• понеделник, 22 јули 2024
MIA Flesh

18:00/28 maj/2024

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot përsëriti se ajo do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, por do ta ruaj të drejtën që ndonjëherë ta përdorë prapashtesën apo emrin, ndërsa për shkrimin në kurorë, të cilën e vendosi para pllakës përkujtimore në gjuhën maqedonase në bazilikën "Santa Maria Maxhore" në Romë tha se ka pasur mendime të ndryshme në Kabinet, por duke pasur parasysh hapësirën që e kanë pasur në shirit, në fund vendosën të qëndrojë vetëm emri i saj, si kryesuese e delegacionit shtetëror-kishtar. Lidhur me kurorën, që e vendosi në Romë, presidentja tha se në Kabinet janë konsultuar dhe ka pasur mendime të ndryshme, por përmendi se ato shirita nuk janë shumë të mëdhenj dhe se ajo personalisht ka menduar se mund të vendoset RMV, por në fund kanë vendosur të qëndrojë emri i saj, si kryesuese e delegacionit shtetëror-kishtar.

Shkup - Kuvendi në kuadër të seancës konstituive, me 101 vota "pro" nga gjithsej 117 të pranishëm, e miratoi raportin e Komisionit verifikues dhe me këtë i verifikoi mandatet e 118 deputetëve. Me këtë iu ndërpre mandati deputetëve nga përbërja e vjetër parlamentare. Deputetët e rinj që janë bartës të funksioneve tjera gjithashtu u është ndërprerë funksioni. Gjithsej gjashtë deputetëve u është ndërprerë funksioni në Qeveri, kështu që Qeveria do të kryejë vetëm funksione teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Kryetarja e Komisionit Verifikues, Dafina Stojanovska, tha se Komisioni ka shqyrtuar raportet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet dhe zgjedhjet plotësuese në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, si dhe deklaratën e Bilall Kasamit, në të cilën kërkon që mandati i tij të mos të verifikohet dhe se në bazë të kësaj janë zgjedhur gjithsej 118 deputetë.

Shkup - Me nënshkrimet e 75 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Koalicionit VLEN dhe Lëvizjes ZNAM - Për Maqedoninë Tonë, kryetari i Alternativës pjesë e Koalicionit VLEN, Afrim Gashi është propozuar për kryetar të Kuvendit. Deputetët e "Frontit Europian" janë larguar nga salla e Kuvendit, ku po mbahet seanca konstituive e përbërjes së re kuvendore. Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN si propozues,  tha se Gashi ka qenë deputet për tetë vjet, gjegjësisht tre mandate deputet dhe se bëhet fjalë për një politikan që nuk përmendet në raste për korrupsion.

Shkup - Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë, informon se janë në fazë përfundimtare negociatat për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në dhe pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme. "Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë në punën e deritanishme është e hapur dhe transparente lidhur me informimin e opinionit për hapat që i ndërmerr në realizimin e politikave dhe strategjive të hartuara. Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë në atë frymë e informoi opinionin se i ka filluar negociatat për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në dhe pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme, si dhe se në periudhën e shkurtë të bisedimeve, mund të thuhet se të njejtat janë në fazë përfundimtare", ceket në kumtesën e partisë.

Shkup - Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftoi se deri tani nuk ka marrë notifikim përmes Sistemit evropian për raportimin e ushqimit të pasigurt dhe ushqimit të kafshëve (RASSF), se në tregun e Maqedonisë është plasuar sanduiç me proshutë 500 gramë me afat të përdorimit  31.05.2024, numri lot 1413100, për shkak të prezencës së përcaktuar të bakterit listeria monocitogenes, i cili sipas raportimeve të mediave po tërhiqet nga tregu në disa prej vendeve të rajonit. "Si institucion përgjegjës për sigurin e ushqimit, AUV-ja e ndjek gjendjen dhe nëse lind nevoja, në një kohë sa më të shkurtër, në interes të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, do të merren me kohë masat e nevojshme për tërheqjen e mundshme të produktit nga tregu", thonë nga AUV-ja.

Shkup - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të pestën herë me radhë, Drejtorët Politikë të pjesëmarrësve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL) zhvilluan një takim, në prani të përfaqësuesve të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe të Bashkimit Europian. Siç informojnë sot nga MPJ,  në fokus të takimit ishin përgatitjet për takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, i cili do të mbahet në Shkup më 13 qershor, dhe në këtë kontekst u punua në draft-tekstin e Deklaratës së Përbashkët, si akt final i kryesimit njëvjeçar.

Shkup - Në vend ka një përqindje të lartë të grave që nuk mund të lejojnë qasje në produkte menstruale. Në një hulumtim të zbatuar disa ditë më parë ku janë përfshirë 1.118 të anketuar, 34 për qind janë përgjigjur se nuk kanë qasje në produktet menstruale për shkak të çmimit të lartë, informuan sot shoqata "Gazetarët për të Drejtat e Njeriut" me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Ngritjen e Ndërgjegjësimit për Shëndet Menstrual. U prezantua një analizë krahasuese nga një hulumtim mbi shkallën e varfërisë menstruale në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri në kuadër të projektit "Menaxhimi me rrezik në sektorin e ujit, kanalizimeve dhe mikroplastikës në rajonin e Ballkanit", të mbështetur nga Ministria e Mjedisit Jetësor të Gjermani dhe në partneritet me WECF International.

Shkup - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, nesër në orën 12 në konferencën për mediat do të bëjë një pasqyrim të mandatit trevjeçar si kryetare e gjykatës më të lartë në vend. Kacarskës mandati i mbaron më 2 qershor, kur duhet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kushtetueses. Sipas Rregullores së Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjodhi kryetarin e Gjykatës nga radhët i gjyqtarëve me shumicë prej dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, me votim të fshehtë.

Shkup - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Dobrilla Kacarska sot realizoi takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler, me rastin e përfundimit të mandatit si dhe bashkëpunimit disavjeçar të suksesshëm. Në takim, siç njoftoi Gjykata Kushtetuese, u theksua kënaqësia e përbashkët nga projektet dhe aktivitetet e realizuara në Gjykatën Kushtetuese me mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë. Dreksler shprehu mirënjohje të sinqertë personale për Kacarskan për atë që është punuar dhe rezultuar nga bashkëpunimi gjatë mandatit trevjeçar dhe rezultatet e arritura në drejtim të përmirësimit të punës së Gjykatës.

Shkup - Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Nikollçe Babovski, sot në Paris u rizgjodh sekretar i përgjithshëm i përfaqësisë rajonale të Organizatës Botërore për Mbrojtje Shëndetësore të Kafshëve - WOAN për Evropë, me mandat prej tre vitesh. Sipas AUV-së, rizgjedhja e Babovskit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të WOAN për Evropën bëhet në kuadër të Asamblesë së përgjithshme të 91-të të delegatëve të kësaj organizate botëre me renome kushtuar mbrojtjes së shëndetit, mirëqenies së kafshëve dhe shërbimeve veterinare, e cila këtë vit shënon 100 vjet nga themelimi i saj dhe e cila përsëri njohu dhe shpërbleu përkushtimin e vendit, të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari dhe personalisht të drejtorit të AUV-së Babovski në krijimin dhe zbatimin e standardeve të lartë në politikën veterinare.

Kumanovë - Agjencia për Ushqim dhe Veterinari gjatë ditës së nesërme duhet të dorëzojë informata për sigurinë e ujit për Kumanovën, njoftuan sot nga Ndërmarrja Publike "Ujësjellës" dhe Qendra për Shëndet Publik Kumanovë. Nga aty thonë se deri atëherë uji duhet të përdoret për qëllime teknike dhe jo për pije. Institucionet presin që nesër ta kenë informacionin dhe ta bëjnë publike.

Prishtinë - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me deputtein e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, me të cilin bisedoi për zbatimin e marrëveshjeve për mobilitet në Procesin e Berlinit, përfshirë edhe lëvizjen me letërnjoftime mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në kumtesën e shërbimit qeveritar për informim thuhet se Kurti dhe Sarazin kanë biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe pritjet bga Samiti i ardhshëm që do të mbahet në Berlin me rastin e jubileut 10-vjeçar të Procesit të Berlinit.

Sarajevë - Lideri i Partisë boshnjake për aksion demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq sot u mor në pyetje në hapësirat e Agjencisë për hetime dhe mbrojtje (SIPA) në Sarajevë pas padisë penale kundër tij për nxitje të mosdurimit nacional, fetar dhe racor. Izetbegoviq pas seancës tha se në paraqitjet e tij nuk ka absolutisht diçka që mund të ndërlidhet me nxitje të urrejtjes nacionale dhe fetare,ndërkaq avokatja e tij shtoi se kanë kërkuar tekst integral nga i cili, siç theksoi, janë nxjerrë fjalitë për të cilat është parashtruar padia.

Kopenhagë - Parlamenti danez sot e hodhi poshtë propozim-ligjin për njohjen e shtetit palestinez, njoftuan mediat britanike. Irlanda, Spanja dhe Norvegjia sot zyrtarisht e njohën shtetit palestinez, prejse publikuan javën e kaluar se do ta bënin këtë, ndërsa Izraeli gjestin  e tyre e quajti "shpërblim për terrorizmin" dhe i tërhoqi ambasadorët e tij. Propozim-ligji danez u dorëzua në shkurt nga katër parti të Majta. "Nuk mund ta njohim pavarësinë e shtetit palestinez dhe arsyeja e vetme është që parakushtet për këtë me të vërtetë nuk ekzistojnë", tha ministri danez i Punëve të Jashtme Lars Loke Rasmusen gjatë debatit të parë për propozimin në parlament në prill.

Gaza - Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës sot kumtoi se të paktën 46 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit, dhe se numri i viktimave në territor gjatë më shumë se shtatë muajve të luftës ka arritur në 36,096, raportojnë mediat izraelite. Ministria, gjithashtu, theksoi se në spitalet e Gazës janë identifikuar rreth 24.000 nga këto viktima të theksuara. Në kumtesën e Ministrisë palestineze shtohet se nga fillimi i luftës ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar, në Gaza janë plagosur 81.136 persona.

 

Остани поврзан