Mbi 19 mijë fletëvotime të pavlefshme në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, për Qytetin e Shkupit çdo fletëvotim i gjashtëmbëdhjetë i pavlefshëm
- Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2 nëntor në 33 komuna, janë evidentuar gjithsej 19.287 fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet për kryetar komunash që paraqet rreth 5.6 për qind të të gjitha fletëvotimeve të përdorura.
Shkup, 3 nëntor 2025 (MIA) – Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2 nëntor në 33 komuna, janë evidentuar gjithsej 19.287 fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet për kryetar komunash që paraqet rreth 5.6 për qind të të gjitha fletëvotimeve të përdorura.
Sipas të dhënave, nga gjithsej 345.525 votues që dolën në votime, 19.287 fletëvotime u regjistruan si të pavlefshme.
Në Qytetin e Shkupit, nga 167.575 votues, 10.528 fletëvotime janë të pavlefshme që paraqet 6.3 për qind të numrit të përgjithshëm. Kjo do të thotë se pothuajse çdo fletëvotim i gjashtëmbëdhjetë në Shkup ishte i pavlefshëm.
Dalja në Shkup në raundin e dytë është 35.33 për qind, ndërsa në nivel kombëtar është 47.16 për qind.
Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune të mbajtura më 19 tetor nga 885.085 votues, 53.724 fletëvotime kanë qenë pavlefshme që është rreth 6.1 për qind. Pjesëmarrja në këtë raund është 48.30 për qind.
Për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Qytetit të Shkupit në raundin e parë nga 232.581 votues janë regjistruar 12.359 fletëvotime të pavlefshme, ndërsa pjesëmarrja ka qenë 49.04 për qind.
Foto: arkivi i MIA-s