• петок, 05 декември 2025

Kandidatët e zgjedhur për këshilltarë në Komunën e Tetovës i kanë marrë certifikatat

Kandidatët e zgjedhur për këshilltarë në Komunën e Tetovës i kanë marrë certifikatat

Tetovë, 5 nëntor 2025 (MIA) - Komisioni komunal zgjedhor Tetovë ua dorëzoi certifikatat këshilltarëve të sapozgjedhur, të cilët janë votuar në zgjedhjet lokale më 19 tetor. Këshilli i Komunës së Tetovës ka 31 anltarë, prej të cilëve koalicioni VLEN 13, koalicioni i Aleancës Kombëtare për Integrim 12 dhe VMRO-DPMNE-ja tre. Nga një këshilltar kanë E Majta, LSDM dhe Iniciativa qytetare "Më mirë për Tetovën".

"Unë jam nga lista e pavarur 'Më mirë për Tetovën', po kthehemi në këshill pas tre viteve për t'i mbrojtur interesat e qytetit. Nuk do të bëjmë tregti me partitë politike, vetëm do t'i mbrojmë interesat e qytetit. Të gjitha vendimet që do të jenë për të mirën e qytetit do t'i përkrahim dhe të gjitha vendimet që do të jenë në dëm të qytetit, ne do t'i kundërshtojmë", deklaroi Agron Arifi.

Këshilltari nga koalicioni "Vlen" Jusuf Abdyli tha se do të punojnë së bashku me të gjithë, pra edhe me këshilltarët nga partitë opozitare.

"Do të punojmë të gjithë së bashku që të kemi qytet me sa më shumë infrastrukturë, që të kemi arsim më të mirë. Do të jemi konstruktivë me të gjithë. Kjo tashmë dihet se jemi në koalicion me VMRO-DPMNE, e kemi shumicën në Këshill, por për këtë do të informohemi gjatë ditëve në vijim", tha Abdyli.

Asaf Abduramani, bartës i listës së këshilltarëve nga AKI tha se me 12 këshilltarë e paraqesin opozitën në Këshillin e Komunës, por, edhe krahas kësaj, do të mundohen të jenë konstruktivë në punë dhe të kontribuojnë për të mirën e qytetarëve. bsh/

Foto

фото МИА 

Остани поврзан