09:00/19 dhjetor/2025
Shkup - Kryetari i Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veirut, Hristijan Mickoski sot do ta vizitojë fabrikën "Alkaloid" SHA Shkup në Autokomandë, Komuna e Gazi Babës. Siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, në kuadër të vizitës, zyrtarisht do të lëshohet në përdorim laboratori i ri mikrobiologjik për kontrollin e cilësisë së "Alkaloid" SHA Shkup.
Shkup - Kryeministri Hristian Mickoski sot do të mbajë fjalim në promovimin e Strategjisë kombëtare për zhvillimin e TIK-ut - SMART/MK 2030, dokument në përputhje me Dekadën digjitale evropiane dhe Agjendën për zhvillim.
Shkup - Në Fakultetin e Ndërtimtarisë pranë Universitetit "Shën Cirili e Metodi" në Shkup sot do të promovohet kabineti i ri mësimor, donacion nga TITAN Usje, në kuadër të bashkëpunimit të projektit "Njohuri + CO₂ - me njohuri dhe inovacion për më pak CO₂."
Shkup - Kryetari i Agjencisë turke për bashkëpunim dhe koordinim (TIKA), Abdullah Eren, sot do ta vizitojë Kuvendin e RMV-së, ku siç njoftohet, do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. TIKA, si agjenci shtetërore turke, më shumë se dy dekada është aktive në Maqedoninë e Veriut, duke realizuar shumë projekte për përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit.
Manastir - Në Manastir sot do të hapet një konsullatë e nderit e Austrisë, ndërsa detyrën e konsullit të nderit do ta kryejë banori i Manastirit, Igor Bozhinovski. Konsulla e nderit në Austri ndodhet në rrugën "Vienska" në Manastir ku paraditen e sotme do të mbahet ceremonia. Nga ambasada e Austrisë kanë njoftuar se do të mbajnë fjalim ambasadori austriak Martin Pamer, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe konsulli i nderit, biznesmeni Igor Bozhinovski.
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të thata. Për shkak të mjegullës, vërehet dukshmëri e ulur prej 50 - 60 m. në drejtimet rrugore Negotinë - Gradsko dhe Negotinë - Demir Kapi, informojnë nga LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është i matur. Në vendkalimet kufitare në anën e Maqedonisë së Veriut nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm dhe me periudha me diell. Paradite, vende-vende do të ketë paraqitje të mjegullës. Në pjesën juglindore të vendit do të fryjë erë e dobët nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -5 deri 1, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 8 deri 14 gradë.
Bruksel - Shefat e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së në kuadër të Samitit të filluar dje herët në mëngjes arritën marrëveshje për mënyrën e financimit të Ukrainës për vitin 2026 dhe 2027 përmes kredisë për të cilën mjetet do të sigurohen në bazë të detyrimit të Unionit në tregjet e kapitalit, mbështetur nga buxheti i tij afatgjatë.
Gjenevë - Milicia e Forcave për mbështetje të shpejtë (RSF), e cila tashmë 2,5 vjet lufton kundër trupave qeveritare në Sudan, në ofensivën treditëshe në prill të këtij viti ka vrarë më shumë se 1.000 civilë, tregon raporti i KB-së i publikuar mbrëmë, transmetoi DPA. Zyra për të drejtat e njeriut e KB-së (OHCHR) në raport citon se "ka dokumentuar vrasjen e të paktën 1.013 civilëve në konteskt të ofensivës së RSF-së ndaj kampit për personat e zhvendosur brenda vendit Zamzam", mes 11 dhe 13 prill.
Moskë - Presidenti rus Vladimir Putin sot duhet ta mbajë konferencën e tij vjetore tradicionale për shtyp në Moskë, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve vendas dhe të huaj për shumë tema gjatë disa orëve, raporton DPA. Këtë vit spektakli mediatik sërish do të kombinohet me TV- emisionin "Linja e drejtpërdrejtë", në të cilën qytetarët rus mund të ankohen për problemet e tyre, ta pyesin shefin e Kremlinit për zgjidhje dhe pyetje tjera.
Bogotë - Të paktën katër ushtarë janë vrarë, ndërsa disa janë lënduar në sulmin ndaj bazës ushtarake në Kolumbi, njoftoi mbrëmë ushtria, transmeton DPA. Qeveria rajonale e departamentit verilindor Sezar raportoi për 32 të plagosur. Komandanti i Armatës Kombëtare të Kolumbisë, Luis Emilio Kardozo, në platformën X deklaroi se përgjegjëse për sulmin është grupi gueril i majtë Armata Çlirimtare Kombëtare (ELN).
Sidnej - Shtatë burra për të cilët besohet se kanë lidhje ideologjike me të dy sulmuesit në sulmin terrorist në plazhhin Bondi të dielën, janë arrestuar në pjesën jugperëndimore të Sidnejit, njoftoi sot policia e Uellsit të Ri Jugor, raporton DPA. Shtatë burra, të gjithë të njohur për policinë, u arrestuan dje nga policia në periferi të Sidnejit, Liverpul, pasi arritën me dy automjete nga shteti fqinj Viktoria.
Boston - Policia në shtetin amerikan Rod Ajlend dje njoftoi se i dyshuari për vrasjen fatale fundjavën e kaluar në Universitetin Braun gjendet i vdekur, njoftoi DPA. Shefi i policisë në Providens, Oskar Perez, në konferencën për shtyp deklaroi se i dyshuari është një student 48-të vjeçar nga Universiteti Braun dhe se është shtetas portugez.
Shkup - Ekipi turk, Samsunspor apo ai polak, Leh Poznanj janë kundërshtarët e mundshëm të Shkëndijës në plejofin e Ligës së konferencave. Në shortin që është caktuar për më 16 janar të vitit të ardhshëm në Nion do të gjenden 16 ekipe, të cilat e përfunduan fazën grupore nga vendi i 9-të deri në vendin 24. Shkëndija me 7 pikë e fitoi vendin e 22-të, duke shënuar fitore kundër Sllovan 2-0 dhe Shelburn 1-0, barazim me Jagielonia 1-1, ndërsa pësoi humbje nga AEL Larnaka 1-0 dhe Rajo Valjekano 2-0.