
12:00/14 shkurt/2025
Shkup - Kryesia e Klubit të deputeteve dje ka mbajtur mbledhjen e parë ku u shqyrtua dhe u miratua njëzëri Plani i punës së Klubit të deputeteve për vitin 2025. Siç informojnë nga Pres shërbimi i Kuvendit në mbledhje u diskutuan dhe u ndanë propozimet për përgatitjen e seancës plenare me rastin e 8 Marsit - Ditës ndërkombëtare të gruas e cila organizohet nga Kuvendi gjatë dy viteve të fundit. Konkluzioni i Kryesisë së Klubit të deputeteve është që më 7 mars (e premte) të organizohet seanca plenare dhe ky propozim do t'i dërgohet Kryesisë së Kuvendit.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së punës në Australi, mori pjesë dhe mbajti fjalim në një ngjarje me të cilën u shënua 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Australisë, informojnë nga Ministria. Në ngjarje fjalime kishin edhe Ana Ali, ministre e Vetëqeverisjes Lokale dhe Rinisë të Australisë Perëndimore dhe Kasandra Fernando, deputete në Parlamentin australian.
Shkup - Jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka, për pakon e masave me të cilat do t'i zgjidhim të gjitha çështjet e mbetura nga e kaluara, tha sot ministri i Shëndetësisë, nga Koalicioni VLEN, Arben Taravari, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me ndryshimin e stemës shtetërore. Siç tha Taravari, Maqedonia është një nga shtetet e rralla postsocialiste stema e së cilës nuk është ndryshuar. "VLEN është i gatshëm të bisedojë për gjithçka. Për fat të keq, në periudhën e kaluar shumë tema të ndjeshme vihen nën qilim. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për pakon e masave të cilat janë të pazgjidhura në 20-30 vitet e fundit dhe në pako t'i zgjidhim, pse këtu të mos jenë edhe stema edhe himni dhe 20 për qindëshi si dhe çështje tjera etnike nëse ka dhe të fokusohemi në ekonominë, eurointegrimet, antikorrupsionin, pagat më të mira, jetën më të mirë"...theksoi Taravari.
Shkup - Deri në ditën e djeshme janë dorëzuar rreth 20-të formularë për aplikim për 20-të projekte nga tre vetëqeverisje lokale në thirrjen e dytë për ndarjen e ndihmës financiare për komunat për realizimin e projekteve infrastrukturore, informon ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski i cili sot së bashku me zëvendësin e tij Erxhan Selim është për vizitë në Komunën e Gazi Babës si pjesë e karvanit "Atje ku zemra është në shtëpi". "Kjo është mirë sepse vetëqeverisjet lokale duhet të plotësojnë formularët e aplikimit dhe të rregullojë të gjithë dokumentacionin për të aplikuar. Vetëm ditën e parë kemi pranuar rreth 20 aplikime, që është vërtet mirë dhe tregon se kryetarët e komunave kanë qenë të përgatitur për thirrjen e dytë publike", tha Perinski në përgjigje të pyetjes së një gazetari duke shtuar se përvoja nga thirrja e parë do t'i ndihmojë komunat që tani të aplikojnë drejt dhe të shmangin problemet si disa prej tyre gjatë thirrjes së parë publike.
Shkup - U.d. kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani me gjasë do të jetë kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale, tha sot ministri i Shëndetësisë nga koalicioni VLEN, Arben Taravari. Sipas Taravarit, anketat tregojnë se Limani ka mbështetje të madhe nga qytetarët. "U.d. kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, sipas anketave që i bëjmë, ka mbështetje të madhe nga qytetarët. Shpresoj të jetë kandidat potencial për kryetar komune, por ende nuk jemi koordinuar mes VLEN-it dhe Aleancës për Shqiptarët. Megjithatë, ka shanse të mëdha që ai të jetë kandidat i përbashkët i koalicionit për kryetar komune", deklaroi Taravari duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në poliklinikën e Bit Pazarit.
Shkup - Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të sapoformuar të tregtarëve me shumicë dhe pakicë kryesisht me prodhime ushqimore dhe joushqimore, pije dhe duhan duhet të takohen me ministrin e Ekonomisë Besar Durmishi në lidhje me propozim-vendimin për kufizimin e marzheve deri në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Nga Oda përmes një komunikate njoftuan se janë takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski, i cili e ka obliguar ministrin e Ekonomisë që të zhvillojë takim me ta, pas së cilës kanë paralajmëruar se do t'i publikojnë informatat për opinionin. "Sipas vendimit nga takimi, në të cilin kryeministri Hristijan Mickoski e obligoi ministrin e Ekonomisë dhe Punës që të mbajë një takim të ri me ne, më 14 shkurt 2025, gjatë ditës së sotme do të dalim me qëndrime, të cilat do t'i sqarojmë në takim, të cilat do të analizohen për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Ne duam të krijojmë një klimë të favorshme pune për të gjithë aktorët e sektorit, që të mos pësohet asnjë dëm dhe e gjithë kjo është në interes të konsumatorëve tanë", thuhet në kumtesën e Odës.
Shkup - Sot në ditën e festës së Shën Trifunit, mbrojtësin e kultivuesve të rrushit u realizua pagesa prej 315.745.324,00 denarësh për 11.689 persona. Pagesa i referohet nënmasës 1.11 për prodhimin e realizuar të rrushit. Përfitues të kësaj nënmase janë ekonomitë bujqësore që kanë deklaruar sipërfaqe të punueshme bujqësore me vreshta dhe që prodhimin e realizuar të rrushit e kanë dorëzuar tek një grumbullues i regjistruar, përfshirë edhe rrushin e prodhuar për kapacitetet e tyre përpunuese ose prodhimin e përdorur për nevoja vetjake dhe shitje në treg.
Shkup - Mëngjesin e sotëm më ftohtë në Kodrën e Diellit, -4 gradë, ndërsa maksimale 6 gradë në Gjevgjeli. Deri në orën 08:30 janë matur -2 gradë në Hanet e Mavrovës, -1 në Manastir, Krushevë, Kriva Pallankë dhe Llazaropole, 0 në Shkup-Petrovec dhe Kavadar, 1 në Prilep, 2 në Strumicë dhe Vinicë, 3 në Tetovë dhe Ohër, si dhe 4 në Berovë, Zajçev Rid-Shkup, Veles, Kumanovë dhe Demir Kapi, si dhe 5 gradë në Shtip. Borë ka në Kodrën e Diellit, 31 centimetra dhe në Hanet e Mavrovës, 12 centimetra.
Zagreb - Në thirrjen e platformës "Alo inspektor", sot në Kroaci mbahet bojkoti një ditësh i dyqaneve, që këtë herë në thirrje të nxënësve të shkollave të mesme përfshin edhe bojkotin e furrave dhe të gjitha produkteve të furrave në të gjitha vendet shitëse, lajmëroi Hina. "Bojkoti vazhdon, konsumatorët duan të bojkotojnë blerjet dhe të ulin shpenzimet dhe dërgojnë mesazh te të gjithë që punojnë në rritjen e çmimeve", tha mbrëmë Josip Kelemen, këshilltar i platformës "Alo inspektor", në konferencën për media, duke përmendur se nuk do të tregojë se bojkoti po ndalet, sepse edhe të rinjtë thonë se duhet të vazhdojë. Platforma vlerëson se tregtarët deri tani kanë humbur mbi 100 milionë euro për shkak të bojkotit.
Bruksel - Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pit Hegset, në seancën e djeshme të Këshillit Veriatlantik dha një mesazh të qartë në lidhje me angazhimin e përhershëm të SHBA-së për një NATO të fortë dhe pritjet e qarta të Amerikës që të gjithë aleatët të marrin përispër pjesën e tyre të drejtë të barrës, tha Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rute. "Të gjithë aleatët dhe Ukraina janë të bashkuar në dëshirën e tyre për paqe në Ukrainë. Të gjithë pajtohemi se duhet ta sjellim Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm negociues. Dhe na duhet një paqe e qëndrueshme dhe e përhershme, e jo Minsk Tre. Ne nuk mund të lejojmë që Presidenti (i Rusisë, Vlladimir) Putin të fitojë, porositi Rute në konferencën për media pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
Bruksel - Parlamenti Evropian ka dërguar njoftim deri te stafi i tij duke i këshilluar ata që për komunikim të përdoren mjetet Tim të "Majkrosoft" ose Xhaber të "Sisko", ndërsa përderisa përdorimi i tyre nuk është i mundur, atëherë rekomandohet përdorimi i Signalit. Një rekomandim i tillë, siç thuhet në letrën drejtuar punonjësve me email, jepet për shkak të shqetësimeve të shtuara për sigurinë e komunikimeve onlajn dhe për të mundësuar mbrojtje më të mirë të të dhënave personale dhe korrespondencës.
Bruksel - Komisioni Evropian vlerëson se vendimi i presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e “tarifave reciproke” është një hap në drejtim të gabuar. "BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj një sistemi të hapur dhe të parashikueshëm tregtar global që kanë interes të gjithë partnerët. BE-ja ka disa nga tarifat më të ulëta në botë dhe nuk sheh asnjë arsye për të rritur tarifat e SHBA-së për eksportet e saj", thuhet në reagimin e KE-së për vendimin e Trampit. Në reagim përsëritet gjithashtu qëndrimi i shprehur më parë nga përfaqësuesit e BE-së se tarifat janë taksa dhe se me vendosjen e tyre, SHBA-ja po takson qytetarët e vet, po i rrit shpenzimet për biznesin, e ngulfasin rritjen dhe nxisin inflacionin.
Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski akuzoi sot forcat ruse se kanë përdorur dron për të dëmtuar strukturën mbrojtëse të reaktorit të dëmtuar në termocentralin bërthamor në Çernobil. Ai shtoi se dëmi nuk çoi në rritje të rrezatimit. "Mbrëmë një dron rus i pajisur me një kokë lufte me eksploziv të lartë goditi strukturën që mbron botën nga rrezatimi në reaktorin numër katër të termocentralit bërthamor të Çernobilit", ka shkruar Zelenski në rrjetin Iks. Ai shtoi se zjarri i shkaktuar nga shpërthimi është "shuar" dhe se "nivelet e rrezatimit nuk është rritur".
Phenian - Agjentët e huaj turistik kanë hyrë në Korenë e Veriut për herë të parë që nga mbyllja e kufijve për turizmin në vitin 2020 për shkak të Kovid-19, për të inspektuar vendet e reja turistike, njoftoi sot ueb-faqja e agjencisë turistike Korjo Turs. "Personeli i Korjo Tursit dje në orët e hershme të mëngjesit, kaloi në qytetin kufitar verilindor të Rason në Korenë e Veriutsi pjesë e një udhëtimi të posaçëm vetëm për personelin pasi vendi nuk është ende plotësisht i hapur për turizmin", theksohet në ueb-faqen e agjencisë britanike turistike me seli në Pekin", raporton Jonhap.
Mançester - Qendërmbrojtësi i Mançester Siti, Manuel Akanxhi (29) do të mund të humbasë pjesën e mbetur të sezonit aktual për shkak të lëndimit. Futbollisti zviceran ka pësuar një dëmtim nga i cili do t'i duhen disa muaj për t'u rimëkëmbur. Akanxhi është lënduar në ndeshjen e fundit të plejofit të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, në të cilën "qytetarët" humbën me 2:3. Klubi ende nuk ka dhënë informacion zyrtar për gjendjen e mbrojtësit.