grupi parlamentar i VLEN punon në mënyrën për bashkëpunim eventual për zgjedhjet lokale. Nga aty thonë se kishin takim në të cilin biseduan për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, se korniza po harmonizohet dhe se për një kohë të shkurt do të kenë version i cili do të jetë i njohur për liderët e koalicionit. 

Shkup - Ish ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski pjesërisht është falur me vendim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova, të shpallur më 2 prill në Gazetën zyrtare. Me këtë, Popovski, pjesërisht lirohet nga vuajtja e mëtejshme të pjesës së mbetur nga dënimi i përbashkët me burg për rastet "300" dhe "Tank", të hapura nga ish Prokuroria speciale publike. Për rastin për furnizimin e 300 automjeteve për nevojat e MPB-së, Popovski, në maj të vitit 2018 u dënua në shkallë të parë me nëntë vite burg, por Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të njëjtë e hoqi aktvendimin e shkallës së parë dhe rastin e ktheu në gjykim të sërishëm. Në tetor të vitit 2019, Popovski sërish u dënua me nëntë vite burg, që Gjykata e Apelit e zvogëloi në pesë vite.

Shkup - Lidhja e Shoqatave me persona me diabet në Maqedoninë e Veriut (LSHPDMV), apelon deri tek Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, që të fillojë me dërgimin e plotë të insulinës dhe terapisë antidiabetike në barnatoret e insulinës, në përputhje me nevojavt dhe numrin e pacientëve ekzistues. "Apelojmë deri tek barnatoret e insulinës që të mos ofrojnë terapi zëvendësuese, e cila duhet të përshkruhet vetëm nga ana e mjekut endokrinolog; Apelojmë deri tek anëtarët tanë të ndihmojnë njëri-tjetrin me huazim të kësaj terapie që na mungon, pa pranuar ndryshimin administrativ të saj në barnatore; Apelojmë deri tek të gjitha palët e interesuara që të gjejnë një mënyrë për të ofruar terapinë e nevojshme pa kurrfarë zgjidhje administrative ose më saktë jozgjidhje, të cilat do të prishin kontrollin tonë të sheqerit, e me këtë do të rrezikohet shëndeti jonë; Apelojmë deri tek të gjithë që të mos e harxhojnë durimin dhe mirëkuptimin tonë për këtë situatë për të cilën jemi të vetëdijshëm se mund të shmanget nëse të gjitha proceset me tenderin fillojnë në kohë, pa vonesa apo justifikime", theksohet në apelin e Lidhjes së shoqatës së personave me diabet.

Shkup - Është realizuar premtimi për rritjen e pensioneve prej 5.000 denarë për mbi 330.000 pensionistë. Me pagesën e pensionit të marsit prej 2.500 denarë, u përmbyll cikli i rritjes lineare të pensioneve me 5.000 denarë, thonë nga Qeveria. Me këtë rritje, pensioni më i ulët në mars arrin në 18.192 denarë, ndërsa pensioni mesatar është rreth 26.258 denarë.

Shkup - Ministria e arsimit dhe shkencës publikoi thirrje për dhënien e provimit pranues të nxënësve të interesuar për regjistrim në Gjimnazin matematiko-informatik në vitin shkollor 2025/2026. Provimi pranues përmban dhënien e testeve në përputhje me programet mësimore në matematikë nga klasa e VI deri në IX dhe programet mësimore në fizikë për klasën e VIII dhe IX. Provimi i Matematikës do të mbahet më 4 qershor, kurse ai i Fizikës më 9 qershor. Provimet do të mbahen nga ora 10:00 në ambientet e SHMGJNQSH „Zdravko Cvetkovski” Shkup, Blv. „Partizanski Odredi“ nr. 91 Shkup, në kohëzgjatje prej 120 minutash.

Athinë - Trupat e pajetë edhe të tre personave u nxorën nga deti në veri të ishullit grek Lesbos, ku numri i viktimave pasi një varkë me refugjatë dhe emigrantë u përmbys u rrit në shtatë, ndërsa janë shpëtuar 23 persona, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Nga Shërbimi bregdetar informuan se që në orët e para të mëngjesit të sotëm në operacionin e shpëtimit në ujë, në tokë dhe nga ajri, janë të përfshira tre anije patrullimi, një anije që lundron aty pranë, katër automjete dhe një helikopter i forcave ajrore ushtarake. Janë shpëtuar 23 refugjatë dhe emigrantë, ndërsa janë nxjerrë katër trupa të pajetë, ndërsa më vonë edhe tre, ndërsa aksioni për gjetjen e personave të zhdukur vazhdon.

Bruksel - Tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta inkurajojnë Evropën që urgjentisht të arrijë marrëveshje tregtare me partnerët e tjerë nëpër botë, deklaroi sot kryetari Këshillit Evropian, Antonio Koshta. "Ne do të punojmë me të gjithë partnerët tanë dhe do të vazhdojmë të forcojmë dhe zgjerojmë rrjetin tonë tregtar. Tani është koha për të ratifikuar marrëveshjet me Merkosur, Meksikë dhe për të bërë përparim të rëndësishëm në negociatat me Indinë dhe partnerët e tjerë kyç," shkroi Kosta në platformën Iks.

Bruksel - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, tha se vendet evropiane tashmë kanë siguruar më shumë se gjysmën e nevojave të Ukrainës për municion, që presidenti Vollodimir Zelenski paradokohe e vlerësoi atë në dy milionë copë municion. "Këto punë shkojnë shumë mirë. Duhet të vendosim ndihmë për Ukrainën sa më shpejtë të jetë e mundur. Më vjen mirë që shoh se tashmë kemi propozime të ndryshme ose se vende të ndryshme kontribuojnë për këtë, kështu që tashmë kemi mbi 50 për qind nga ajo që është e nevojshme", tha Kallas para Samitit të ministrave të Mbrojtjes së BE-së në Varshavë.

Uashington - Senati amerikan ka votuar ligjin, me të cilën shfuqizon tarifat e reja të vendosura ndaj Kanadasë nga ana e presidentit Donald Tramp. Votimi u zhvillua vetëm disa orë pasi Trampi vendosi tarifa gjithëpërfshirëse për importet nga shumica e vendeve të botës. Akti ligjor u miratua me 51 vota "për" dhe 48 "kundër" pas çka u dërgua për shqyrtim në Dhomën përfaqësuese, ku sipas të gjitha gjasave do të mbetet i bllokuar.

Damask– Ushtria izraelite mbrëmë filloi sulme ajrore ndaj qyteteve siriane Damask, Homs dhe Hama, ndërsa cak ishin qendra hulumtuese dhe lokacione ushtarake.  Sulmi izraelit goditi Qendrën e Kërkimeve Shkencore në zonën e banimit Barzeh të kryeqytetit sirian Damask, duke plagosur disa persona. Ushtria izraelite sulmoi gjithashtu bazën ajrore Hama në Sirinë qendrore, duke synuar infrastrukturën e saj, ndërsa dronët vazhduan të fluturonin mbi qytet. Pas sulmeve ajrore izraelite, shërbimet e urgjencës shkuan menjëherë në aeroport, me raporte për viktima, përfshirë të vdekur dhe të plagosur.

Tel Aviv - Një funksionar i lartë palestinez, i cili mbeti anonim nga Tajms of Izrael, deklaroi se Hamasi është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet në këmbim për një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës. Hamasi thuhet se është i gatshëm të lirojë një numër të madh pengjesh, si pjesë nga armëpushimi i përkohshëm, por kërkon garanci nga ndërmjetësuesit se Izraeli do të pranojë të fillojë me negociata për t'i dhënë fund luftës, deklaroi përfaqësuesi palestinez, diçka që kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deri tani ka refuzuar ta bëjë.

Nepxhidou - Më shumë se 3.000 persona e kanë humbur jetën në Mianmar pas tërmetit shkatërrues me intensitet prej 7,7 ballë që e goditi vendin para gjashtë ditësh. Zëdhënësi i juntës ushtarake që qeverisë me vendin deklaroi se deri tani janë konfirmuar të paktën 3,085 viktima. Mbi 340 persona ende konsiderohen si të zhdukur, ndërsa 4,715 janë të lënduar. Në Mianmar kanë mbërritur punonjës humanitar nga 17 vende. Janë dërguar pothuajse 1,000 ton ndihma humanitare dhe pajisje, njoftuan autoritetet. 

Остани поврзан