• сабота, 22 февруари 2025

KE për MIA-n: Pagesa e mjeteve nga Plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor pritet në mes të tremujorit të dytë dhe të tretë

KE për MIA-n: Pagesa e mjeteve nga Plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor pritet në mes të tremujorit të dytë dhe të tretë

Bruksel, 17 shkurt 2025 (MIA) – Pagesat e para të rregullta të mjeteve në kuadër të Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor priten ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë nga viti 2025, pasi të përmbushen kushtet e parapara për këtë, deklaroi për MIA-n zëdhënësi i Bashkimit Evropian. 

Ai theksoi se për zbatimin e reformave të konfirmuara me Agjendat e reformave të përgatitura si pjesë e Planit të KE-së për rritje në Ballkanin Perëndimor, gjashtë vendet e rajonit mund të kërkojnë mjete në formë të parafinancimit në vlerë deri shtatë për qind të shumës së përgjithshme të paraparë me këtë instrument për çdonjërën prej tyre. 

“Këtë e kërkuan të gjithë pesë përfituesit me Agjenda të reformave të miratuara, me përjashtim të Bosnjës e Hercegovinës, e cila ende nuk e ka dorëzuar Agjendën e saj të reformave. Komisioni tani po finalizon hapat procedural, të cilët duhet të mundësojnë pagesën e parafinancimit sa më shpejt të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta priten ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025 pas përmbushjes së kushteve të përcaktuara”, shtoi zëdhënësi në deklaratë.

Mediat e rajonit gjatë fundjavës publikuan se pagesat e para nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk do të kryhen në gjysmën e parë të këtij viti, siç ishte paralajmëruar më parë. 

Sipas këtyre të dhënave, bllokimi është shkaktuar për shkak të asaj që vendet e rajonit duhet të lidhin marrëveshje për hua me Bashkimin Evropian, sepse një pjesë e mjeteve që do tu ndahen në kuadër të Planit janë në formë të huave, ndërsa disa grante, prandaj çdonjëra nga ato marrëveshje kanë karakter të marrëveshjes ndërkombëtare që duhet të ratifikohet nga Parlamenti i shtetit adekuat. 

Kuvendi ynë më 27 dhjetor të vitit të kaluar me procedurë të shkurtër e miratoi Ligjin për huamarrje te Bashkimi Evropian pas Marrëveshjes për hua nga Instrumenti i reformave dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor, me të cilin parashihet pagesa e mbi 750.000 eurove si parafinancim për vendin nga Plani i rritjes. 

“Maqedonia, me zbatimin e plotë të reformave nga Agjenda e Reformave, në periudhën 2024-2027 do të marrë 750.354.553 euro, prej të cilave 535.012.159 euro janë kredi dhe 215.342.394 euro grant. Prej tyre, 349.095.433 euro kredi janë të destinuara për mbështetje buxhetore, dhe 185.916.725 euro kredi dhe 215.342.394 euro grante janë të destinuara për projekte investive. Të paktën 37 për qind e grantit do të ndahet për qëllimet klimatike. Të gjitha mjetet e tërhequra nga kredia do të paguhen jo më vonë se 40 vjet nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes për Huanë, duke përfshirë grejs periudhë deri në 10 vjet”, theksoi Ministria e Financave kur propozoi ligjin. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан