• петок, 10 јануари 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/9 janar/2025

Shkup  – Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot informoi se përmes “Terminit tim” së shpejti do të mundësohet që specializantët të cilët specializojnë në universitetet tona, të kenë qasje të mund të përgatisin raport me emër dhe mbiemër.  “Së shpejti përmes ‘Terminit tim’ do të mundësojmë që specializantët të cilët specializojnë në të gjitha universitetet tona të fakulteteve të mjekësisë, të kenë qasje dhe ata të mund të përgatisin raport me emër dhe mbiemër të tyre. Presim që këtë së shpejti ta bëjmë bashkë me Odën e Mjekëve”, tha Taravari në konferencën e sotme për media në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve. 

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot deklaroi se nuk ka informatë se ndonjëri prej aparateve të rentgenit në institucionet shëndetësore nuk punon. "Para se të vij këtu, kisha takim me ekipin e 'Terminit tim' me qëllim si të përmirësojmë, të ketë më shumë termine nëpër spitalet tona, posaçërisht në periferi, megjithatë edhe në klinika. Me sa di unë, nuk kam informatë se ndonjë nga aparatet e rentgenit nuk punon, shumica funksionojnë. Pothuasje edhe nuk ka spital në shtet ku nuk ka rentgen. Dakordohem me atë se shumica e pacientëve, ata që duhet dhe që nuk duhet, dërgohen në Klinikën për pediatri. Decentralizimi të cilin tashmë e promovuam në sistemin shëndetësor publik është në atë drejtim. Do të thotë, shumcia e pacientëve të cilët mund të trajtohen në brendësi të vendit trajtohen atje", theksoi Taravari gjatë promovimit të sotëm të apraturës në Klinikën e fëmijëve.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot deklaroi se e ka lexuar raportin lidhur me foshnjën shtatëmujore, e cila vdiq në Klinikën e fëmijëve në Shkup, dhe në të u konstatua se nuk ka gabim mjekësor. "Raporti arriti, unë e lexova që të hënën. Për fat të mirë, profesionistët konstatuan se mjekët nuk kanë kurrfarë gabimi", tha Taravari në konferencën e sotme për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve. I pyetur ku ka qenë problemi për vdekjen e foshnjes shtatëmujore,Taravari u përgjigj se me siguri foshnja është sjellur më vonë në Klinikë.

Shkup  - Lideri i Aleancës për shqiptarët e cila është pjesë e koalicionit qeveritar “VLEN”, Arben Taravari sot përshëndeti paralajmërimet e presidentit amerikan Xhozef Bajden kundër atyre që kërcënojnë Ballkanin Perëndimor dhe minojnë marrëveshjet e pasluftës. "Ne e përshëndesim këtë dhe mendoj se Qeveria i përmbahet maksimalisht të gjitha atyre marrëveshjeve ndërkombëtare. Le të mendojnë ata që kanë probleme”, tha Taravari.

Shkup  – Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi informon se në klinikën e tyre është rritur numri i pacientëve me infeksione të frymëmarrjes dhe të zorrëve.  “Në këtë pjesë të vitit dominojnë viruset sezonale të cilët janë gjithnjë e më të shpeshta. Dhe kjo është gati çdo vit në këtë pjesë të vitit. Kemi numër të rritur të pacientëve me simptome të frymëmarrjes dhe infeksione të zorrëve të cilat trajtohen në klinikën tonë dhe e marrin kujdesin e nevojshëm”, tha Memedi gjatë promovimit të sotëm të aparaturave në Klinikën e Fëmijëve. 

Shkup - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe e refuzoi mundësinë për lidhje me BDI-në dhe e theksoi nevojën për politika që bashkojnë, e jo, siç thotë, që përçajnë. "LSDM-ja nuk do të lejojë më kurrë që të vendoset në të njëjtën kornizë apo të jetë në vartësi të ndonjë partie, veçanërisht jo të BDI-së. Stigma e korrupsionit që ka mbartur prej vitesh kjo parti është diçka nga e cila ne distancohemi qartë dhe pa mëdyshje. Retorika e tyre dhe ngritja e vazhdueshme e tensioneve etnike si mjet për veprim politik është e papranueshme dhe e rrezikshme. Politikat e tilla nuk kanë vend në shoqërinë tonë multietnike, deklaroi Filipçe në një intervistë për “Nezavisen”.

Shkup - Gjatë 24 orëve të fundit, ekipet e NP “Higjiena Komunale”- Shkup ngritën dhe transportuan përafërsisht  50 metra kub mbetje të hedhura në mënyrë të paligjshme në Komunat  Çair, Gjorçe Petrov dhe Karposh. Largohen 15 metra kub mbetje nga ambalazhet e kartonit dhe pesëmbëdhjetë goma makinash të hedhura në sipërfaqe publike në rrugën Vojdan Çernodrinski, si dhe 10 metra kub mbetje të vëllimshme në bulevardin Nikolla Karev (Rruga e plastikave), në komunën e Çairit të Shkupit.

Shkup  - Çmimet e shërbimeve hotelierike në dhjetor të vitit 2024, në raport me muajin e njejtë të vitit të kaluar, janë rritur për 6.1%. Në krahasim me nëntorin e vitit 2024, ndërkaq, çmimet janë rritur për 0.6%, kumtoi Enti shtetëror për statistika. Indeksi kumulativ i çmimmeve të shërbimeve hotelierike për periudhën janar - dhjetor 2024, në raport me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, është rritur për 5.6%, përderisa në dhjetor të vitit 2023, është vërejtur rritje prej 3.5%. 

Shkup  - Valë e ftohtë me reshje shiu dhe bore, paralajmëron DPHM për ditët në vijim. Nesër në fund të ditës do të ketë reshje lokale shiu në pjesët perëndimore dhe veriore. Ditën e shtunë do të mbizotërojë mot me vranësira të ndryshueshme me reshje të kohëpaskohshme shiu, kurse në male e në disa vende më të larta me borë. Të dielën do të mbajë mot i vranët dhe i ftohtë me reshje që për shkak të zbritjes së masës ajrore më të ftohtë me erë të fortë veriore në pjesën më të madhe të vendit do të jetë me borë dhe vende-vende më të bollshme.  

Tiranë  - Zëvendës sekretari shtetëror amerikan për menaxhim dhe burime, Riçard Verma pas takimit me kyeministrin shqiptar Edi Rama, vlerësoi se partneriteti i fuqishëm amerikan siguron përparim të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian (BE). "Jam i kënaqur që u takova me kryeministrin Edi Rama në Tiranë që t'i falënderohem për mikpritjen e tij ndaj afganëve dhe përkrahjen e tij për Ukrainën. U pajtuam se integrimi në BE është kyç për ardhmërinë e Shqipërisë. Partneriteti i jonë i fuqishëm siguron përparim të Shqipërisë drejt anëtarësimit fuqiplotë në BE", publikoii Verma në rrjetin "X".

Sofje - Lideri i partisë ultranacionaliste dhe ekstremit të djathtë "Rilindja" të Bullgarisë, Kostadin Kostadinov i ka bërë thirrje qeverisë në Sofje që zyrtarisht të shpallë pretendimet për bashkimin e Maqedonisë dhe rajonit ukrainas të Besarabisë Jugore drejt Bullgarisë. Në një postim në rrjetin social Fejsbuk, Kostadinov ka mbështetur deklaratat e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp për Kanadanë dhe Kanalin e Panamasë dhe thekson se Sofja duhet të dalë publikisht edhe me kërkesë për aneksimin e Maqedonisë dhe Besarabisë Jugore drejt Bullgarisë.

Bruksel  – Qëllimi i takimit të sotëm është që të konfirmojmë se të gjitha vendet që marrin pjesë në të janë të vetmit në mbështetjen ushtarake të Ukrainës, porositi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute pasi mbërriti në takimin e Grupit të kontaktit për mbrojtje të Ukrainës në nivel ministrash, që sot po mbahet në bazën ajrore amerikane “Ramshtajn” në Gjermani.  “Duhet të sigurohemi se Ukraina e ka të gjithë atë që është e nevojshme, në kuptim të trajnimit, në kuptim të pajisjes, që ta vazhdojë luftën dhe që të mbizotërojë në këtë luftë që filloi më 22 shkurt të vitit 2022 me sulmin e paprovokuar masiv të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Rute. 

Bruksel - Eurokomisioneri për tregun e brendshëm, Tjeri Breton deklaroi se është ligjërisht e mundur ndalimi i platformës Iks, në pronësi të Ilon Mask, në vendet e Bashkimit Evropian. Breton në intervistë për "LSI" francez theksoi se një vendim i tillë nuk do të ishte arbitrar, por do të bazohej në një bazë ligjore, nëse ish-Tuiter nuk përputhet me ligjet e BE-së për shërbimet digjitale (DSA) dhe tregjet digjitale (DMA), transmeton Anadolu. Breton kujtoi se platforma Iks tashmë ishte e ndaluar në Brazil dhe paralajmëroi se një ndalim i mundshëm në Evropë do të kishte pasoja të rënda financiare për Mask.

Bruksel  - Eurodeputetët nga radhët e socialdemokratëve dhe liberalëve kanë kërkuar që në rendin e ditës së seancës së Parlamentit Evropian, e planifikuar për 20-23 janar, të përfshihet edhe pika për lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale. Grupi liberal "Të rinovojmë Evropën" (RE) kumtoi se do të bënte thirrje për një "debat urgjent parlamentar për postimet e fundit" nga pronari i Iks, Ilon Mask në këtë rrjet social dhe nëse ato shkelin dispozitat e moderimit të përmbajtjes të Ligjit për shërbime digjitale të BE-së (DSA).

Londër - Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dejvid Lami sot deklaroi se është i bindur se presidenti i rizgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp, e njeh Grenlandën si pjesë të Mbretërisë së Danimarkës, por theksoi se retorika e tij mund të jetë destabilizuese.  "Ne e dimë që nga mandati i parë i Donald Trampit se thellësia e retorikës së tij dhe ndonjëherë paparashikueshmëria e asaj që ai deklaron mund të jetë destabilizuese," tha Lami në një intervistë për Bi-Bi-Si Radio, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me synimet e Trampit për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së.

Seul – Ish presidenti koreanojugor Jun Suk – jeol do ta pranojë vendimin eventual të Gjykatës Kushtetuese për revokim, madje edhe nëse kjo nënkupton largim të tij nga funksioni.  “Nëse vendimi është për largim, kjo nuk ka se si të mos pranohet”, deklaroi në konferencë për media, avokati i Jun, Jun Kav-kjun. Paraprakisht, Jun i injoroi kërkesat e Gjykatës Kushtetuese për parashtrimin e dokumenteve juridike para intervistimit publik më 27 dhjetor, por avokatët tani konfirmuan se ai është i gatshëm që personalisht të paraqitet.

Uashington - Presidenti i SHBA-së Xho Bajden ka anuluar vizitën e planifikuar në Itali për shkak të zjarreve që përfshinë Los Angjelosin, kumtoi Shtëpia e Bardhë. "Pas kthimit nga Los Angjelosi ku është takuar me policinë, zjarrfikësit dhe ekipet për raste urgjente që luftojnë me zjarret në atë rajon, presidenti Bajden ka vendosur të anulojë vizitën e tij në Itali", deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan Pjer.

 Jerevan - Kryeministri i Armenisë, Nikoll Pashinjan në seancën e qeverisë prezantoi veprimet e mundshme për projektligjin për fillimin  e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se Qeveria nuk ka vërejtje për miratimin e projektligjit, por kujtoi se vendimi për anëtarësim në BE mund të merret vetëm përmes referendumit.  "Miratimi i ligjit nuk do të thotë fjalë për fjalë anëtarësimin e Armenisë në BE, sepse ky moment nuk mund të arrihet dhe vendimi nuk mund të merret përmes ligjit apo vendim qeverie. Marrja e një vendimi në këtë pikë mund të bëhet vetëm përmes referendumit, nuk ka zgjidhje tjetër", theksoi Pashinjan.

Остани поврзан