• петок, 05 декември 2025

Kapitulli i radhës i Evropës: Raporti për zgjerimin e BE-së mirëpret përparimin, bën thirrje për reforma më të thella

Kapitulli i radhës i Evropës: Raporti për zgjerimin e BE-së mirëpret përparimin, bën thirrje për reforma më të thella

ENR-Bruksel

7 Nëntor 2025

Komisioni Evropian prezantoi raportin vjetor për zgjerimin me vlerësime të proceseve të aderimit të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian: Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Turqia.

Por, midis dhjetë vendeve që synojnë të anëtarësohen në BE, ka edhe disa, siç janë Turqia dhe Gjeorgjia, të cilat në thelb qëndrojnë në vend.

Në epërsi në mesin e vendeve që shpresojnë për anëtarësim në BE janë dy vende ballkanike, Mali i Zi dhe Shqipëria, derisa Ukraina dhe Moldavia kanë bërë hapa të rëndësishëm pasi i parashtruan aplikimet e tyre për anëtarësim në vitin 2022. Favoriti Mali i Zi shprehet se dëshiron të përfundojë bisedimet deri në fund të vitit 2026, ndërsa Shqipëria po bën presion për t'i përmbyllur ato në vitin 2027. Ukraina dhe Moldavia synojnë vitin 2028.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin Marta Kos tha se viti 2026 do të jetë "moment i së vërtetës për të gjitha vendet kandidate", duke theksuar se "një kontinent i bashkuar është përgjigja më e fortë për ata që përpiqen të ndajnë dhe destabilizojnë Evropën".

 

Por, cilat janë gjasat për kandidatët individualë dhe kush çfarë ritmi vendos?

Mali i Zi dhe Shqipëria: Dy favoritët

Në raportin vjetor për zgjerimin, Komisioni Evropian theksoi përparimin e përshpejtuar të Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e aderimit.

Mali i Zi, i cili filloi bisedimet e aderimit në vitin 2012, konsiderohet favorit midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me mundësinë e përfundimit të bisedimeve deri në fund të vitit 2026 nëse reformat vazhdojnë. Sipas raportit, Mali i Zi ka treguar "përkushtim të vazhdueshëm politik" dhe "ka arritur rezultate të prekshme në përmbushjen e reformave të kërkuara dhe lëvizjen e vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE".

Megjithatë, dokumenti thekson se institucionet demokratike në vend mbeten të prekshme ndaj krizave politike dhe bllokadave të mundshme institucionale. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Mali i Zi duhet të përmirësojë rezultatet e tij në raport me ndjekjen penale dhe aktgjykimet në rastet e korrupsionit, veçanërisht në nivel të lartë, si dhe efikasitetin e përgjithshëm të gjyqësorit, duke përfshirë edhe zvogëlimin e lëndëve të prapambetura.

Komisioni Evropian vlerësoi se Mali i Zi është mesatarisht i përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe se është bërë përparim në zbatimin e reformave. Në veçanti, theksohet se Mali i Zi duhet të vazhdojë të zbatojë me përpikëri të gjitha ligjet e lidhura me mediat dhe t'i harmonizojë ato më tej me legjislacionin e BE-së, me çka do të sigurohet emërimi i shpejtë i anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbimet Mediatike Audiovizuale (ASHMA).

Dokumenti gjithashtu thekson se politika e vizave e Malit të Zi nuk është plotësisht në përputhje me atë të BE-së dhe se Mali i Zi duhet të ndërpresë marrëveshjet pa viza me vendet, qytetarët e të cilave kanë nevojë për viza për të hyrë në BE.

Shqipëria, e cila ka qenë vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014, mund të përfundojë bisedimet deri në fund të vitit 2027. Raporti për Shqipërinë vë në dukje përparim të rëndësishëm në disa fusha të tilla si reforma gjyqësore, lufta kundër krimit të organizuar dhe angazhimi i qeverisë shqiptare për integrimin evropian.

Megjithatë, Komisioni thekson se zbatimi i reformave dhe konsolidimi i sistemit demokratik të Shqipërisë mbeten kushte themelore, si në sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, polarizimin politik dhe dialogun institucional.

Ukraina dhe Moldavia: Progres i shpejtë, reforma të rënda

Raporti i Komisionit shprehet se Ukraina duhet të përshpejtojë reformat nëse dëshiron të përmbushë qëllimin e vetë-përcaktuar për përfundimin e procesit të aderimit deri në fund të vitit 2028. Vendi "vazhdoi të tregojë qëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe angazhim të fortë në rrugën e tij evropiane pavarësisht përshkallëzimit të agresionit të vazhdueshëm ushtarak të Rusisë", thuhet në raportin.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sulmi i dha frymë të re përpjekjeve të frenuara prej kohësh për të pranuar anëtarë të rinj në bllokun prej 27 shteteve. I përballur me agresionin e Kremlinit, Brukseli e sheh rritjen e numrit të anëtarëve si prioritet strategjik, me ç'rast kreu i zgjerimit të KE-së, Kos, deklaroi se ekziston mundësi reale që kjo të ndodhë në vitet e ardhshme.

Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski i bëri thirrje të martën kryeministrit hungarez Viktor Orban të ndalojë bllokimin e përpjekjes së Kievit për t'u bashkuar me BE, ndërsa Brukseli mbështeti përparimin e procesit për vendin e rrënuar nga lufta, pavarësisht shqetësimeve për korrupsionin.

Brukseli paralajmëroi për "ngecje" në përpjekjet për të luftuar korrupsionin në Ukrainë pasi Zelenski u detyrua të anulojë vendimet që kufizonin pavarësinë e agjencive anti-korrupsion si rezultat i pakënaqësisë nga mbështetësit e tij evropianë.

Për Moldavinë, Komisioni vuri në dukje se vendi "vazhdon të përballet me sfida të pashembullta si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, përpjekjeve të Rusisë dhe ndihmësve të saj për të destabilizuar vendin dhe kërcënimeve për furnizimin me energji dhe sigurinë e saj." Komisioni shtoi se "pavarësisht kësaj, Moldavia ka treguar qëndrueshmëri dhe angazhim ndaj reformave."

"Moldavia ka bërë përparimin më të madh në një vit nga të gjithë kandidatët," tha komisionerja Kos.

Në Rumaninë fqinje, ministria e Jashtme tha se mirëpriti mbështetjen e Komisionit për qëllimin e Moldavisë për përfundimin e bisedimeve të aderimit deri në fillim të vitit 2028.

Serbia: Protestat dhe retorika kundër BE-së pengojnë përparimin

Në raportin e tij, Komisioni shpreh keqardhje që zbatimi i reformave në Serbi është "ngadalësuar ndjeshëm" për shkak të rritjes së polarizimit në shoqërinë serbe në kushte të protestave që po ndodhin në vend prej një viti.

Komisioni vuri në dukje "narrativën anti-BE të dukshme jo vetëm në mediat serbe, por edhe të përdorur nga bartësit e posteve politike, duke përfshirë në nivelin më të lartë", dhe u bëri thirrje autoriteteve serbe "të marrin përgjegjësi shumë më të madhe për komunikimin proaktiv dhe më objektiv në lidhje me procesin e aderimit të Serbisë dhe për BE-në, si dhe për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin me informacione".

Mirëpo, për Ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe kryetare e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Bërnabiq, mesazhi më i rëndësishëm për Serbinë në raport ishte se Serbia është e gatshme të hapë klasterin 3 të procesit të aderimit ("Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse") dhe se vendi po bën përparim në shumë fusha.

Bërnabiq u pajtua me vlerësimin e Komisionit se Serbia ka ngadalësuar reformat. "Ajo me të cilën pajtohem plotësisht – dhe kjo është me të vërtetë kritikë – është se ne kemi ngadalësuar reformat. Dje, edhe Presidenti (Aleksandar) Vuçiç e përsëriti këtë dhe u bëri thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të bëjnë gjithçka që munden për të shpejtuar reformat", tha ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit në lidhje me nevojën për të ndryshuar narrativën shpesh negative për BE-në në Serbi – e cila ishte një nga kritikat e Komisionit Evropian – Bërnabiq tha se është dakord me këtë. "Ne duhet të bëjmë përpjekje për të ndryshuar narrativën drejt BE-së dhe të kemi narrativë shumë më pozitive – ose të paktën më pak kritike – për BE-në. Nuk ka dyshim për këtë."

Raporti e vlerësoi edhe Kosovën, vend potencial kandidat për në BE, duke deklaruar se megjithë "sinjalizimin e qartë të angazhimit të saj ndaj vlerave të BE", ka patur ngadalësim në reformat në vend për shkak të bllokimit politik pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar.

Bosnja e Hercegovina: Rruga drejt stabilitetit

Pavarësisht krizave politike dhe ngadalësimit të reformave në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), raporti i Komisionit nxjerr në pah mundësitë që mund të përshpejtojnë procesin e aderimit.

Raporti vëren se mosmarrëveshjet politike kanë ndikuar negativisht në progres, duke rezultuar me reforma të vonuara – por gjithashtu vuri në dukje përparim të prekshëm, veçanërisht në harmonizimin e legjislacionit në fushat e mbrojtjes së të dhënave dhe kontrollit kufitar, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit me Agjencinë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, Frontex.

Përkundër sfidave, Komisioni përgëzoi BeH-në për parashtrimin e Agjendës reformuese, duke treguar gatishmëri për reforma të mëtejshme. Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjeve të reformës gjyqësore, të cilat duhet të jenë plotësisht në përputhje me standardet e BE-së për të mundësuar përparimin e vazhdueshëm në procesin e bisedimeve.

Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas tha se BE mbetet e angazhuar ndaj stabilitetit të BeH-së dhe se reforma gjyqësore, së bashku me emërimin e një kryenegociatori me BE, mbetet çelësi për përparimin e mëtejshëm të vendit.

Maqedonia e Veriut: Harmonizim i lartë i politikës së jashtme

Për Maqedoninë e Veriut, raporti thotë se është e rëndësishme që vendi të përparojë dhe të finalizojë të gjithë punën përgatitore në lidhje me standardet fillestare për klasterin "Vlerat themelore". Vendi u vlerësua për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me vendet e tjera kandidate dhe për përfshirjen e tij në nismat rajonale.

Komisioni i bëri thirrje vendit të "miratojë ndryshimet kushtetuese" të nevojshme për të çuar përpara procesin, duke "përfshirë në Kushtetutë qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë që jetojnë në vend, si bullgarët".

Pas takimit me homologun e tij gjerman Johan Vadefull në tetor, ministri i Jashtëm bullgar Georgiev tha se Sofja dhe Berlini gjithashtu ndajnë mendimin se Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj si një hap i parë drejt hapjes së bisedimeve të aderimit me BE.

Komisioni u shpreh se vendi është angazhuar në mënyrë aktive në Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ka filluar të punojë në zbatimin e katër shtyllave të planit: integrimi gradual me tregun e vetëm të BE-së, integrimi ekonomik rajonal, reformat themelore dhe rritja e mbështetjes financiare.

"Maqedonia e Veriut ka mbajtur një linjë të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, duke dërguar sinjal të fortë në lidhje me zgjedhjen e saj strategjike për t'u bashkuar me BE-në dhe duke e treguar veten si partner i sigurt", thuhet në raport.

Gjeorgjia dhe Turqia: Përjashtime në proces?

Megjithëse kishte vlerësime pozitive për disa vende në raportin vjetor, pasqyra e situatës në Gjeorgji është e dobët meqë Qeveria e këtij vendi të Kaukazit filloi të godasë opozitën dhe iu drejtua Moskës. "Gjeorgjia nuk ka rrugë të qëndrueshme drejt BE-së në këtë fazë nëse kushtet nuk ndryshojnë në mënyrë drastike. Ai tani është vend kandidat vetëm në emër", tha komisionerja Kos.

Edhe për Turqinë, raporti vë në dukje një pengesë të mëtejshme për sa i përket të drejtave themelore dhe sundimit të së drejtës. Megjithatë, vendi po kërkon të bëhet pjesë e programit të Aksionit të sigurisë për Evropën (SAFE) të BE-së, me vlerë prej 150 miliardë euro – mekanizëm që synon forcimin e kapaciteteve evropiane të mbrojtjes. Megjithëse Turqia ka të drejtë teknike për të hyrë në iniciativën

SAFE, kjo ka nevojë për aproviim nga të 27 anëtarët e BE-së – diçka që Greqia ka kërcënuar se do ta bllokojë.

Çfarë do të ndodhë për aspirantët për anëtarësim?

Aderimi në BE përfshin vite të bisedimeve të vështira dhe reformave të mëdha. Shumë çështje mund të vonojnë përparimin e vendeve kandidate. Edhe kur vendi tejkalon të gjitha pengesat e bisedimeve, për aderim ende nevojitet mbështetja unanime e anëtarëve ekzistues të Bashkimit.

Siç tha ministri i Jashtëm polak Radosllav Sikorski: "Anëtarësimi në BE nuk është detyrim, por zgjedhje e lirë e një vendi dhe qytetarëve të tij." Polonia është ndër vendet që theksojnë se zgjerimi duhet të shoqërohet me monitorim rigoroz të standardeve demokratike, sundimit të së drejtës dhe koherencës strategjike dhe se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të bllokojnë përparimin në procesin e aderimit.

Për herë të parë, Komisioni tani ka përshkruar nevojën që marrëveshjet e ardhshme të aderimit të përmbajnë "masa më të forta mbrojtëse" kundër mosrespektimit të angazhimeve të marra gjatë bisedimeve të aderimit për të "siguruar që të ruhet një moment pozitiv për sundimin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat themelore".

Shumë vëzhgues konsiderojnë se BE-ja ka nxjerrë një mësim të dhimbshëm meqë vende si Hungaria kanë penguar punën e bllokut ndërsa kanë bërë hapa prapa në sundimin e së drejtës.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Brukseli po shqyrton gjithashtu nëse do t'u mohojë anëtarëve të rinj fuqinë e vetos në fusha të tilla si politika e jashtme për disa vjet pasi ata të bashkohen.

Foto: ENR/DPA/Printskrin

Тагови

Остани поврзан