• петок, 20 февруари 2026

Kryeministri i Grenlandës bëri thirrje për prani më të fuqishme ushtarake për shkak të Rusisë

Kryeministri i Grenlandës bëri thirrje për prani më të fuqishme ushtarake për shkak të Rusisë

Paris, 28 janar 2026 (MIA) – Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nilsen, deklaroi sot se ekzistojnë “linja të kuqe” që nuk duhet të kalohen në bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht pranoi se është e nevojshme të bëhet më shumë për forcimin e sigurisë në rajon për shkak të sjelljes gjithnjë e më agresive të Rusisë.

Nilsen dhe kryeministrja daneze, Mete Frederiksen, qëndruan në Paris për një takim me presidentin francez Emanuel Makron, me qëllim të forcojnë mbështetjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Tramp, i cili shprehu dëshirën për të marrë kontrollin mbi këtë ishull arktik, që për shekuj është territor danez.

Pritet të zhvillohen bisedime midis Grenlandës, Danimarkës dhe SHBA-së për tejkalimin e krizës, por Nilsen theksoi se Grenlanda ka kufij të caktuar që nuk mund të tejkalohen, megjithëse shprehu shpresën se do të arrihet një marrëveshje. Ai nuk dha detaje të tjera.

"Jemi nën presion, nën presion serioz. Po përpiqemi t’i kundërvihemi dhe të përballojmë frikën e njerëzve tanë, tha Nilsen në një tribunë publike së bashku me Frederiksen në Universitetin Sciences Po, duke shtuar se “duhet të vendoset më shumë mbikëqyrje dhe siguri në rajonin tonë për shkak të mënyrës se si po sillet Rusia.”

Kërkesa e SHBA-së për kontroll mbi Grenlandën tronditi marrëdhëniet transatlantike dhe përshpejtoi përpjekjet evropiane për të ulur varësinë nga SHBA, edhe pse Trampi javën e kaluar tërhoqi kërcënimet me tarifa dhe përjashtoi mundësinë e marrjes me forcë të Grenlandës.

Frederiksen deklaroi se kriza tregoi që shumica e evropianëve janë në të njëjtën anë dhe se ata kanë arritur të bashkohen në kundërshtimin e kërkesave të Trampi, veçanërisht ndaj kërcënimeve për tarifa shtesë ndaj vendeve evropiane.

Duke theksuar se rendi botëror ka ndryshuar përfundimisht dhe duke shprehur shqetësim për veprimet e ardhshme të Uashingtonit, ajo nënvizoi se është kyç që Evropa të bëhet më e fortë, por njëkohësisht bëri thirrje për unitet transatlantik, duke pasur parasysh se Rusia, sipas saj, nuk dëshiron paqe.

“Nëse i lejojmë Rusisë të fitojë në Ukrainë, ajo do të vazhdojë më tej,” tha Frederiksen. “Rruga më e mirë për SHBA dhe Evropën është të qëndrojnë bashkë.”

Mosmarrëveshja diplomatike midis Danimarkës dhe SHBA-së, dy anëtare themeluese të NATO-s, javët e fundit shihej si një kërcënim potencial për të ardhmen e Aleancës, edhe pse konflikti që atëherë është zhvendosur në fushën diplomatike.

Gjysma e sipërfaqes tokësore të Arktikut është nën territor rus. Që nga viti 2005, Moska sërish ka hapur dhe modernizuar dhjetëra baza ushtarake nga epoka sovjetike, si në tokën arktike ashtu edhe në ishujt përgjatë bregut verior.

Rusia ka vlerësuar diskutimet mbi kërcënimet e supozuara nga Moska dhe Pekini ndaj Grenlandës si një mit që shërben për të nxitur histeri. ls/

Foto: Arkiv 

 

Остани поврзан