• петок, 05 декември 2025

Kryesia qendrore e BDI-së vendosi të mbahet kongres partiak deri në dhjetor, nuk u bisedua për dorëheqje

Kryesia qendrore e BDI-së vendosi të mbahet kongres partiak deri në dhjetor, nuk u bisedua për dorëheqje

Tetovë, 3 nëntor 2025 (MIA) - Mbajtja e kongresit partiak deri më 20 dhjetor është një nga vendimet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili sot mbajti seancë të Kryesisë qendrore të konvokuar nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti në selinë e partisë në Reçicë të Vogël.

"Diskutuam për të gjitha zhvillimet, zhvillimet politike dhe zhvillimet e brendshme në BDI, koalicion, etj. Duke marrë parasysh se afati për kongres të partisë ka skaduar, duke u përballur me këto zhvillime politike në vend, është vendosur që të organizohet kongres i partisë deri më 20 dhjetor", tha nënkryetari dhe zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi në deklaratë për mediat.

Në pyetje të gazetarëve nëse u diskutuan dorëheqjet pas rezultateve në zgjedhje, Ademi informoi se nuk ka pasur diskutim për këtë çështje, duke marrë parasysh se do të ketë zgjedhje të brendshme partiake.

"Dje në konferencën për shtyp, kryetari Ahmeti tha se e morëm mesazhin. Në nivel kombëtar, megjithatë, ne mbetemi opsioni më i madh politik me mbi 23.000 vota më shumë. Për disa komuna, po, ky është rezultat që tashmë e kemi, i cili dje u kumtua para opinionit. Dhe sigurisht, BDI po hyn në një proces ripërtëritjeje dhe për këtë arsye po organizohet edhe një kongres partie, i cili duhet të mbahet deri më 20 dhjetor", u përgjigj Ademi.

Ai gjithashtu njoftoi se në seancë është marrë vendim për formimin e komitetit organizativ për kongresin, ku do të jenë tetë anëtarë të partisë. bsh/

Foto: Skrinshot nga video

Остани поврзан