• понеделник, 02 март 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 1 mars/ 2026

Shkup - Pas konsultimeve të kryera presidentja Gordana Siljanovska Davkova për sot ka caktuar seancë të Këshillit të Sigurimit. Siç njoftuan nga Kabineti i presidentes Siljanovska-Davkova, seanca do të fillojë në orën 18:00 në Vilën Vodno, ndërsa në rend dite do të jetë gjendja e sigurisë në vend pas ngjarjeve më të reja në Lindjen e Mesme. Këshilli i Sigurimit është organi këshilldhënës më i lartë në shtet, i cili shqyrton çështjet e lidhura me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i jep propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

Shkup - Rritet numri i shtetasve të Maqedonisë që raportojnë se janë të bllokuar në zona të kërcënuara. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se po mbahet kontakt i vazhdueshëm me të gjithë ata dhe po ndërmerren aktivitete përgatitore për ndihmë të mundshme dhe evakuim të sigurt të tyre.

Shkup - Në praninë e përfaqësuesve të Qeverisë sot do të lëshohet në përdorim qarkorja e rikonstruktuar në Kriva Pallankë. Bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm të Korridorit 8 i cili është vazhdim i autostradës Stracin-Kriva Pallankë dhe lidhjes rrugore me vendkalimin kufitar Deve Bair drejt Bullgarisë. Në hapjen zyrtare pritet të marrin pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikoloski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovski.

Shkup - Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria në mbledhjen e fundit të mbajtur më 24 shkurt, mori vendim për bashkimin e Klinikës së Kardiologjisë dhe Klinikës Shtetërore të Kardiokirurgjisë. Qëllimi është sigurimi i një niveli më të lartë të integrimit, koordinimit dhe efikasitetit në trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, përmes shfrytëzimit racional të burimeve ekzistuese njerëzore, hapësinore dhe teknologjike të të dy institucioneve.

Shkup - Nga sot hyn në fuqi obligimi ligjor për autentikim të përforcuar gjatë pagesave onlajn me kartela pagesore. Në vend të konfirmimit të deritanishëm me kod SMS, përdoruesit e kartelave pagesore do të marrin një njoftim përmes aplikacionit të bankës mobile dhe do të duhet ta miratojnë transaksionin. Konfirmimi bëhet me një PIN për aplikacionin, një gjurmë gishtash ose njohje të fytyrës. Pa këtë konfirmim, pagesa nuk do të mund të kryhet, edhe nëse dikush i ka të dhënat e kartelës.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës i informon studentët se afati për regjistrim për të drejtën e shujtës studentore të subvencionuar për vitin akademik 2025/2026 zgjat nga sot deri më 5 mars 2026. Të drejtën për shujtë të subvencionuar mund ta shfrytëzojnë të gjithë studentët e rregullt të studimeve deridiplomike që kanë të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto, si dhe studentët e regjistruar në studime pasuniversitare dhe studime të integruara në universitetet shtetërore dhe private në vend.

Athinë - Kohët e fundit, në Maksimu (Pallati i kryeministrit) ka pasur një mendim interesant: Kryeministri duhet të vizitojë Shkupin në të ardhmen e afërt, shkruan gazeta greke "Katimerini", dhe arsyeja për mendime të tilla dhe vizitën e mundshme të Kirjakos Micotakis është marrëveshja për riaktivizimin e tubacionit të produktpërçuesit Selanik-Shkup, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Sipas gazetës, në periudhën e ardhshme do të merret një vendim nëse kryeministri grek Kirjakos Micotakis do ta vizitojë vendin.

 Bruksel - Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se vdekja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, është një "moment përcaktues në historinë e Iranit". "Çfarë vjen më pas është e pasigurt. Por, rruga tani është e hapur për një Iran të ndryshëm, një Iran që populli i tij mund të ketë më shumë liri për ta formësuar",  shkroi Kallas në X.

Teheran - Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Hamnei është i vdekur, konfirmuan sot mediat shtetërore iraniane. Ai u vra si "martir", raportuan agjencia gazetareske IRNA dhe Fars. Si përgjigje e kësaj, udhëheqësia iraniane shpalli 40 ditë zie kombëtare, sipas televizionit shtetëror iranian. Paraprakisht presidenti amerikan Donald Tramp e shpalli Hamnein të vdekur, pasi SHBA dhe Izraeli dje filluan sulme gjithëpërfshirëse ndaj Iranit.

Teheran - Këshilli tre anëtarësh përkohësisht do të udhëheq me Iranin pas vdekjes së udhëheqit suprem, ajatollahut Ali Hamnei. Këshilli, i përbërë nga presidenti Masud Pezeshkijan dhe shefi i gjyqësorit Golamhosein Mohseni Ejei, si dhe një anëtar i Këshillit të rojtarëve, do ta ndërmarrë përgjegjësinë për fazën e tranzicionit, njoftuan sot mediat shtetërore iraniane.

Teheran - Irani emëroi ajatollahun Alireza Arafi në këshillin e përkohshëm udhëheqës, i cili do ta udhëheq vendin pas vrasjes së udhëheqësit suprem, ajatollahut Ali Hamnei. "Këshilli për përcaktimin e interesave të shtetit ka zgjedhur ajatollah Alireza Arafi si anëtar të këshillit të përkohshëm udhëheqës", njoftoi zëdhënësi i këshillit, Mohsen Dehnavi, në një deklaratë në X.

Karaçi - Të paktën tetë persona humbën jetën sot gjatë protestave iraniane në konsullatën e SHBA-së në metropolin pakistanez Karaçi, njoftoi zëdhënësi i shërbimit të shpëtimit. "Kemi zhvendosur të paktën tetë trupa në spitalet civile në Karaçi, ndërsa 20 të tjerë u plagosën në incidentin në konsullatë", tha Muhamed Amin, një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit të Fondacionit "Edi", duke shtuar se shumica kishin plagë nga armë zjarri.

Bejrut - Shpërthime u dëgjuan përsëri sot në shtetet arabe të Gjirit, pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, në sulmet amerikano-izraelite. Dëshmitarë në kryeqytetin e Katarit, Doha njoftuan se në mëngjes kanë dëgjuar disa shpërthime të forta. Kanali informativ i Katarit "Al Xhezira" njoftoi për të paktën 11 shpërthime në Doha.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot e paralajmëroi Iranin të mos hakmerret ndaj sulmeve të kryera nga SHBA dhe Izraeli. "Irani sapo deklaroi se do të godasë shumë fort sot, më fort se kurrë më parë", shkroi Tramp në Truth Social. "Më mirë të mos e bëjnë këtë", theksoi ai.

Shkup - Nën ndikimin e presionit të lartë të ajrit, vijon periudha e motit të qëndrueshëm dhe të thatë, përveç të enjten kur do të ketë kushte për shi të dobët lokal. Të enjten dhe të premten do të fryjë erë e përkohshme mesatare e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor që do të jetë më i shprehur përgjatë Vardarit. Temperaturat e mëngjesit do të jenë të ulëta, ndërsa gjatë ditës do të arrijnë deri në 20 gradë.

Остани поврзан