• среда, 03 јули 2024

Kasami me koment për deklaratën e Dimitrievskit lidhur me flamurin shqiptar në kabinetet qeveritare

Kasami me koment për deklaratën e Dimitrievskit lidhur me flamurin shqiptar në kabinetet qeveritare

Tetovë, 2 korrik 2024 (MIA) - Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, në deklaratë për media pas një ngjarjeje në rajonin e Tetovës, ka komentuar deklaratën e liderit të ZNAM, Maksim Dimitrievskit, se do të largohej nga qeveria nëse në kabinetet qeveritare të ministrave shqiptarë nga Koalicioni "VLEN" vazhdon të përdoret flamuri i Shqipërisë. Sipas Kasamit, Dimitrievski nuk është dashur të flasë për atë temë.

"Nuk është Dimitrievski ai që përcakton se kur dhe si do të përdoret flamuri kombëtar. Urojmë që partneri i koalicionit, në këtë rast kryetari i ZNAM-it, të dalë nga retorika parazgjedhore dhe të kuptojë se ne jemi tashmë pjesë e qeverisë dhe duhet të punojmë për të mirën e qytetarëve. Ne si qytetarë shqiptarë të këtij shteti respektojmë dhe përkrahim qytetarët e komunitetit maqedonas në mbrojtjen e identitetit të tyre, dhe të njëjtën presim edhe nga qytetarët maqedonas që të mbështesin shqiptarët në mbrojtjen e identitetit të tyre, flamuri kombëtar është një segment i rëndësishëm i kësaj", tha Kasami nga Strimnica e Tetovës.

 

Kryetari i Tetovës, Kasami dhe i Zhelinës, Blerim Sejdiu, sot kanë promovuar rindërtimin e rrugës lokale që çon në fshatin Strimnicë, e cila është lidhje mes dy komunave.

"Vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën rrugore të komunës së Tetovës, me qëllim të përmirësimit të lidhjes së komunës së Tetovës dhe Polonjës me Zhelinën, informoi Kasami.

Bëhet fjalë për një seksion me gjatësi prej 900 metra dhe gjërësi prej 5,2 metra. ls/

foto: komuna e Tetovës 



Остани поврзан