LSDM-ja propozon një sërë masash për çmimet e ushqimeve, kufizimi i marzheve sipas tyre është masë e vonuar
- Janë të vonuara masat për kufizimin e marzheve dhe të paralajmëruara para kohe, gjë që lë hapësirë që shitësit të adaptohen, vlerësoi sot lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, duke paralajmëruar shtatë propozim masa.

Shkup, 13 shkurt 2025 (MIA) - Janë të vonuara masat për kufizimin e marzheve dhe të paralajmëruara para kohe, gjë që lë hapësirë që shitësit të adaptohen, vlerësoi sot lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, duke paralajmëruar shtatë propozim masa.
Kufizimi i marzheve si masë e vetme, sipas Filipçes, nuk do të japë efekt.
“Propozojmë uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5 për qind, uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë për tre muajt e ardhshëm, rregullimin e marzheve për produktet ushqimore bazë, zbatimin e menjëhershëm të Ligjit për praktikat e padrejta tregtare, uljen e çmimit të kartonit të gjelbër për vetura dhe rritjen e pagave në sektorin privat me ngrirjen e kontributeve”, ka thënë Filipçe.
E gjithë kjo, siç theksoi ai, do të lehtësojë jetesën dhe do të ulë presionin ndaj qytetarëve.
"Jemi dëshmitarë të një përkeqësimi të ndjeshëm të gjendjes ekonomike dhe standardit të jetesës së qytetarëve. Praktikisht nuk ka asgjë që nuk është shtrenjtuar dhe po shohim se Qeveria nuk po bën asgjë, as nuk ka plan dhe strategji”, ka thënë Filipçe.
Qeveria sot pritet të mbajë mbledhje urgjente për të shqyrtuar Propozim- vendimin e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë për kufizimin e marzheve. Vendimi është marrë në bazë të raportit të Inspektoratit shtetëror të tregut i cili tregoi se te shitësit me pakicë ka pasur mbi 20 për qind të marzhës për produktet ushqimore bazë dhe mbi 30 për qind të marzhës për produktet e higjienës personale, ndërsa te importuesit dhe distributorët janë evidentuar marzhe më të larta që shkojnë madje deri në 50 për qind.
Foto: MIA