Mecola: Zgjerimi i BE-së nuk është më ambicie fisnike, por domosdoshmëri gjeopolitike
- Në kushte të rritjes së ndërhyrjes ruse dhe përpjekjeve për ndikim në Moldavi, Gjeorgji dhe Ballkanin Perëndimor, zgjerimi i BE-së mbetet sfida direkte për sigurimin kolektiv evropian, theksoi sot kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola në fjalimin e Konferencës vjetore të ambasadorëve të Bashkimit Evropian të titulluar "Politika e jashtme e BE-së që jep", që mbahet në Bruksel.

Bruksel, 4 shkurt 2025 (MIA) - Në kushte të rritjes së ndërhyrjes ruse dhe përpjekjeve për ndikim në Moldavi, Gjeorgji dhe Ballkanin Perëndimor, zgjerimi i BE-së mbetet sfida direkte për sigurimin kolektiv evropian, theksoi sot kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola në fjalimin e Konferencës vjetore të ambasadorëve të Bashkimit Evropian të titulluar "Politika e jashtme e BE-së që jep", që mbahet në Bruksel.
"Të mos gënjehemi, zgjerimi nuk është më vetëm një ambicie fisnike, tani besoj me vendosmëri, është një domosdoshmëri gjeopolitike. Megjithatë, për fat të keq në dekadën e fundit kemi humbur më shumë anëtarë se sa kemi fituar", ka thënë Mecola.
Sipas saj, BE-ja nuk duhet të vazhdojë të zvarrisë procesin e zgjerimit dhe ta zhvendosë diskutimin për të nga një samit në tjetrin, duke miratuar konkluza që ndonjëherë kanë 27 apo edhe 27 plus 3 interpretime të ndryshme.
"Nëse vazhdojmë ta bëjmë të gjithë këtë, atëherë do të dalin të tjerë për të plotësuar boshllëkun”, ka thënë Mecola.
Duke folur për marrëdhëniet e BE-së me SHBA-në, Mecola theksoi se askush nuk përfiton nga luftërat tregtare, ndaj prioriteti i parë i Unionit duhet të jetë shmangia e tyre, por në të njëjtën kohë ai është i gatshëm t'i përgjigjet çdo sfide dhe do të flasë nga pozicioni i forcës.
"Individualisht jemi lojtarë të vegjël, por së bashku jemi një forcë për t'u llogaritur. Ndërsa ne nuk e themi aq sa duhet", tha Mecola.
Ajo vuri në dukje se SHBA është një nga aleatët më të vjetër dhe më të fortë të Evropës dhe shkëmbimi tregtar prej 1.5 trilion eurosh mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm për të vendosur tarifa reciproke që do të dëmtonin kompanitë dhe njerëzit në të dy anët e Atlantikut.
Sipas saj, sot jetojmë në një kohë ku zëri më i lartë tërheq vëmendjen më të madhe, ku dhuna mbyt dialogun, ku spektakli mposht thelbin, ku izolacionizmi preferohet mbi multilateralizmin.
"Në këtë botë të intolerancës, kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme puna e gjatë e vështirë e dialogut, demokracisë dhe diplomacisë. Për këtë, ju ambasadorët, ekipet dhe delegacionet tuaja, jeni të nevojshëm. Ju jeni fytyra dhe zëri i Evropës. Ju mbroni vlerat tona, luftoni kundër narrativeve të rreme, siguroheni që kur flet Evropa, të dëgjohemi, respektohemi dhe të na besoni", theksoi Mecola. qa/
Foto: skrinshot