Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu mund të dënohet me dënim me burg deri në katër vjet
- Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu mund të dënohet me dënim me burg prej dy deri në katër vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike me akuzën e “përpjekjes për të ndikuar ndaj një zyrtari gjyqësor, eksperti apo dëshmitari”, raportojnë mediat turke.

Stamboll, 17 shkurt 2025 (MIA) - Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu mund të dënohet me dënim me burg prej dy deri në katër vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike me akuzën e “përpjekjes për të ndikuar ndaj një zyrtari gjyqësor, eksperti apo dëshmitari”, raportojnë mediat turke.
Kryeprokurori i Stambollit ka kompletuar aktakuzën ndaj kryebashkiakut Imamoglu lidhur me vërejtjet e tij drejtuar ekspertit mjeko-ligjor. Në aktakuzën e publikuar sot thuhet se kryetari ka tentuar të ndikojë tek eksperti duke e sulmuar publikisht.
Në një konferencë për shtyp më 27 janar, Imamoglu haptas e emëroi S.B., ekspertin në hetimet dhe rastet gjyqësore për korrupsion të dyshuar lidhur me ndërmarrjet komunale, duke pretenduar se S.B. është vendosur qëllimisht në rastet për të inkriminuar atë dhe komunën. Më pas, prokuroria e Stambollit nisi një hetim për deklaratat e bëra kundër S.B.
Në aktakuzë thuhet se pas deklaratave të Imamoglut, S.B. i është nënshtruar një fushate shpifjeje në rrjetet sociale dhe disa media.
Vetë S.B. deklaroi se ai kurrë nuk ishte i përfshirë në dëshmi të rreme ose parregullsi të tjera, siç pretendoi İmamoglu, dhe shpjegoi se ai ishte emëruar gjithashtu si ekspert në shumë çështje gjyqësore që përfshinin parti politike përveç Partisë Popullore Republikane të İmamoglut.
Kryebashkiaku i Stambollit, nga ana e tij, pretendon se çështjet ligjore kundër tij dhe bashkive të tjera të drejtuara nga partia janë të motivuara politikisht. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s