15:00 / 25 shkurt / 2026
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot mori pjesë në shfaqjen interaktive të kukullave që u mbajt në Qendrën Kulturore "Biljana Beliçanec" në komunën e Kisella Vodës, të organizuar nga Këshilli Republikan për sigurinë në komunikacionin rrugor dhe teatri "Provokacija", si pjesë e fushatës "Të mbrojmë fëmijët në trafik". Shfaqja, siç kumtoi MPB-ja, e dedikuar për nxënësit e shkollave fillore të komunës, u mundësoi fëmijëve të mësojnë rreth rregullave themelore për sjellje të sigurt në trafik, rrugës së sigurt për në shkollë dhe nga shkolla, si dhe rëndësisë së kujdesit dhe përgjegjësisë në rolin e këmbësorëve dhe çiklistëve përmes një qasje interaktive dhe edukative. Ministri Toshkovski theksoi se edukimi i më të rinjve është një nga segmentet më të rëndësishme në ndërtimin e një kulture trafiku dhe në mbrojtjen e jetëve njerëzore.
Shkup - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike, në sallën e gjyqit të burgut të Idrizovës, vazhdoi sot gjykimi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën mbi 200. Në cilësinë e dëshmitarit dha dëshminë Ana Kostadinovska, vokaliste mbështetëse e grupit DNK dhe profesoreshë me kohë të plotë në SHM "Ilija Nikollovski-Luj" në Shkup. Ajo theksoi se ka punuar si vokaliste mbështetëse me disa interpretues maqedonas me vite dhe se nuk ishte anëtare e përhershme e DNK, ashtu si kolegia dhe shoqja e saj Sara Projkovski. Lidhur me ekipin teknik, Kostadinovska deklaroi se roli i Martin Atanasovskit ishte të kujdesej për pajisjet teknike. Kur u pyet se kush i instaloi spërkatësit, ajo tha se nuk kishte parë kurrë se kush i instalon ato në asnjë klub, por bazuar në punën që bëri Atanasovski, "mund të ketë qenë ai". Kur u pyet vazhdimisht nga Prokuroria dhe Mbrojtja se kush i vendosi dhe i aktivizoi spërkatësit, dëshmitarja pohoi se nuk e dinte dhe nuk e pa se kush i ndezi ato, duke treguar se ishte e mundur që një teknik nga klubi ta kishte bërë këtë.
Shkup - Ministria e Financave me përkrahjen e Bankës Botërore vazhdon ta përmirësojë efikasitetin energjetik nëpër komunat e vendit duke realizuar investime të rëndësishme në sisteme moderne dhe kursyese të energjisë në ndriçimin publik. Ministria e Financave po përkrah me sukses realizimin e Projektit të efikasitetit energjetik në sektorin publik, i cili po zbatohet me përkrahjen financiare nga Banka Ndërkombëtare për Ndërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore. Projekti i efikasitetit energjetik, i cili po implementohet përmes Njësisë Projektuese të Ministrisë së Financave paraqet hap të rëndësishëm në drejtim të modernizimit të infrastrukturës publike dhe avancimit të menaxhimit të qëndrueshëm të energjisë në vend.
Shkup – Në sistemin gjyqësor ekziston hierarki dhe për këtë rast ka prokuror të lartë publik, i cili i ndjek lëndët konkrete, ndërsa pastaj edhe republikan – deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, sot, në lidhje me thirrjen e djeshme të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, Këshilli i Prokurorëve dhe Këshilli Gjyqësor të konfirmojnë se ka bazë për përgjegjësi te gjykatësi dhe te prokurori publik për arrestin shtëpiak të ish zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi. Besimi para fillimit të mbledhjes së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë në pyetjen nëse do të debatojnë për arrestin shtëpiak të Grubit, tha se ata mund të debatojnë, por megjithatë ka prokuror të lartë publik, i cili punon në lëndë konkrete dhe shtoi se ata punojnë sipas ankesave. “Dëgjova nga mediat për thirrjet, por kompetencat e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë janë të ndryshme, kështu që mund të debatojmë, por prokurorët republikanë dhe të lartë vendosin për këtë, kështu që atje ka një hierarki”, tha ai.
Shkup - Gjithsej 34 raste të dhunës nga bashkëmoshatarët janë raportuar në Ministrinë e Arsimit, por nuk është raportuar asnjë rast i dhunës përmes internetit, tha sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, para nxënësve aktivistë, të cilët prezantuan iniciativat e tyre për një mjedis dixhital më të sigurt dhe raportimin e bullizmit kibernetik. Sipas nxënësve, dhuna onlajn ekziston, por, siç thonë nga zyra e UNICEF-it në Shkup, deri më tani nuk është raportuar zyrtarisht asnjë rast i tillë. "Gjithsej 34 raste të dhunës nga bashkëmoshatarët janë raportuar në Ministrinë e Arsimit, por nuk është raportuar asnjë rast i dhunës onlajn, ndërsa ju thoni se ka. Do t'ju inkurajoja, nëse mendoni se mund t'ju ndihmojmë, ndërsa ne mundemi, kur të hasni një dhunë të tillë, ta raportoni atë sepse ne kemi shërbime profesionale që do të punojnë me shërbimet shkollore dhe mësimdhënësit, ndërsa nëse është e nevojshme me autorin, si dhe me viktimën, nëse na kontaktojnë. Jini urë lidhëse midis internetit dhe shërbimeve profesionale. Inkurajoni bashkëmoshatarët tuaj sepse e kuptoj që ju e kuptoni njëri-tjetrin më shumë, që të rinjtë kanë nevojë për të rinj, por mos i përjashtoni të rriturit. Ndonjëherë edhe ato mund të jenë të dobishme", potencoi ministrja Janevska.
Shkup – Komisioni kuvendor për mbikëqyrje mbi zbatimin e masave për ndjekjen e komunikimeve në vitin 2025 nuk ka zbatuar mbikëqyrje mbi organet e autorizuara, as mbi operatorët dhe Agjencinë Teknike – Operative (ATO), tregon raporti vjetor për vitin 2025, të cilin e miratuan sot anëtarët e Komisionit dhe e dërguan në Kuvend. Komisioni, gjatë vitit të kaluar ka mbajtur katër mbledhje, por, sipas raportit, për shkak të përbërjes së pakompletuar dhe mungesës së ekspertëve teknikë të angazhuar, nuk ka pasur në dispozicion mundësi teknike të kryejë mbikëqyrje mbi zbatimin e masave për ndjekjen e komunikimeve.
Shkup - Shoqata e Prokurorëve Publikë (SHPP) u bën thirrje të gjitha partive politike dhe funksionarëve që të respektojnë dhe të mos e rrezikojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe të përmbahen nga retorika publike që shkel pavarësinë e prokurorëve publikë në vendimmarrje. Prokurorët publikë në reagimin e tyre theksojnë se komente të tilla politike kulmuan "në lidhje me një masë të caktuar arresti shtëpiak për një nga të dyshuarit në rastin "Lotaria Shtetërore". "Në ditët e fundit, kemi qenë dëshmitarë të deklaratave të papërgjegjshme nga politikanë të caktuar që selektojnë dhe kritikojnë prokurorë publikë individualë, duke komentuar vendimet e prokurorëve publikë pa qenë të njohur me rastin konkret dhe provat. Kjo kulmoi me komente politike në lidhje me masën e arrestit shtëpiak për një nga të dyshuarit në rastin "Lotaria Shtetërore". Kjo lloj retorike publike duhet të ndalet, ndërsa në institucionet e tjera duhet t'u lejojnë prokurorëve të veprojnë dhe të vendosin pa pengesa - thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve Publikë.
Shkup - "Avancimi i të drejtës për shëndet të personave me aftësi të kufizuara" ishte titulli i ngjarjes që sot u mbajt në Kuvend. Ngjarja ishte në organizimin e Grupi Parlamentar Ndërpartiak (GPN) për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në bashkëpunim me "Zeta" - organizatën e aftësisë së kufizuar dhe drejtësisë, Shoqatën e Personave me Paralizë Cerebrale dhe Aftësi të Tjera të Kufizuara - Veles, "Poraka" - Negotinë dhe "Eko - Jetë" - Kavadar. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se qeveria ekzekutive dhe ligjvënëse duhet të vazhdojnë të punojnë për të përmirësuar situatën në vend. "Këta prindër këtu duan që fëmijët e tyre të jenë të pavarur dhe të vetëmjaftueshëm", potencoi ministri.
Shkup - Nëse procesi bazohet në sistemin meritor, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit meritojnë të bëhen anëtare të plota të Bashkimit Evropian, beson Zholt Bunfort, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Ai thekson se vendi padrejtësisht tashmë 20 vjet "qëndron në rrethojë" dhe se është e nevojshme që procesi i anëtarësimit në BE të përshpejtohet. Bunfort, i cili sot pati një takim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me nënkryetarin e parlamentit, Antonio Milloshoski, tha se në takimi u diskutuan disa çështje lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shkup - EVN Maqedoni, në një event të organizuar nga Oda Ekonomike "Revolucioni në arsim - Fuqia e arsimit dual në Maqedoni", u njoh si kompania e parë e përfshirë në arsimin dual në vend. Mirënjohja iu dorëzua Udhëheqësit të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Organizimit, z. Fisnik Oseku, nga ana e Presidentit të Odës, z. Branko Azeski. Në aktivitet mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila theksoi rëndësinë e promovimit të mëtejshëm të arsimit dual dhe përshtatjes së tij me nevojat e tregut të punës, me qëllim krijimin e një fuqie punëtore profesionale dhe konkurruese.
Shkup - Deri në fund të kësaj jave dhe në fillim të javës së ardhshme, zona jonë do të jetë në një fushë me presion të lartë ajror. Moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare, përveç të shtunës kur do të ketë rritje të vranësirave. Siç informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, nga e premtja në lugina të caktuara në mëngjes do të ketë kushte për mjegull.
Dibër - Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave të Shqipërisë, Besmir Beja, informoi se derisa të përmirësohet gjendja e rrugës në pikën kufitare Qafë Thanë – Elbasan, në aksin Librazhd – Prenjas, është vendosur të përdoren pika kufitare alternative. "Mallrat që hyjnë në Shqipëri nga territori i Maqedonisë së Veriut ose nga vendet e tjera përmes këtij vendkalimi do të përpunohen në filialin doganor të vendkalimiit kufitar Blato pranë Dibrës. Janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur nevojat logjistike dhe për të rritur personelin doganor, me qëllim përballimin e rrjedhës së shtuar dhe për përfundimin sa më të shpejtë të procedurave doganore", tha Beja. Ai theksoi se, pas kontakteve me autoritetet kompetente të Maqedonisë, kanë gjetur mirëkuptim të plotë për zgjidhjen e situatës.
Berovë - Komuna e Berovës në periudhën e fundit ka treguar nivel të lartë të aktivitetit në të gjitha segmentet me fokus të veçantë në zgjidhjen e sfidave të infrastrukturës, theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski. Sipas tij, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive punën e komunave përmes një dialogu të hapur me kryetarët e komunave, këshillat komunale dhe administratën, me qëllim që së bashku të gjejnë zgjidhje për problemet kyçe lokale. "Do të përdorim burimet e reja financiare dhe do të vazhdojmë të diskutojmë krizat dhe sfidat me të cilat përballen komunat, me qëllim që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme. Programet për zhvillim të balancuar rajonal dhe cikli i ri i investimeve janë në dispozicion, përmes të cilave janë siguruar rreth 220 milionë euro në një vit e gjysmë të ardhshëm, për të cilat komunat mund të aplikojnë lirisht", theksoi Perinski.
Strumicë - Ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në profilin e tij në Fejsbuk ka bërë të ditur se ka ngritur padi për shpifje dhe cenim të nderit dhe reputacionit kundër deputetit nga VMRO-DPMNE, Brane Petrushevski dhe dr. Zhan Mitrevit. "Janë ngritur paditë kundër Brane Petrushevskit dhe Zhan Mitrevit për shpifje dhe cenim të nderit dhe reputacionit. Nuk ka asnjë dilemë se gënjeshtrat e të dyve do të vërtetohen. Kompensimi nga paditë e marra do të shkojë për fëmijët pa prindër dhe personat me nevoja të veçanta", shkroi Zaevi në postim. Në fotot e padive që ka publikuar Zaevi, nga të dy kërkon dëmshpërblim prej 500.000 denarë.
Strugë – Gjykata e Strugës i shtyu dy seancat e caktuara për sot kundër ish kryetarit të Strugës, Ramiz Merko për vendosjen e jashtëligjshme të pllakës përkujtimore në hyrje të ndërtesës komunale dhe për marrëveshje të lidhur për ndriçimin e një pjese të shtratit të lumit Drini i Zi. Arsye për shtyrjen, sipas gjykatësit Jordan Jovanov, është pengesa e përkohshme për punë për shkak të ndërhyrjeve operative të të akuzuarit. Seancat e fundit për këto lëndë ishin në nëntor, kur ishin shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të Merkos, për çka Gjykata e dënoi në të holla nga 1.000 euro për lëndë, ndërsa ishin shtyrë edhe terminet në dhjetor. Seanca e ardhshme është caktuar në fillim të prillit. Lënda me pllakën është në fazën përfundimtare, përderisa me ndriçimin e shtratit të lumit Drini i Zi duhet të fillojë nga fillimi.
Pekin – Kancelari gjerman Fridrih Merc bëri sot thirrje për vazhdimin e konsultimeve qeveritare me përfaqësuesit kinezë, ndërsa ai po qëndron për vizitë në Kinë për bisedime me presidentin Si Xhinping. “E di që paraardhësit e mi e vizituan rregullisht Kinën”, tha Merci gjatë takimit. Ai theksoi se dëshiron ta vazhdojë këtë traditë, transmeton DPA. “Duhet të vazhdojmë gjithashtu konsultimet qeveritare gjermano-kineze të cilat u ndërprenë për shkak të ndryshimit të qeverisë në Berlin dhe pandemisë”, shtoi Merci. Si tha se Merci po i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën. “Nën udhëheqjen e Mercit, qeveria gjermane po ndjek një politikë të bazuar në fakte ndaj Kinës”, shtoi Si.
Kiev - Negociatori ukrainas, Rustem Umerov do të takohet nesër në Gjenevë me të dërguarit amerikanë Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner, për ta përgatitur terrenin për biseda të reja tripalëshe me Rusinë, të cilat priten të mbahen muajin e ardhshëm, deklaruan autoritetet ukrainase. Presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenki tha se ky takim ka për qëllim ta "përgatit takimin tripalësh me Rusinë", i cili duhet të mbahet në fillim të marsit, që të bëhet tentim për gjetjen e zgjidhjes për luftën mes Ukrainës dhe Rusisë. Në Gjenevë nga mesi i këtij muaji tashmë janë mbajtur biseda mes Kievit dhe Moskës me ndërmjetësim të SHBA-së.
Nju-Jork - Gjatë vitit të kaluar në botë janë vrarë 129 gazetarë dhe punëtorë mediatikë, kumtoi Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve, i cituar nga mediumet franceze. "Armata izraelite në këtë periudhë ka kryer më së shumti vrasje të targetuara të gazetarëve se cilado armatë tjetër deri tani, me ç'rast shumica e të vrarëve janë gazetarë dhe punëtorë mediatikë palestinezë në Gazë", thuhet në kumtesën e organizatës joqeveritare me seli në SHBA. Në vitin 2024 janë vrarë 124 gazetarë, që po ashtu ishte rekord. Komiteti e udhëheq këtë statistikë 30 vite.
Uashington - Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio sot i informon ligjvënësit amerikan për Iranin sepse SHBA sistemon fuqi të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti amerikan Donald Tramp thotë se Iranit asnjëherë nuk do t'i lejohet të zhvillojë armë bërthamore. Rubio mbajti një brifing të rrallë para ligjvënësve amerikan për Iranin vetëm disa orë para se Trampi ta mbajë fjalimin e tij për gjendjen e kombit para Kongresit. Trampi tha se dëshiron ta zgjidh konfliktin me Iranin me mjete diplomatike duke pohuar se Teherani synon të zhvillojë raketa balistike që mund të arrijnë në SHBA, pa dhënë detaje shtesë, publikon "Gardian".
Madrid - Sulmuesi i Realit të Madridit, Kilian Mbape nuk është përfshirë në përbërjen e "mbretërve" për ndeshjen kthyese të plejofit të Ligës së Kampionëve kundër Benfikës. Paraprakisht u publikua se francezi 27-vjeçar ka qenë i detyruar të largohet nga stërvitja e ekipit për shkak të dhimbjeve në gju, të cilin e lëndoi në dhjetor. Mbape ka pasur probleme me gjurin për herë të tretë këtë dimër. Në rastin më të keq, ylli francez mund të mungojë në Kupën e Botës këtë vit. Real Madridi dhe Benfika do të luajnë ndeshjen kthyese të plejofit në Ligën e kampionëve. Ndeshja në stadiumin Santiago Bernabeu në Madrid është planifikuar për sonte, me fillim në orën 21:00.