• петок, 20 февруари 2026

Katër kandidatë deri më tani janë paraqitur në shpalljen për Prokuror Publik Shtetëror, afati skadon në mesnatë

Katër kandidatë deri më tani janë paraqitur në shpalljen për Prokuror Publik Shtetëror, afati skadon në mesnatë

Shkup, 26 janar 2026 (MIA) – Deri më sot, gjithsej katër aplikime kanë mbërritur në shpalljen e Kuvendit për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
 Nga shërbimi për shtyp i qeverisë konfirmojnë se në arkivin e Kuvendit janë dorëzuar katër aplikime për këtë pozitë, por nuk zbulojnë detaje se kush janë aplikuesit.

Afati për paraqitje, në përputhje me ligjin, skadon sot në mesnatë.
 
Kandidaturën e tij për shpalljen për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shpallur nga Kuvendi, deri më tani e ka konfirmuar ish-kryetari i Gjykatës Themelore Shkup, Vladimir Pançevski. Në aplikimin e Pançevskit, të dorëzuar më 21 janar në Kuvend, thuhet se ai i plotëson të gjitha kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit të Prokurorit Publik Shtetëror. 

"Bashkëngjitur, ai u ka dorëzuar organeve kompetente propozim-dokumentacion dhe dëshmi për përmbushjen e kushteve të përgjithshme të përcaktuara në nenin 61 të Ligjit për Prokurorinë Publike, si dhe dëshmi për përmbushjen e kushteve të veçanta nga neni 62 paragrafi 1 alineja 1 e këtij ligji – theksohet në aplikimin e Pançevskit drejtuar Kuvendit.

Aplikim për funksionin e Prokurorit Publik Shtetëror paralajmëroi edhe ish-prokurori i lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Ljupço Koçevski dorëzoi dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i Prokurorit Publik Shtetëror. Deri në zgjedhjen e një prokurori të ri, për ushtrues të detyrës është zgjedhur Anita Topolova-Isajllovska, ish-zëvendësprokurore publike republikane.

Procedura për zgjedhjen e Prokurorit Publik Shtetëror filloi me konkursin e shpallur nga Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me një afat për aplikim prej 15 ditësh nga data e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë një përvojë pune të pandërprerë prej të paktën 10 vjetë si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, aplikimet e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas dorëzimit të aplikimeve, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda 15 ditëve. Nëse Këshilli nuk jep një mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të propozojë asnjë kandidat dhe i sugjeron Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан