• петок, 20 февруари 2026

Incidenti në Davos: Ministri amerikan i Tregtisë me kritika të ashpra ndaj Evropës, Lagardi largohet nga darka

Incidenti në Davos: Ministri amerikan i Tregtisë me kritika të ashpra ndaj Evropës, Lagardi largohet nga darka

 Davos, 21 janar 2026 (MIA) - Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos mbrëmë u bë skenë tensionesh diplomatike pasi ministri amerikan i Tregtisë, Hauard Lutnik, kritikoi ashpër Evropën, duke shkaktuar një incident në një darkë ekskluzive të organizuar nga drejtori ekzekutiv i "Blekrok", Lari Fink.

 Siç raportojnë "Fajneshëll tajms" dhe Uoolstrit zhurnal", kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Kristin Lagard, u largua në mënyrë demonstrative nga darka, derisa Lutniku mbajti një fjalim në të cilin kritikoi politikën evropiane të energjisë dhe rënien e konkurrueshmërisë globale të rajonit. Sipas të pranishmëve, Lutniku nënvlerësoi kapacitetet ekonomike të Evropës në krahasim me ShBA-në, që shkaktoi indinjatë dhe madje edhe largimin e disa të ftuarve nga salla. Ndërsa zëdhënësi i Lutnikut pohon se askush nuk u largua herët, burimet e BQE-së refuzuan të japin koment zyrtar, megjithëse disa pjesëmarrës sugjeruan që Lagarde u largua sepse ishte e lodhur.

 Duke folur në margjinat e Forumit, Lutniku dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë se globalizimi është një "politikë e dështuar" që ka tradhtuar Perëndimin dhe ShBA-në. Ai theksoi se administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, është e vendosur të ndryshojë modelin ekzistues ekonomik që ka lënë pas dore punëtorët amerikanë përmes zhvendosjes së vendeve të punës dhe kërkimit të fuqisë punëtore më të lirë.

"Jemi këtu për të dërguar një mesazh të qartë: Globalizimi ka minuar bazën industriale vendase dhe ka dobësuar ekonomitë kombëtare. Modeli 'Amerika në vendin e parë'është një qasje e ndryshme që i vendos punëtorët tanë në qendër të vendimmarrjes dhe ne i inkurajojmë vendet e tjera ta marrin në konsideratë këtë model", tha Lutniku. 

 Ndaj këtyre qëndrimeve reagoi ish-sekretari indian  i Punëve të Jashtme Kanval Sibal, i cili në rrjetin social "Iks" ka shkruar se Lutniku përdor "mashtrime të përshtatshme". Sibali kujtoi se pikërisht ShBA ishin forca kryesore pas globalizimit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke e përdorur atë për të forcuar hegjemoninë e tyre globale dhe dominimin financiar.

 Këto tensione vijnë në kohën kur liderët evropianë në Davos po përpiqen të krijojnë një përgjigje të unifikuar ndaj kërcënimeve të presidentit Donald Tramp për tarifa shtesë, të cilat ai i ka kushtëzuar me kërkesën e Uashingtonit që të marrë Grenlandën. Përfaqësusit zyrtarë evropianë i kanë përshkruar kërkesat si një formë shantazhi.

Në Forumin e 56-të Ekonomik Botëror në Davos, i cili zgjat deri më 23 janar, marrin pjesë gati 3.000 liderë nga më shumë se 130 vende. Sot pritet fjalimi i presidentit Tramp para elitës globale. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан