• среда, 15 април 2026

Kurtulmush: Jemi dëshmitarë të shpërbërjes së rendit ndërkombëtar

Kurtulmush: Jemi dëshmitarë të shpërbërjes së rendit ndërkombëtar

Zagreb, 25 mars 2026 (MIA) - Konfliktet globale të viteve të fundit paraqesin një shembje të rendit ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, deklaroi sot kryetari i Parlamentit turk Numan Kurtulmush në samitin parlamentar të Iniciativës së Tre Deteve (3SI), i cili po mbahet në Zagreb.

"Tani është plotësisht e qartë se katastrofa humanitare në Sudan, lufta katërvjeçare në Ukrainë, gjenocidi në Gazë dhe lufta e imponuar nga Izraeli dhe SHBA-ja ndaj Iranit përfaqësojnë jo vetëm një krizë, por edhe një shkatërrim të thellë të rendit ndërkombëtar të vendosur pas vitit 1945", tha Kurtulmush.

Ai theksoi se lufta e Rusisë në Ukrainë përbën një kërcënim të madh për rajonin e Detit të Zi dhe se Turqia ka shprehur mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë, që nga fillimi i luftës.

Ai bëri thirrje për dënimin e "krimeve të kryera kundër popullit palestinez", promovimin e krijimit të një shteti të pavarur palestinez dhe përfundimin e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila, sipas tij, po shkakton dëme të mëdha për popullsinë civile dhe infrastrukturën në Iran dhe vendet e Gjirit Persik, si dhe po prish trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit.

Kurtulmus shtoi se takimi në Zagreb është veçanërisht i rëndësishëm për Turqinë, e cila po merr pjesë në të për herë të parë si partnere strategjike dhe për të cilën lidhshmëria është një përparësi kyçe, si dhe për vendin me vijën bregdetare më të gjatë në Detin e Zi, i cili është i përkushtuar të thellojë lidhjet e tij me Iniciativën, publikoi Hina. ls/

Foto:Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан