• сабота, 22 февруари 2025

Kina vendos dogana reciproke për qymyr dhe gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja

Kina vendos dogana reciproke për qymyr dhe gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja

Pekin, 4 shkurt 2025 (MIA) - Kina do të vendosë dogana prej 15 për qind për importin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe qymyrit nga SHBA-ja si përgjigje ndaj doganave amerikane, kumtoi sot Ministria kineze e Financave.

Në mënyrë shtesë, do të zbatohen 10 për qind dogana për naftë dhe makineritë bujqësore të importuara nga SHBA-ja. Këto masa hyjnë në fuqi më 10 shkurt, njoftoi DPA.

Pekini po ashtu paralajmëroi hetim antimonopol kundër gjigantit amerikan të teknologjisë Gugëll.

Doganat amerikane prej 10 për qind për të gjitha importet kineze kanë hyrë në fuqi menjëherë pas mesnate me kohën e Uashingtonit (05:00 GMT), prej se presidenti Donald Tramp urdhëroi masat të shtunën.

Doganat për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika, gjithashtu të paralajmëruara nga Trampi, u pezulluan përkohësisht për të paktën një muaj para se të hynin në fuqi, pas marrëveshjeve midis SHBA-së dhe fqinjëve të saj.

Deri tani nuk ka marrëveshje të tillë me Kinën.

Dje Tramp deklaroi se bisedimet me palën kineze do të zhvillohen në afat prej 24 orëve.

Trampi fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke premtuar dogana të larta për mallrat e huaja. Ai ka vendosur disa tarifa tregtare gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 deri në vitin 2021. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан