• вторник, 07 април 2026

KSHPK e shënoi fillimin e fushatës për ngritjen e ndërgjegjësimit publik për lobim si një element i rëndësishëm i shoqërisë demokratike

KSHPK e shënoi fillimin e fushatës për ngritjen e ndërgjegjësimit publik për lobim si një element i rëndësishëm i shoqërisë demokratike

Shkup, 7 prill 2026 (MIA) - Katër tryeza të rrumbullakëta me grupe të ndryshme qëllimore do të mbahen në periudhën e ardhshme në kuadër të fushatës "Lobim në Maqedoninë e Veriut", që e zbaton Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korruspionit në bashkëpunim me projektin IPA 2020 "Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit", informon sot në konferencën për shtyp kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul, duke e shënuar fillimin zyrtar të fushatës.

Çuçul theksoi se ngjarja e sotme është pjesë e fushatës më të gjerë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për lobimin si një element i rëndësishëm i proceseve demokratike, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.

Grupet e synuara janë pushteti qendror, vetëqeverisja lokale, komuniteti i biznesit, mediat dhe organizatat civile, ndërsa tryezat e rrumbullakëta do të mbahen më 16, 20, 28 prill dhe 5 maj.

"Secili prej këtyre faktorëve ka rolin e vet në ndërtimin e një mjedisi në të cilin ndikimi në politikat e zhvillimit do të jetë i dukshëm, i përgjegjshëm dhe i bazuar në rregulla. Lobimi, kur kryhet qartë, i përgjegjshëm dhe në përputhje me rregullat ligjore, nuk duhet të shihet si problem. Përkundrazi, ai përfaqëson një mekanizëm legjitim përmes të cilit faktorë të ndryshëm shoqërorë, institucione, komuniteti i biznesit, organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara mund të paraqesin pikëpamjet, interesat dhe propozimet e tyre në procesin e krijimit të politikave dhe vendimmarrjes", theksoi Çuçul.

Kryetari i KSHPK-së theksoi se tema e lobimit nuk është një çështje e izoluar, por është e lidhur ngushtë me transparencën në vendimmarrje, parandalimin e konflikteve të interesit, sjelljen etike, llogaridhënien e institucioneve dhe konceptin më të gjerë të integritetit politik dhe institucional.

"Qëllimi ynë është të hapim një diskutim thelbësor se si të rrisim praktikisht kulturën e transparencës në komunikimin midis vendimmarrësve dhe palëve të interesuara, pa hapësirë ​​për ndikime joformale dhe procese të mbyllura. Jam veçanërisht i kënaqur që në këtë proces kemi mundësinë të dëgjojmë përvoja praktike nga eksperti nga Sllovenia, gjë që do të na lejojë të mësojmë rreth praktikave pozitive në Bashkimin Evropian në lidhje me lobimin", tha Çuçul.

Kryetari i KSHPK-së theksoi se zbatimi i fushatës përkon me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Lobimin, të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, që synojnë sqarimin dhe harmonizimin e mëtejshëm të tij me rregulloret e BE-së.

Diskutimet, të cilat dalin nga katër punëtoritë do të jenë mundësi për ofrimin e propozimeve dhe ideve në drejtim të ndryshimeve të Ligjit, të cilat do të adresohen në grupin e punës të formuar nga Ministria e Drejtësisë.

Çuçul theksoi se për momentin në vend janë tre organizata për lobim dhe asnjë lobist si person fizik.

Për qëllimet e fushatës është përgatitur një video promovuese, e cila në periudhën e ardhshme do të emitohet në mediat sociale, në ueb faqen e KSHPK-së dhe në RTM. sa/

Foto: MIA 

Остани поврзан