• понеделник, 23 март 2026
MIA Flesh

12:00/ 3 mars/ 2026

Shkup- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se sipas të dhënave të fundit, që nga fillimi i konfliktit deri më sot, gjithsej 473 shtetas të Maqedonisë kanë kontaktuar përfaqësitë diplomatike-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dabi.  "Prej tyre, 19 persona u raportuan nga Izraeli, 106 nga Katari, ndërsa 348 qytetarë iu drejtuan PDK-së së Abu Dabit. Ky numër përfshin dhe 18 persona nga Kuvajti, si dhe 12 persona nga Bahreini, njoftoi MPJdheTJ. Në përputhje me informacionet e marra nga autoritetet kompetente, evakuimi nga toka nuk rekomandohet ende për qytetarët të cilët ndodhen në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Evakuimi do të fillojë në rastin e parë të sigurt, pas çka poshqyrtohen mundësitë për nxjerrjen e tyre të sigurt sapo të krijohen kushtet e përshtatshme.

Shkup - Prokuroria themelore publike Shkup i lëshon të gjitha urdhërat dhe udhëzimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit të djeshëm në Karposh, kur gjatë rënies nga një ndërtesë shumëkatëshe, humbën jetën një nënë dhe fëmija e saj. Një person është mbajtur në stacionin policor dhe me urdhër të prokurorit publik, po ndërmerren veprime për të hetuar përgjegjësinë e mundshme penale. Siç thuhet në kumtesën e prokurorisë, është marrë urdhër nga gjyqtari në procedurë paraprake dhe gjatë ditës do të kryhet bastisje e hollësishme e banesës, e cila është vulosur dhe siguruar menjëherë pas inspektimit. Sipas njohurive fillestare, në kohën e incidentit, e ndjera dhe vajza e mitur kanë qenë vetëm në banesë, të mbyllur nga ana e brendshme. 

Shkup - Tërmet me magnitudë prej tre ballë sipas Shkallës Evropiane Makroseizmike është ndjerë në Gostivar dhe rrethinë sot në mëngjes në orën 5:21. Epiqendra buron nga rajoni epiqendror Tetovë–Gostivar, rreth 45 kilometra në perëndim të Shkupit, me magnitudë lokale sipas Rihterit, ML 2.2, informon Opservatoriumi Sizmologjik në kuadër të Fakultetit Matematikor - Natyror në Shkup.

Tetovë - Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 2 mars 2026, së bashku me dekanen e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e pritën në takim sekretarin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) "Naim Frashëri" nga Kantoni i Aargaut, Zvicër, z. Rexhep Neziri i shoqëruar nga znj. Besarta Haskaj Balaj, zyrtare e lartë për mësim plotësues në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës. Në qendër të këtij takimi ishte bashkëpunimi institucional për zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë. Po ashtu u bisedua për hapat konkretë për organizimin e një konference shkencore me temë qendrore: “Kombi, identiteti i parë i shqiptarëve", rëndësia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar te brezat e rinj në diasporë.

Nikozi– Presidenti qipriot Nikos Hristodilidis sot në mëngjes ishte informuar nga presidenti francez Emanuel Makron se Franca do të dërgojë në Qipro sisteme kundër raketave, sisteme kundër dronëve, njoftoi agjencia qipriote e lajmeve CNA duke iu referuar burimeve të saj, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Sipas informacioneve të njëjta, ndihma franceze është pas kërkesës së parashtruar gjatë kohës së dy bisedave telefonike të hënën, ndërsa kërkesë për dërgesë të fregatës në Qipro, Hristodulidis ka dërguar edhe te kancelari gjerman Fridrih Merc, i cili u përgjigj pozitivisht dhe shumë shpejt pritet edhe vendim zyrtar nga Qeveria gjermane.  Ndihmë për Nikozi dërgon edhe Athina, siç dje njoftoi ministri i mbrojtjes kombëtare të Greqisë, Nikos Dendias, ndërsa katër aeroplanë ushtarakë F-16 tashmë janë në Qipro, përderisa dy fregata lundrojnë drejt ishullit. 

Londër – Çmimet e naftës edhe më tutje u rritën pas intensifikimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pasi Irani mori hapa për bllokimin e rutës detare jetike për tankerë me naftë të papërpunuar.  Nafta brent sot u rrit për më shumë se tre për qind, duke arritur nivelin më të lartë në vitin e fundit prej 80 dollarë për barel, pasi në një moment të hënën u rrit madje për 13 për qind, duke tejkaluar 82 dollarë për barel, para se të tërhiqet pak. Një përfaqësues zyrtar iranian gjoja i ka paralajmëruar tankerët në Ngushticën e Hormuzit se asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë, si pjesë e përgjigjes për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj vendit. Ngushticën e Hormuzit e shfrytëzojnë tankerë të cilët transportojnë rreth një të pestën e rezervave botërore të naftës dhe gazit detar. 

Kiev - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se përshkallëzimi i konfliktit në Iran mund ta vështirësojë furnizimin e Ukrainës me raketa për mbrojtje ajrore, pasi SHBA-së dhe aleatëve të tyre mund t’u nevojiten ato rezerva në Lindjen e Mesme. Në një intervistë për gazetën italiane "Koriere dela Sera", Zelenski vlerësoi se sulmi ndaj objektivave ushtarake iraniane ishte një vendim i mirë, duke theksuar se Irani prodhon sasi të konsiderueshme armësh për Rusinë, veçanërisht dronë dhe raketa. "Mund të përballemi me vështirësi në sigurimin e raketave dhe sistemeve për mbrojtjen e qiellit tonë. Amerikanët dhe aleatët e tyre mund t’i mbajnë ato për nevojat e tyre", tha Zelenski, duke rikujtuar se dërgesat për Ukrainën ishin ngadalësuar gjatë tensioneve të mëparshme në Lindjen e Mesme.

Budapest – Kryeministri hungarez Viktor Orban sot përsëriti se bllokada e naftëpërçuesit “Druzhba” nga ana e Ukrainës është shantazh i presidentit të vendit, Volodomir Zelenski, i drejtuar drejt asaj që t’i ndihmojë partisë opozitare hungareze “Tisa” të vijë në pushtet.  Ai e shkroi këtë në profilin e tij në Fejsbuk me publikimin e deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të kompanisë kombëtare energjetike MOL, Zholt Hernadi, i cili tha se vetë naftëpërçuesi “Druzhba” nuk është dëmtuar.  “Hungaria nuk do të mbetet pasive. Do ta thyejmë bllokadën e naftës dhe do ta mbrojmë furnizimin e Hungarisë me karburante shkroi Orbani. 

Bruksel-  Numri i azil-kërkuesve në Bashkimin Evropian, si dhe në Norvegji dhe Zvicër, vitin e kaluar përsëri ka rënë ndjeshëm, tregojnë të dhënat e publikuara sot. Gjithsej, rreth 822,000 kërkesa janë regjistruar në 27 vende anëtare të BE-së dhe dy vendet partnere, që përbën një rënie prej 19 për qind krahasuar me vitin 2024, sipas raportit të Agjencisë së BE-së për Azil me seli në Maltë. Rënia e madhe është kryesisht e nxitur nga ulja e kërkesave nga Siria. Rreth 42,000 sirianë kanë paraqitur kërkesë për azil në vitin 2025, krahasuar me 151,000 në vitin 2024. Kërkesat gjithashtu janë ulur edhe nga Bangladeshi, ku janë regjistruar 37,000 kërkesa, dhe nga Turqia me 33,000 kërkesa.

Londër – Vrasja e liderit suprem të Iranit, ajatollah Ali Hamnei pjesërisht është mundësuar nga një seri sulmesh kibernetike afatgjate, transmeton gazeta britanike "The Financial Times", duke u thirrur në disa burime anonime të inteligjencës izraelite. Gazeta pohon se Izraeli vite me radhë ka arrit të hakojë sistemin e kamerave të mbikëqyrjes së trafikut të Iranit. Imazhet të cilat u transmetuan drejtpërdrejtë te spiunët izraelitë ju mundësuan të konfirmonin kohën e një takimi midis liderit suprem iranian dhe disa prej këshilltarëve të tij të ngushtë. Ky takim ishte caku i sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane më 28 shkurt.

Nju-Jork - Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Tramp, dje u bë gruaja e parë e një lideri botëror e cila udhëheq një takim të Këshillit të Sigurimit të KB-së në Nju-Jork, njoftoi DPA.  Shtëpia e Bardhë kumtoi se takimi i organit më të fuqishëm të KB-së u përqendrua te fëmijët, teknologjia dhe arsimi në situata konflikti. SHBA-ja nga dje morën përsipër presidencën njëmujore me rotacion të organit më të rëndësishëm të KB-së, e cila përfshin kryesimin e takimeve. Ambasadorët e KB-së ose përfaqësuesit e qeverisë zakonisht drejtojnë takimet e organit me 15 anëtarë.

Uashington- Departamenti amerikan i Shtetit kumtoi se u ka urdhëruar zyrtarëve qeveritarë, të cilët nuk kanë obligime në situata të jashtëzakonshme, të largohen nga Bahreini, Iraku, Katari, Jordania dhe Kuvajti së bashku me familjet e tyre. Urdhëri është marrë për shkaqe sigurie, duke marrë parasysh eskalimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili filloi me opercionin e përbashkët izraelito-amerikan kundër Iranit më 28 shkurt. Në të njëjtën kohë, Ambasada e SHBA-së në Kuvajt kumtoi se do të mbyllet deri në njoftimin e radhës. Ambasada amerikane në Jerusalem, megjithatë, informoi se "kësaj radhe nuk është në pozitë të evakuojë ose drejtpërdrejtë t'u ndihmojë qytetarëve amerikanë për ta braktisur Izraelin".

Uashington - I dërguari special i SHBA-së, Stiv Uitkof, deklaroi se negociatorët kryesorë iranianë u mburrën më parë këtë vit se kontrollonin 460 kilogramë uranium të pasuruar prej 60 për qind, që do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar 11 bomba bërthamore. Në një intervistë për "Foks njuz", Uitkof tha se zyrtarët iranianë janë "krenarë" që shmangën mbikëqyrjen dhe pretenduan se kanë një "të drejtë të patjetërsueshme" për të pasuruar karburant bërthamor. Megjithatë, SHBA pretendon se kanë shkatërruar objektet bërthamore të Iranit, gjë që duhet ta parandalojë Iranin ta shndërrojë uraniumin në armë.

Uashington - Ish-drejtori i CIA-s, Xhon Brenan, deklaroi se sulmet ushtarake të presidentit, Donald Tramp ndaj Iranit ishin një "gabim drastikisht i keq". Në emisionin "The Weeknight" Brenan i krahasoi sulmet me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003, i cili sipas tij shkaktoi dekada kaosi.  "Mendoj se kjo është hera e dytë në këtë shekull që SHBA-ja ka bërë gabim katastrofik duke u përfshirë në një konflikt në Lindjen e Mesme. Hera e parë ishte në vitin 2003 kur pushtuam Irakun, gjë që shkaktoi vite e vite kaosi, dhunë dhe terrorizmëm", tha Brenan.

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp në platformën e tij Truth Social shkroi se rezervat amerikane të municionit janë në maksimumin historik që analistët e interpretojnë si porosi të qartë drejt Teheranit dhe publikut botëror për fuqinë ushtarake të SHBA-së.  Trampi thotë se SHBA-ja është e gatshme për operacione afatgjate nëse kjo është e nevojshme.  “Ne kemi rezerva praktikisht të pakufizuara të municioneve me rreze të mesme dhe të lartë. Luftërat mund të zhvillohen 'përgjithmonë' dhe me shumë sukses duke përdorur vetëm këto burime", porositi Trampi, duke shtuar se armët amerikane janë superiore ndaj atyre të çdo vendi tjetër.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot në Shtëpinë e Bardhë do të takohet me kancelarin gjerman Fridrih Merc, me të cilin, mes tjerash, do të bsiedojë për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, kërcënimet e reja të Trampit me tarifa dhe vizitën e paradokohshme të kancelarit gjerman në Kinë. Merc udhëtoi nga Berlini për në Uashington në kohë kur Gjermania dhe Franca paralajmëruan plane për thellimin e bashkëpunimit në sferën e përgjigjes bërthamore, që është edhe një hap të fqinjëve evropianë për t'u aftësuar në ndryshimet në marrëdhëniet transatlantike në kushte të kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia dhe druarjes nga jostabiliteti të lidhur me konfliktin iranian.

Teheran - Videot satelitore nga Vantor të bëra gjatë 48 orëve të fundit tregojnë dëme të konsiderueshme në impiantin bërthamor të Natanzit, qendrën më të madhe të pasurimit të uraniumit në Iran dhe një nga lokacionet ushtarake më të ndjeshme të vendit, tregoi analiza e fotografive nga Si-En-En.  Siç tregohet në video, u godit një depo e madhe dhe dy ndërtesa më të vogla dykatëshe tëcilat shërbenin si pikë qasjeje për punëtorët dhe automjetet për qasje në objektet nëntokësore.  Këto prova vizuale janë në kundërshtim me pretendimet e shefit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), Rafael Grosi, i cili më parë deklaroi se nuk kishte "asnjë indikacion" për dëmtime në objektet bërthamore të Iranit, thekson Si-En-En. 

Teheran - Të paktën 787 persona janë vrarë në sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit, kumtoi sot Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane, transmetoi DPA.  Organizata humanitare në Telegram publikoi se sulme u regjistruan në 153 qytete në të gjithë vendin. Në të gjithë vendin janë vendosur më shumë se 3.600 persona të ndihmës së shpejtë, kumtoi Gjysmëhëna e Kuqe, duke shtuar se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në shumë vende, transmetoi agjencia gjermane. Organizata për të drejtat e njeriut "Hengau" me seli në Norvegji dje publikoi një numër dukshëm më të lartë të vdekjeve sesa të shtunën, duke raportuar më shumë se 1.500 viktima.

Остани поврзан