• понеделник, 10 февруари 2025

Mediat e huaja raportojnë për zgjedhjet në Kosovë, vënë theksin te dialogu me Serbinë

Mediat e huaja raportojnë për zgjedhjet në Kosovë, vënë theksin te dialogu me Serbinë

Prishtinë, 9 shkurt 2025 (MIA)- Mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar të dielën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Kosova voton për parlamentin e ri, teksa ndihma e huaj po pakësohet dhe bisedimet me Serbinë kanë ngecur”, është titulli që mban artikulli i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Sipas agjencisë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë kanë ngecur dhe ndihma e huaj është vënë në pikëpyetje.  

AP-ja raporton edhe për zotimet që kanë dhënë partitë kryesore në këto zgjedhje.

Agjencia tjetër e lajmeve “Reuters” shkruan se “Kosova mban zgjedhjet e turbullt nga tensionet me Serbinë”.

Reuters shkruan po ashtu se fushata zgjedhore ka qenë e ashpër dhe se janë shqiptuar më shumë se 650,000 euro gjoba për partitë këtë fushatë, trefishi i  vlerës së shqiptuar në vitin 2021, transmeton Koha.net. 

“The Guardian” ka folur për ndikimin që kthimi i Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë mund ta ketë për Kosovën. 

“Kosova po voton teksa hija e Trampit shkakton brenga”, shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”, duke sqaruar se frika e ndarjes, që ishte ngritur gjatë administratës së parë të Trampit, është rikthyer.

“The Guardian” shkruan më tej se Kosova shkon në zgjedhje të cilat mund të shënojnë një udhëkryq në historinë e vendit të ri dhe madje të përcaktojë integritetin e ardhshëm territorial në një botë gjithnjë e më armiqësore.

Edhe media franceze, “France24” shkruan se Kosova voton në zgjedhjet parlamentare “të mjegulluara nga tensionet me Serbinë”. 

Sipas mediumit, këto zgjedhje mund të përcaktojnë se kush do të udhëheqë palën kosovare në negociatat me Serbinë, të cilat ngecën vitin e kaluar. 

 

Остани поврзан