Irani nuk kërkon luftë, por premton përgjigje ndaj çdo sulmi të SHBA-së
- Irani dje paralajmëroi se do të përgjigjet "me vendosmëri dhe në mënyrë proporcionale" nëse sulmohej për shkak rritjeve të tensioneve me Uashingtonin, duke thënë se mjetet ushtarake amerikane në rajon do të konsideroheshin si objektiva legjitime.
Nju-Jork, 20 shkurt 2026 (MIA) - Irani dje paralajmëroi se do të përgjigjet "me vendosmëri dhe në mënyrë proporcionale" nëse sulmohej për shkak rritjeve të tensioneve me Uashingtonin, duke thënë se mjetet ushtarake amerikane në rajon do të konsideroheshin si caqe legjitime.
Në letrën drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se "të gjitha bazat, objektet dhe mjetet e forcës armike në rajon do të përbëjnë caqe legjitime" në rast agresioni.
Ushtria amerikane mban baza të shumta në të gjithë Lindjen e Mesme me dhjetëra mijëra trupa.
Ambasadori i Iranit tha se Teherani "nuk kërkon as tension dhe as luftë dhe nuk do të fillojë asnjë luftë", duke theksuar gatishmërinë e Teheranit për të vazhduar punën drejt një zgjidhjeje diplomatike. Në mosmarrëveshjen rreth programit bërthamor të Iranit, ambasadori tha në letër, "një zgjidhje e qëndrueshme dhe e ekuilibruar" mbetet e arritshme.
Dje më herët, presidenti amerikan, Donald Tramp, duket se vendosi një afat kohor për një marrëveshje me Teheranin, duke thënë se 10 deri në 15 ditë duhet të jenë të mjaftueshme dhe duke e përshkruar afatin kohor si "maksimum". Ai paralajmëroi: "Ose do të arrijmë marrëveshje ose do të jetë e pafat për ta".
Tramp tha se bota ka të ngjarë ta dijë brenda 10 ditëve të ardhshme se çfarë drejtimi do të marrin marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Bisedimet përqendrohen në programin bërthamor të kontestuar të Iranit. Uashingtoni ka për qëllim të parandalojë Republikën Islamike nga pajisja me armë bërthamore.
Teherani ka sinjalizuar gatishmëri për të kufizuar aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ekonomike, por deri më tani ka refuzuar negociatat për çështje të tjera, duke përfshirë kufizimet në programin e tij të raketave. Irani thotë se puna e tij bërthamore është vetëm për qëllime civile. rq/
Foto: arkivi i MIA-s