• сабота, 22 февруари 2025

Makroni dhe Zelenski: Garancitë e fuqishme të sigurisë janë çelës për paqe të përhershme në Ukrainë

Makroni dhe Zelenski: Garancitë e fuqishme të sigurisë janë çelës për paqe të përhershme në Ukrainë

Paris, 18 shkurt 2025 (MIA) – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski njoftoi se ka biseduar në telefon me homologun e tij francez Emanuel Makron për garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe për arritjen e paqes së përhershme. 

“Ndajmë vizion të përbashkët – garancitë e sigurisë duhet të jenë të fuqishme dhe të besueshme”, shkroi Zelenski në rrjetin Iks (ish Tuiter). “Çdo zgjidhje tjetër pa garanci të tilla – si për shembull armëpushim i brishtë – do të jetë vetëm një manovër taktike e Rusisë për tërheqjen e vëmendjes dhe hyrje në luftën e re ruse kundër Ukrainës ose vendeve të tjera evropiane”. 

Sipas Zelenskit, Makroni e ka informuar për bisedimet të cilat i ka zhvilluar jo vetëm me liderët evropianë, por edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë. 

“U morëm vesh të mbetemi në kontakt të vazhdueshëm në prag të vendimeve të rëndësishme që vijojnë. Arritja e paqes së qëndrueshme dhe të përhershme është domosdoshmëri”, ndërsa kjo mund të realizohet vetëm me garanci të fuqishme të sigurisë”, theksoi presidenti ukrainas. 

Presidenti francez, gjithashtu, përmes Iks informoi për bisedën me Zelenskin. Dy liderët konfirmuan se komunikimi në telefon është mbajtur pas takimit të djeshëm të liderëve evropianë në Paris, në të cilin ishte biseduar për çështje nga agjenda evropiane dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe garancitë e sigurisë për Kievin. 

Makroni gjithashtu sqaroi se mbrëmë, përveç me Zelenskin, ka pasur edhe bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Donald Tramp. 

“Puna do të vazhdojë në bazë të propozimeve të Komisionit Evropian, si në raport me mbështetjen për Ukrainën, ashtu edhe në drejtim të investimeve në mbrojtjen tonë”, deklaroi presidenti francez, duke shtuar se këto diskutime do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. 

Në takimin e djeshëm në Paris, liderët evropianë u pajtuan se Evropa duhet të investojë më shumë në sigurinë e saj dhe të luaj rol udhëheqës në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Megjithatë, siç theksuan pas konsultimeve të jashtëzakonshme në kryeqytetin francez, bashkëpunimi me Uashingtonin mbetet kyç për arritjen e paqes në Ukrainë. 

Si takimet e djeshme, ashtu edhe bisedimet telefonike mes liderëve, u mbajtën në prag të bisedimeve të sotme ruse-amerikane për Ukrainën në kryeqytetin saudit Riad. fc/

Fotografia: Arkivi

Остани поврзан