Kos: Lufta në Ukrainë është një luftë për një botë në të cilën çdo komb ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e tij
- Në tre vitet e fundit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, populli ukrainas ka treguar guxim dhe qëndrueshmëri mbresëlënëse, dhe ukrainasit kanë qëndruar së bashku për të mbrojtur jo vetëm vendin e tyre, por edhe vlerat e tyre, lirinë e tyre dhe të ardhmen e tyre që ata e shohin si anëtare të Bashkimit Evropian, tha sot komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos në fjalimin para Parlamentit Evropian në Strazburg në debatin “Vazhdimi i mbështetjes së palëkundur të BE-së për Ukrainën, tre vjet pas agresionit rus”.

Strasburg, 11 shkurt 2025 (MIA) - Në tre vitet e fundit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, populli ukrainas ka treguar guxim dhe qëndrueshmëri mbresëlënëse, dhe ukrainasit kanë qëndruar së bashku për të mbrojtur jo vetëm vendin e tyre, por edhe vlerat e tyre, lirinë e tyre dhe të ardhmen e tyre që ata e shohin si anëtare të Bashkimit Evropian, tha sot komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos në fjalimin para Parlamentit Evropian në Strazburg në debatin “Vazhdimi i mbështetjes së palëkundur të BE-së për Ukrainën, tre vjet pas agresionit rus”.
"Guximi dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas kanë frymëzuar botën, por vet frymëzimi nuk mjafton. Kjo nuk është vetëm lufta e Ukrainës. Është një luftë për vlerat e lirisë, paqes dhe sigurisë që na përcaktojnë të gjithëve, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se në tre vitet e fundit, jeta e shumë ukrainasve ka ndryshuar përgjithmonë, shumë familje janë ndarë, fëmijët mësojnë të lexojnë në shkolla nëntokësore, njerëzit kujdesen për të dashurit e tyre dhe vrapojnë në strehimore pothuajse çdo natë.
"Shumë në Ukrainë shikojnë nga Evropa sepse kanë parë një botë pa vlera. Një botë brutaliteti, padrejtësie dhe mosndëshkimi. Kjo është pyetja themelore në zemër të kësaj lufte: në çfarë lloj bote duam të jetojmë? Një botë ku fuqia ushtarake dikton fatin e kombeve? Apo një botë e ndërtuar mbi rregulla? Rregulla që garantojnë se çdo komb ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e tij", theksoi Kos.
Komisionerja evropiane theksoi se Ukraina ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme politike, ekonomike dhe ushtarake nga BE.
"Lufta e Ukrainës është gjithashtu lufta jonë për një Evropë që vlerëson drejtësinë mbi agresionin dhe unitetin mbi ndarjen. Duke mbështetur Ukrainën, ne po ruajmë themelet e paqes dhe sigurisë evropiane. Së bashku ne duhet të mbetemi të vendosur", shtoi Kos.
Ajo kujtoi se gjatë tre viteve të fundit, BE ka mobilizuar mbështetje të paprecedentë ushtarake, humanitare, ekonomike dhe financiare për Ukrainën për ta ndihmuar atë t'i rezistojë agresionit rus, të mbajë shërbimet thelbësore publike dhe të mbajë funksionimin e ekonomisë së saj, si dhe të zbatojë reforma ambicioze që do ta afrojnë atë me anëtarësimin në Union.
"BE ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të mbështetur Ukrainën dhe angazhimi ynë nuk duhet të lëkundet. Ukraina meriton një paqe të drejtë. Ne duhet të forcojmë pozicionin e Ukrainës, veçanërisht përpara diskutimeve të mundshme për përfundimin e kësaj lufte agresive. Ukraina do të ketë nevojë për garanci të forta, të besueshme dhe afatgjata të sigurisë për të penguar sulmet e ardhshme", shtoi Kos.
Ajo paralajmëroi se BE-ja do të vazhdojë të përdorë të ardhurat nga mjetet e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën dhe se është duke përgatitur pako shtesë sanksionesh për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. ls/
Foto: PE