Kalas: SHBA kërkon grindje me BE-në
- Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kalas deklaroi se fjalimi i nënpresidentit amerikan Xhej Di Vans në Konferencën e Sigurisë në Mynih dukej si një përpjekje për të "shkaktuar grindje" me Evropën.

Mynih, 14 shkurt 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kalas deklaroi se fjalimi i nënpresidentit amerikan Xhej Di Vans në Konferencën e Sigurisë në Mynih dukej si një përpjekje për të "shkaktuar grindje" me Evropën.
“Duke dëgjuar fjalimin e tij, përshtypja është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan grindje me ne, por ne nuk duam grindje me miqtë tanë”, tha Kalas.
Ish-kryeministrja estoneze theksoi se aleatët duhet të fokusohen në kërcënime më të mëdha, siç është agresioni rus kundër Ukrainës.
Në fjalimin e tij, Vans kritikoi ashpër disa vende evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe, dhe shprehu shqetësimin për "largimin e Evropës nga disa nga vlerat e saj më themelore" që ndan me SHBA-në.
Ai intensifikoi kritikat e tij ndaj demokracisë evropiane, duke theksuar se "nuk është gjithmonë e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë".
Fjalimi i Vansit dhe përmendja e tij e shkurtër e luftës në Ukrainë vijnë në një kohë shqetësimi dhe pasigurie në rritje rreth politikës së jashtme të administratës së Donald Trampit. ls/
Foto: EPA