• петок, 20 ноември 2026
MIA Flesh

18:00 / 19 nëntor / 2026

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot ka zhvilluar takim pune me Nikol Varns, ushtruese e detyrës së ambasadores së SHBA-së në vend. Në takim, siç kumtoi Ministria e Transportit, u konfirmua angazhimi ndaj partneritetit strategjik dhe promovimit të bashkëpunimit dypalësh.

Shkup - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, sot mbajti takim me përfaqësues të Shoqatës së Kultivuesve të Deleve. Siç informon përmes profilit të tij në Fejsbuk, u bisedua për programet për pagesa direkte për vitin e ardhshëm. "Transparenca në krijimin e masave të mbështetjes në bujqësi është parim që unë ndjek, dhe për këtë arsye sot zhvillova një takim pune me përfaqësuesit e Shoqatës së Kultivuesve të Deleve. Po fillojmë t'i përgatisim programet e pagesave direkte për vitin e ardhshëm më herët, në mënyrë që të kemi kohë të mjaftueshme, përmes dialogut me të gjithë pjesëmarrësit në sektor, për të përcaktuar bashkërisht mbështetjen. Unë respektoj sinqerisht përvojën e kultivuesve, puna dhe njohuritë e të cilëve njihen në cilësinë e qengjit, qumështit të deleve dhe djathit vendor. Besoj se me vullnet të mirë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të punuar së bashku, mund të arrijmë në zgjidhje të qëndrueshme për blegtorinë", deklaron Serafimovski.

Shkup – Udhëheqësia e re e Odës së Mjekëve, e kryesuar nga kryetari, prof. dr. Nikola Jankullovski, sot u takua me ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në ambientet e Odës. Në takim morën pjesë edhe dr. Biljana Gjorgievska, kryetare e Kuvendit të Odës, dr. Idriz Orana, nënkryetar, si dhe nënkryetarët: dr. Biljana Petkovska-Ognjanova për kujdesin shëndetësor parësor, dr. Lençe Neloska për kujdesin shëndetësor dytësor dhe dr. Risto Todorov për kujdesin shëndetësor terciar.

Shkup - Nga sot, në tregun e organizuar të energjisë elektrike në vend mund të paraqiten oferta dhe urdhra me çmime negative. Ky ndryshim është pjesë e reformave të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, të realizuara në bashkëpunim me Operatorin Kombëtar të Tregut të Energjisë Elektrike – MEMO, informojnë nga MEMBM. Me ndryshimet, siç thonë, kufijtë e çmimeve në tregun një ditë përpara (MATS) zgjerohen nga intervali i mëparshëm prej 0,10–1.000 eurosh në -600 deri në 4.000 euro për megavat-orë. Në tregun brenda së njëjtës ditë (M7), intervali i ri është nga -9.999,99 deri në 9.999,99 euro për megavat-orë.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Vaiani Gaidatzi. Presidentja Shiroka Pula, siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, i uroi ambasadores Gaidatzi sukses në misionin diplomatik, duke shprehur interesimin për forcimin e kontakteve dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Paris – Rreth 30 persona janë evakuuar për shkak të përmbytjeve në departamentin Pa-de-Kale, në veri të Francës. Dy persona të moshuar janë lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme në shtëpi dhe rrugë në 10 qytete, raportuan sot mediat franceze. Përmbytjet e goditën departamentin Pa-de-Kalen pas disa ditësh me reshje shiu në rajon. Gjatë ditës së djeshme ranë nga 50 deri në 70 milimetra shi për metër katror, ndërsa intensiteti më i madh i stuhisë pritet nga sonte deri nesër. Ndërkohë, departamenti ndodhet nën alarmin portokalli për kushte të këqija atmosferike, raportoi televizioni BFM.

Berlin – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski mbërriti sot në Berlin në një samit të Koalicionit të të Përgatiturve, një grup prej gati 40 vendesh që mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë. “Prioritetet e Ukrainës janë forcimi i mbrojtjes sonë ajrore, mbështetja energjetike dhe financiare, rruga diplomatike dhe hapat e mëtejshëm drejt përfundimit të luftës dhe sigurimit të sigurisë”, shkroi Zelenski në X.

Moskë - Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi se sot kishte një takim të hapur dhe produktiv me homologët e tij kinezë dhe amerikanë, duke shtuar se presidenti amerikan, Donald Tramp dukej sinqerisht i përkushtuar për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Putini tha se takimi trepalësh në margjinat e samitit të APEK në Shenxhen diskutoi çështje që lidhen me reformën e OKB-së, si dhe çështje që lidhen me sigurinë dhe mospërhapjen e armëve. Ai shtoi se takimi nuk kishte për qëllim arritjen e qëllimeve ambicioze dhe se asnjë nga vendet nuk do të detyrohej të zbatonte vendimet e marra. Të tre liderët nuk ranë dakord të mbanin takime të rregullta në të njëjtin format.