Koshta: Vazhdojmë përpjekjet që BE-ja të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj
- Prioritetet e mbrojtjes së përbashkët evropiane, sigurimi i fondeve të nevojshme për financimin e saj dhe forcimi i partneriteteve ekzistuese të BE-së, do të jenë temat kryesore të diskutimit të hapur dhe të lirë në Samitin e sotëm joformal të Unionit, njoftoi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta para fillimit të takimit të krerëve të shteteve apo qeverive të anëtarëve të bllokut, që po mbahet në Pallatin Egmont në Bruksel.

Bruksel, 3 shkurt 2024 (MIA) - Prioritetet e mbrojtjes së përbashkët evropiane, sigurimi i fondeve të nevojshme për financimin e saj dhe forcimi i partneriteteve ekzistuese të BE-së, do të jenë temat kryesore të diskutimit të hapur dhe të lirë në Samitin e sotëm joformal të Unionit, njoftoi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta para fillimit të takimit të krerëve të shteteve apo qeverive të anëtarëve të bllokut, që po mbahet në Pallatin Egmont në Bruksel.
"Kjo është hera e parë që jemi takuar në një takim dedikuar ekskluzivisht për mbrojtjen dhe kjo përpjekje e jona është një vazhdimësi e punës që filluam në Samitin e Versajës në mars të vitit 2022, kur arritëm në përfundimin se Bashkimi Evropian duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj", tha Koshta.
Ai shpreson se liderët do të kenë një diskutim strategjik që do t'i ofrojë udhëzime politike Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas për përgatitjen e "Librit të bardhë për mbrojtjen" dhe se ata do të hapin rrugën për vendimet që Unioni duhet të miratojë në muajt e ardhshëm.
Koshta kujtoi gjithashtu se në këtë Samit jozyrtar janë ftuar edhe kryeministri britanik Kir Starmer dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, ku do të diskutojnë me liderët evropianë çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e përbashkët evropiane.
Samitet joformale të BE-së janë mbledhje të liderëve të shteteve anëtare në të cilat ata vetëm diskutojnë dhe shkëmbejnë mendime për çështje të caktuara, por nuk merren vendime. qa/
Foto: Skrinshot