• петок, 22 ноември 2024

KKBE-MK do të mbajë sesionin e 12-të me temën "Midis sfidave dhe mundësive: Politika bujqësore e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE"

KKBE-MK do të mbajë sesionin e 12-të me temën

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KKBE-MK) sot do të mbajë sesionin e 12-të të Grupit Punues 1 – Bujqësi dhe Zhvillim Rural (Kapitulli 11) me temë “Midis sfidave dhe mundësive: Politika bujqësore e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Pritet që të marrin pjesë aktorë kryesorë në sektorin e bujqësisë, përfaqësues të institucioneve përkatëse, shoqata civile, studiues nga mjedisi akademik dhe ekspertë të tjerë të fushës.

Siç kumtoi prof. Dr. Mileva Gjurovska, Koordinatore kombëtare e KKBE-MK dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane EMMK, në seancë do të diskutohen tema të rëndësishme lidhur me përshtatjen e politikës bujqësore me standardet e BE-së dhe do të shqyrtohen mundësitë dhe sfidat që dalin nga ky proces.

Gjithashtu do të diskutohet se si struktura e bujqësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila dominohet nga fermat e vogla dhe gjysmëprodhuese, ndikon në konkurrencën e sektorit dhe përputhshmërinë me standardet evropiane, çfarë masash nevojiten për t'u përballur me sfidat demografike në sektorin e bujqësisë, duke përfshirë plakjen e fermerëve dhe mungesën e gjeneratave të reja, por edhe se si Maqedonia e Veriut mund të forcojë kapacitetet për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike dhe të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm rural.

Në këtë sesion pune, siç është paralajmëruar, do të diskutohet edhe se si qasja në fondet e BE-së, si IPARD III, mund të mbështesë modernizimin e praktikave bujqësore dhe zhvillimin rural, çfarë reformash dhe investimesh nevojiten për të përmirësuar pozitën e prodhuesve bujqësorë të Maqedonisë në zinxhirët agro-ushqimore dhe të krijohen forma më të forta bashkëpunimi dhe si të harmonizohet politika për mbështetjen e bujqësisë me rregulloret e BE-së për masat agro-ekologjike dhe cilësi e produktit. ls/

Foto: Printskrin

 

Остани поврзан