Grosi i shqetësuar për rritjen e numrit të sulmeve rreth centralit bërthamor Zaporozhje
- Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB) sot deklaroi se është i shqetësuar për rritjen e numrit të sulmeve rreth termocentralit bërthamor Zaporozhje të pushtuar nga Rusia në jug të Ukrainës.

Moskë, 7 shkurt 2025 (MIA) - Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB) sot deklaroi se është i shqetësuar për rritjen e numrit të sulmeve rreth termocentralit bërthamor Zaporozhje të pushtuar nga Rusia në jug të Ukrainës.
"Situata e sigurisë mbetet shumë e vështirë. Përveç kësaj, ishim dëshmitarë të sulmeve gjithnjë e më të shpeshta [në objektin bërthamor]", tha shefi i ANEB-it.
Grosi i bëri komentet e tij pas takimit me shefin e agjencisë ruse për energji bërthamore Rosatom, Aleksej Lihaçev, në Moskë.
Ai nuk deshi të komentojë se kush ishte përgjegjës për sulmet në objektin bërthamor.
Para se të vizitonte Moskën, Grosi ishte edhe në Ukrainë, ku paralajmëroi në rrezik të një aksidenti bërthamor për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë në rrjetin energjetik të Ukrainës.
Termocentrali bërthamor në rajonin e Zaporozhje u pushtua nga trupat ruse menjëherë pas fillimit të luftës pothuajse tre vjet më parë. Disa përpjekje nga Kievi për të rimarrë termocentralin kanë dështuar.
Ushtarët ukrainas dhe rusë akuzojnë vazhdimisht njëri-tjetrin për granatimin e objektit, i cili ndodhet në afërsi të vijës së frontit.
Foto: Arkivi i MIA-s