Lavrov pretendon se ukrainasit sulmuan rezidencën e Putinit, Zelensky mohon
- Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov deklaroi se Ukraina kreu sulm me dron mbi rezidencën shtetërore të Presidentit rus Vladimir Putin në rajonin Novgorod gjatë natës, njoftuan mediat ruse.
Moskë, 29 dhjetor 2025 (MIA) - Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov deklaroi se Ukraina kreu sulm me dron mbi rezidencën shtetërore të Presidentit rus Vladimir Putin në rajonin Novgorod gjatë natës, njoftuan mediat ruse.
Lavrov deklaroi se Ukraina sulmoi rezidencën shtetërore me 91 dronë. Të gjithë dronët u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, shtoi ai.
Lavrov theksoi se Rusia do të rishikojë pozicionin e saj negociues për të marrë në konsideratë, siç e tha ai, "kalimin përfundimtar të regjimit të Kievit në një politikë terrorizmi shtetëror".
Ministri rus i Punëve të Jashtme, deklaroi se qëllimet dhe koha e hakmarrjes së Rusisë janë përcaktuar tashmë, por theksoi se Moska nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pjesëmarrja e saj në procesin e negociatave që lidhet me planin e paqes.
Lavrov konfirmoi gjithashtu se aktualisht nuk ka informacione për viktima ose dëme materiale të shkaktuara nga sulmi i dyshuar në rezidencën e Putinit.
Ende nuk është e qartë nëse Putini ishte në rezidencë në atë moment.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se akuza ishte një gënjeshtër, duke shtuar se Moska po përgatiste terrenin për një sulm ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev.
Sipas tij, negociatat e suksesshme të djeshme me Presidentin amerikan, Donald Tramp janë dështim për rusët. Ai tha se priste një retorikë të tillë nga rusët.
“E shihni, ata vazhdojnë. Tani, me deklaratën e tyre se disa nga rezidencat e tyre u sulmuan, ata thjesht po përgatisin terrenin për sulme në kryeqytet dhe, ndoshta, në ndërtesat e institucioneve shtetërore”, tha Zelenski.
Ai kujtoi se në shtator kishte pasur tashmë sulm ndaj ndërtesës së Këshillit të Ministrave të Ukrainës. "Prandaj, tani të gjithë duhet të jenë vigjilentë, absolutisht të gjithë", theksoi presidenti ukrainas. ls/
Foto: EPA