Sali: Ligji për përfaqësim të drejtë mban vulën e Komisionit të Venecias
- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në konferencën e sotme për media me rastin e kalimit në qeveri të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat tha se ajo mban vulën e Komisionit të Venecias.
Shkup, 7 prill 2026 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në konferencën e sotme për media me rastin e kalimit në qeveri të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat tha se ajo mban vulën e Komisionit të Venecias.
“Po vendoset një qasje më e qartë, e kontrollueshme dhe më serioze. I njëjti është përpunuar dhe harmonizuar pas mendimit pozitiv dhe rekomandimeve të të njëjtit Komision. Kjo do të thotë se sot nuk kemi një tekst të sjellë me ngut, por një zgjidhje që ka kaluar filtër serioz juridik institucional. Ka një qëllim të vetëm- administrata të jetë shërbim i vërtetë për të gjithë qytetarët, e ndërtuar mbi dije, profesionalizëm dhe integritet”, tha Sali.
Ai shtoi se me këtë ligj vendoset balancë dhe njëherësh hidhen themelet e një administrate profesionale, moderne dhe të fortë multietnike.
Pas miratimit të sotëm, Ligji do të procedohet në Kuvend, ndërsa zëvendëskryeministri Sali pret debat serioz, me argumente dhe me përgjegjësi.
“Sepse bëhet fjalë për një çështje që i duhet shtetit dhe që është dashur të ketë zgjidhje shumë më herët. Me këtë ligj krijojmë bazë që institucionet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, me drejtësi, seriozitet dhe barazi”, ka thënë ai.