KE-ja nuk konfirmon informacionin se Peter Sorensen do të jetë përfaqësuesi i ri i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë
- Komisioni Evropian sot ka refuzuar të konfirmojë apo mohojë raportet e mediave se ish shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, diplomati danez Peter Sorensen, do ta trashëgojë Mirosllav Lajçakun në postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd -Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Bruksel, 20 janar 2025 (MIA) - Komisioni Evropian sot ka refuzuar të konfirmojë apo mohojë raportet e mediave se ish shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, diplomati danez Peter Sorensen, do ta trashëgojë Mirosllav Lajçakun në postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd -Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.
"Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak zgjat deri në fund të janarit. Aktualisht në vijim është procesi i zgjedhjes së trashëguesit të tij, kështu që ne do t'i rikthehemi kur të kemi më shumë detaje", tha Anita Hiper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.
Afati i aplikimit për postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë ka skaduar më 3 janar dhe sipas informacioneve Sorensen dhe ish ministri i Jashtëm finlandez Peka Haavisto kanë paraqitur kandidaturat e tyre. Si kandidat i mundshëm është përmendur edhe ish presidenti slloven Borut Pahor, i cili nuk ka aplikuar në konkurs.
Sipas raporteve mediatike, përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kalas, me siguri për funksionin do ta zgjedhë Sorensen, ndërsa Haavisto do ta ndërmarrë detyrën në Kombet e Bashkuara.
Sorensen ka tre dekada përvojë pune me Ballkanin Perëndimor. Nga viti 1995 deri në vitin 1996 ai ishte këshilltar politik i Misionit Monitorues të Komunitetit Evropian në ish Jugosllavi, më pas këshilltar ligjor i Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Sarajevë dhe i të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së për Ballkanin, si dhe shef i Departamentit Politik dhe Këshilltar i Lartë i Përfaqësuesit të OSBE-së në Kroaci.
Nga viti 2001 deri në vitin 2002 ishte këshilltar i lartë i të dërguarit special të sekretarit të përgjithshëm të KB-së për Kosovë, pas së cilës e mori detyrën e zëvendës shefit të Departamentit për Rindërtim dhe Zhvillim Ekonomik të UNMIK-ut. Në këtë funksion mbeti deri në vitin 2006, kur ishte emëruar përfaqësues personal në Beograd i ish përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Havier Solana, ndërsa pastaj edhe i trashëgimtares së tij Ketrin Eshton.
Në vitin 2010 u emërua shef i Delegacionit të BE-së në Shkup, ndërsa vitin e ardhshëm mori rolin e shefit të Delegacionit të BE-së në Sarajevë dhe Përfaqësuesit Special të Unionit për Bosnja e Hercegovinë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2014. Që nga nëntori i vitit 2014, Sorensen ka qenë Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Zgjedhja përfundimtare e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje tjera rajonale të Bllkanit Perëndimor duhet të miratohet nga vendet anëtare të Unionit. sa/
Foto: Delegacioni i BE-së në Sarajevë