• сабота, 22 февруари 2025

KE-ja mendon konfiskimin e plotë të aseteve të ngrira ruse, Belgjika shpreh rezerva

KE-ja mendon konfiskimin e plotë të aseteve të ngrira ruse, Belgjika shpreh rezerva

Bruksel, 21 janar 2025 (MIA) - Komisioni Evropian nuk e përjashton mundësinë e konfiskimit të plotë të aseteve të ngrira ruse në BE edhe krahas paralajmërimeve të Belgjikës se një veprim i tillë mund të cilësohet si i paligjshëm dhe madje të kërcënojë stabilitetin financiar të Eurozonës.

Deri tani, BE-ja për mbështetje të Ukrainës ka përdorur vetëm fondet e krijuara si fitime nga interesi për asetet e ngrira ruse, por jo principalin e tyre.

Shuma totale e aseteve të ngrira ruse në BE është rreth 210 miliardë euro, nga të cilat pothuajse 180 miliardë mbahen në "Euroklir", një shtëpi me qendër në Bruksel.

Eurokomisari për ekonomi, Valdis Dombrovskis tha se Moska duhet "të detyrohet të paguajë" për agresionin e saj kundër Ukrainës, duke paralajmëruar shqyrtimin e mundësisë së konfiskimit të aseteve të ngrira ruse në BE edhe krahas "të gjitha rreziqeve ekonomike dhe ligjore".

Nga ana tjetër, ministri belg i Financave, Vinsent Van Petegem vlerëson se konfiskimi i aseteve ruse mund të krijojë “rreziqe serioze ligjore dhe ekonomike” për Eurozonën.

"Konfiskimi është masë e njëhershme e cila nuk është asgjë në krahasim me rrjedhën e vazhdueshme të resurseve që marrim nga përfitimet", ka thënë Van Petegem.

Një diplomat evropian vlerësoi se qëndrimi i Belgjikës në masë të madhe është rezultat i shqetësimit të saj për "dëmtimin e mundshëm financiar dhe reputacionin" e Euroklir" nëse fondet konfiskoheshin në mënyrë të njëanshme.

"Belgjika dëshiron siguri ligjore dhe garanci për të shmangur rrezikun që vendet e treta të mos i besojnë 'Euroklir' për të depozituar paratë e tyre ose Rusia ta padisë 'Euroklir'", ka thënë diplomati në një deklaratë për "Euraktiv".

Mundësinë e konfiskimit të plotë të aseteve të ngrira ruse e paralajmëroi edhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, gjatë seancës dëgjimore në Parlamentin Evropian në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas burimeve diplomatike, përveç Belgjikës edhe disa anëtare të tjera të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Holandën dhe Luksemburgun, kanë shprehur gjithashtu shqetësime për “rreziqet ligjore dhe financiare” lidhur me konfiskimin e aseteve ruse.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

Тагови

Остани поврзан