• среда, 29 јануари 2025

Janevska: As filozofia, as logjika nuk janë hequr nga koncepti i reformës së arsimit të mesëm

Janevska: As filozofia, as logjika nuk janë hequr nga koncepti i reformës së arsimit të mesëm

Shkup, 27 janar 2025 (MIA) - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska sot në deklaratë për media tha se nuk është e vërtetë se lëndët filozofia dhe logjika janë hequr nga koncepti për reformë në arsimin e mesëm, pasi një pjesë e profesorëve të gjimnazit në këto lëndë hapur vlerësuan se është vetëvrasje të propozohet një koncept për arsimin e mesëm pa filozofi, logjikë dhe etikë. 

"Nuk është e vërtetë, nuk hiqen as filozofia, as logjika. Por gjithsesi, ky është një draft version i vënë për diskutim publik. Tani jemi duke mbledhur sugjerime, vërejtje, propozime dhe pasi të përfundojë debati publik do të arrijmë në një përfundim përfundimtar. Para dy ditësh isha në Fakultetin Filozofik, pata një takim me profesorët e Fakultetit Filozofik, patëm një bisedë shumë konstruktive. Pres edhe mbështetjen e tyre, sepse i kemi dëgjuar dhe do të veprojmë sipas rekomandimeve të përbashkëta, por para së gjithash për të mirën e nxënësve", tha Janevska.

Lidhur me lëndën e Edukimit seksual, ministrja tregoi se kjo lëndë mbetet si lëndë e lirë zgjedhore në klasën e nëntë dhe vazhdon në arsimin e mesëm. 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për zhvillim të arsimit informoi se është përpunuar një draft-koncept për reforma në arsimin e mesëm dhe u bëri thirrje të gjithë mësuesve, nxënësve, prindërve, ekspertëve dhe palëve të interesuara që të marrin pjesë në diskutimin publik me mendimet e tyre, propozimet dhe vërejtjet për miratimin e versionit më të mirë. Qëllimi, siç theksuan, është të sigurojë një sistem arsimor modern, gjithëpërfshirës dhe konkurrues, ndërsa komentet mund të dërgohen në ueb-faqen e Byrosë së arsimit deri më 31 janar. 

Lidhur me shujtën studentore dhe nëse do të rritet shuma ose numri i studentëve, ajo theksoi se janë duke u pritur rezultatet nga negociatat mes studentëve. "Qëndrimi është mjaft i qartë, ne tashmë kemi rënë dakord disa herë. Në këtë pikë jemi në pritje të rezultateve të negociatave mes studentëve. Sapo t'i marrim, ashtu edhe do të veprojmë, tha Janevska, e cila sot mori pjesë në promovimin e librit të parë të integruar për gjinekologji dhe obstetrikë të shkruar në gjuhën maqedonase. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан