MIA Flesh
- Shkup - Rrethanat e sotme komplekse të sigurisë kërkojnë vigjilencë, gatishmëri, forcim të aktiviteteve të instrumenteve për paralajmërim të hershëm dhe investime më të forta dhe të qëndrueshme në kapacitetet mbrojtëse. Maqedonia e Veriut është një aleat besnik i NATO-s dhe kontribuon në sigurinë e të gjithë rajonit, theksuan në një konferencë të përbashkët për shtyp presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.
15:00/ 3 mars/ 2026
Shkup - Rrethanat e sotme komplekse të sigurisë kërkojnë vigjilencë, gatishmëri, forcim të aktiviteteve të instrumenteve për paralajmërim të hershëm dhe investime më të forta dhe të qëndrueshme në kapacitetet mbrojtëse. Maqedonia e Veriut është një aleat besnik i NATO-s dhe kontribuon në sigurinë e të gjithë rajonit, theksuan në një konferencë të përbashkët për shtyp presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.
Shkup - Agjencia për Rezerva të Detyrueshme të Naftës (MAKORA) vazhdimisht monitoron dhe mirëmban rezervat shtetërore të naftës dhe derivateve të naftës, duke siguruar sigurinë e furnizimit, stabilitetin e tregut dhe gatishmërinë për reagim në kohë në rast të çdo ndërprerjeje të importit ose furnizimit, informon Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM), duke shtuar se po e monitorojnë situatën aktuale energjetike me vëmendje të veçantë, veçanërisht në kontekstin e tregjeve të naftës dhe rreziqeve të mundshme gjeopolitike.
Shkup - Një kredi e sindikuar, e miratuar nga një grup më i madh bankash, me shumë gjasa do të jetë kredia prej 300 milionë eurosh e shpallur nga Qeveria. Siç tha sot ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, negociatat me bankat tashmë janë duke u zhvilluar dhe po priten ofertat, dhe do të merret ajo që do të përgjigjet më shumë dhe do të jetë më e përshtatshme për Buxhetin. Dimitrieska-Koçoska është e bindur se Buxheti i vitit 2026 parashikoi qartë shumën e huamarrjes së jashtme dhe Ministria e Financave, siç vuri në dukje ajo, ka qenë transparente që nga fillimi.
Shkup - Është shumë herët të parashikohet se sa do të zgjasë situata në Lindjen e Mesme, duhet të presim dhe të shohim. Situata monitorohet çdo ditë dhe nëse përcaktohet se është e nevojshme të merren masa nga perspektiva ekonomike, ato do të jenë në përputhje me ligjin, deklaroi sot ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska. Ajo vuri në dukje se Ministria e Financave nuk propozon situata krize.
Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, sot njoftoi se pas rastit tragjik në të cilin nënа dhe fëmija i saj humbën jetën, po kryhet mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, dhe se pas përfundimit të tij, publiku do të njoftohet për gjetjet dhe masat e mëtejshme. Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër në tetor të vitit të kaluar, ndërsa më 2 shkurt tek ata është pranuar një shkresë nga MPB-ja për sulm fizik të bashkëshortit ndaj bashkëshortes.
Shkup - Rritja e ekonomisë në vitin 2025 është treguesi më i madh se politikat edhe në kushte pasigurie mund të krijohen dhe të arrihen rezultate, deklaroi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke iu referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Shkup - Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, u takua me përfaqësuesin e përhershëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Armen Grigorjan. Sekretarja e përgjithshme, theksojnë nga pres shërbimi kuvendor, e informoi Grigorjanin rreth prioriteteve të Shërbimit Parlamentar që rrjedhin nga Plani Strategjik i Kuvendit, agjenda e reformave, Strategjia për Digjitalizimin e Kuvendit 2026-2028, Plani i Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Grave dhe Burrave 2025-2027. Dimovska e theksoi rolin e dy Njësive të reja për Vlerësimin e Ndikimit të Rregullativës dhe Njësisë për Planifikim Strategjik në përgatitjen në kohë të Planit Strategjik të Kuvendit, si dhe punën dhe arritjet e suksesshme të shërbimit në periudhën e kaluar.
Shkup - Koordinatori i grupit parlamentar të "VLEN-it", Bekim Qoku, sot u takua me ambasadorin e Republikës së Francës, Kristof Le Rigoler, dhe këshilltarin e parë, Filip Marsheto. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, ambasadori Le Rigoler dhe këshilltari Marsheto biseduan me koordinatorin Qoku mbi prioritetet dhe perspektivat e Lëvizjes "VLEN".
Shkup - Para rënies së Ivanës dhe vajzës së saj gjashtëvjeçare Katja nga ballkoni gjatë ditës së djeshme, ka pasur edhe një ngjarje paraprake me bashkëshortin e saj, përkatësisht një grindje mes bashkëshortëve, zbuloi në konferencën e sotme për mediat ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili shprehu ngushëllime dhe, siç tha, "e ndaj dhimbjen dhe revoltën që ndihet në opinionin publik". Kundër bashkëshortit të saj, Stojançe Jovanovski, do të parashtrohet kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar, ndërsa deri më tani ndaj tij janë evidentuar edhe dhjetë kallëzime penale nga fusha e krimit të dhunshëm, delikteve pasurore dhe tregtisë së paligjshme me drogë.
Shkup - Tre pjestarë të policisë të akuzuar nga Koçani sot para Gjykatës deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzën që lidhet me veprimet gjatë kontrolleve në diskotekën "Puls" në Koçan, ku më 16 mars të vitit të kaluar nga zjarri humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Me leximin e aktakuzës në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, sot ka filluar procesi gjyqësor kundër tre pjesëtarëve të policisë nga stacioni policor i Koçanit, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare, në një çështje që lidhet me kontrollet e kryera në diskotekën "Puls".
Shkup - Nën sloganin “Jo në emrin tonë”, një grup qytetarësh nga nisma “Të gjithë për Palestinën” protestuan para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme për shkak të, siç thonë ata, mbështetjes për ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit mbi Iranin. Ata e quajtën protestën një bllokadë kundër luftës për të treguar se "politika e MPJ-së sonë është vasale dhe mbështet luftën dhe shkatërrimin në të cilin vdesin civilë, gra dhe fëmijë".
Tetovë - Një fëmijë dhjetëvjeçar këtë mëngjes humbi jetën në Tetovë, informojnë nga SPB të Tetovës. Sipas informacioneve fillestare, shkaku i vdekjes ka qenë rënia nga ballkoni nga banesa në të cilin jetonte. Në orën 09:25 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik Tetovë është sjellë i vdekur një djalë 10-vjeçar nga Tetova.
Tetovë - Këshilli i Komunës së Tetovës sot me një seancë solemne e shënoi 3 Marsin - Ditën e Komunës së Tetovës. Me këtë rast fjalim pati kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Më pas iu ndanë mirënjohje 39 individëve të shquar, klubeve, organizatave dhe personave juridikë në shenjë mirënjohjeje për rezultatet e arritura në fusha të ndryshme të jetës së përditshme dhe kontributin e veçantë të dhënë në afirmimin e qytetit të Tetovës.
Gjenevë - Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthsmore (ANEB) sot njoftoi se së fundmi ka pasur dëmtime në ndërtesat hyrëse të centralit bërthamor nëntokësor iranian në Natanc, duke shtuar se nuk pritet të ketë pasoja rrezatimi ose ndikim shtesë brenda vetë objektit. Kreu i ANEB-it, Rafael Grosi, më parë deklaroi se "nuk ka tregues" për dëmtime në objektet bërthamore iraniane.
Moskë - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov sot deklaroi se Moska ende nuk ka marrë kurrfarë provash se Irani po zhvillon armë bërthamore, njoftuan mediumet brtitanike. "Deri tani nuk pamë prova se Irani po zhvillon armë bërthamore, e ky ishte sqarimi kryesor, nëse jo i vetëm për luftën", tha Lavrov, i cituar nga mediumet ruse.
Kabul - Të paktën 42 civilë kanë humbur jetën dhe 104 janë plagosur që nga 26 shkurti në përleshjet midis Afganistanit dhe Pakistanit, bëri të ditur Misioni i Kombeve të Bashkuara për Ndihmë në Afganistan (UNAMA). Përleshjet midis dy vendeve fqinje vazhdojnë edhe sot, Kabuli bëri të ditur se sot kishte marrë një tjetër pozicion pakistanez në rajonin e Kandaharit.
Kanbera - Kryeministri i Kanadasë, Mark Karni sot mbërriti për vizitë në Australi me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy të ashtuquajturave "fuqi të mesme" ndërsa po "shkatërrohet" rendi global. Karni do të takohet me homologun australian Antoni Albaneze në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Ata, gjithashtu, do të kërkojnë mënyra për të forcuar lidhjet si prodhues kryesorë të mineraleve kyçe.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, i cili paraiqtet si "president i paqes", ka miratuar veprime ushtarake në shtatë vende vitin e kaluar, duke përfshirë dhe Iranin, publikoi En-Bi-Si. Këto veprime përfshijnë lloje të ndryshme të operacioneve ushtarake, nga sulmet kundër terrorizmit deri te sulmet ndaj objektivave specifike.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp në rrjetin e tij social "Truth Social" njoftoi se është tepër vonë për negociata me Iranin. Duke iu përgjigjur një përdoruesi, i cili deklaroi se sulmet amerikane çuan në "lindjen e doktrinës së Trampit", presidenti amerikan u përgjigj: "Mbrojtja e tyre ajrore, forca ajrore, marina dhe liderë janë zhdukur. Duan të bisedojnë. U thashë: Shumë vonë!", njoftoi Trampi.