• петок, 20 февруари 2026

KE-ja paralajmëroi 171 milionë euro përkrahje për infrastrukturë dhe bizneset private në Ballkanin Perëndimor

KE-ja paralajmëroi 171 milionë euro përkrahje për infrastrukturë dhe bizneset private në Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 27 janar 2026 (MIA) - Komisioni Evropian sot paralajmëroi pako-përkrahje prej 171 milionë eurove për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për përmirësimin e sistemit për transmetin të energjisë elektrike dhe për ndërtimin e objekteve efikase energjetike arsimore në vend.

Pakoja e re për përkrahje, siç kumtoi KE-ja, përfshin investime nga burime të ndryshme të BE-së për financimin e projekteve në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, të orientuara ndaj përforcimit të rritjes së qëndrueshme dhe lidhjes rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Nga shuma e përgjithshme e mjeteve, 91,8 milionë euro janë dedikuar për projekte infrastrukturore në katër vende, të cilat pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime në shtatë projekte në sferën digjitale, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mjedisit e jetesës.

Projektet kyçe nga kjo pako përfshijnë sistemin e Maqedonisë së Veriut për transmetim të energjisë elektrike, ndërtimin dhe rinovimin energjetikisht efikas të objeketeve arsimore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës - Tiranë dhe implementimin e infrastrukturës në Shqipëri dhe realizimin e projektit për trajtim të ujit për pije dhe ujërat e zeza në Bosnjë e Hercegovinë.

Krahas kësaj, 2,9 milionë euro janë ndarë edhe për katër projekte për ndihmë teknike në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, të orientuara ndaj përkrahjes së investimeve në sektorët energjetikë, ujë, inovacione dhe hulumtime.

"Këto projekte do t'i zbatojnë partnerët nga Ballkani Perëndimor, së bashku me institucione financiare ndërkombëtare", njoftoi KE-ja.

Në mënyrë shtesë, 76,3 milionë euro do të ndahen për të mbështetur sektorin privat në rajon, kryesisht për zbatimin e disa programeve për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga Ballkani Perëndimor, si dhe për përforcimin e kapaciteteve të partneriteteve publiko-private në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Siç paralajmëroi Komisioni Evropian, zbatimi i projekteve do të mund të fillojë pasi ato të miratohen nga Këshilli operacional i Kornizës investuese të Ballkanit Perëndimor. bsh/

Foto: Komisioni Evropian

 

Остани поврзан