• петок, 21 февруари 2025

Gill: Kur të ketë pasqyrën e plotë të tarifave amerikane, BE-ja do të japë qëndrimin e saj

Gill: Kur të ketë pasqyrën e plotë të tarifave amerikane, BE-ja do të japë qëndrimin e saj

Bruksel, 11 shkurt 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian ende nuk ka detaje rreth vendimit të presidentit amerikan Donald Tramp për vendosjen e tarifave prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit në SHBA dhe tani për tani nuk mund të japë informacion për hapat konkretë që do të ndërmarrë, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për siguri ekonomike, tregti, shërbime financiare dhe dogana, Olof Gill.

"Kemi urdhrin ekzekutiv nga presidenti Tramp, por kolegët tanë amerikanë nuk kanë publikuar detaje të masave, kështu që ka ende shumë paqartësi," ka thënë Gill.

Ai shtoi se BE-ja nuk ka ende "pamje të plotë" se cilat produkte do të mbulohen nga "masa tregtare" të tilla dhe për këtë arsye nuk do të hyjë në përshkrim të përgjigjeve të mundshme të bllokut.

"Kur ta kemi fotografinë e plotë dhe të merrni parasysh gjithçka, do të konsultohemi me shtetet tona anëtare dhe do të shqyrtojmë ndikimin ekonomik në industrinë tonë, tek qytetarët tanë dhe tek kompanitë tona, ne do të përgjigjemi. Ne ende nuk e kemi pamjen e plotë", ka thënë Gill.

I pyetur nëse është e mundur që ndonjë nga shtetet anëtare të negociojë me SHBA-në për të siguruar ndonjë lëshim nga regjimi i shpallur tarifor, Gill theksoi se tregtia është nën kompetencën ekskluzive të BE-së, shtetet anëtare nuk mund ta negociojnë vetë këtë çështje me palët e treta.

"Arsyeja pse shtetet anëtare vendosën ta ndajnë këtë kompetencë në nivel evropian është sepse ne kemi një pozicion më të fortë në nivel global nëse veprojmë së bashku. Ne presim që shtetet anëtare ta kenë parasysh këtë kur të fillojnë të dalin me reagimet e tyre në javët e ardhshme", ka thënë Gill.

Ai shtoi se BE-ja është në kontakt me anëtaret e saja për tarifat doganore dhe paralajmëroi se bisedimet për këtë çështje janë planifikuar për nesër me iniciativën e katër vendeve të BE-së të organizuara nga presidenca polake.

Sipas Gillit, në lidhje me këto "çështje shumë të rëndësishme të lidhura me tregtinë", BE-ja është në kontakt me partnerët e saj në mbarë botën.

Pritet që çështja e tarifave të jetë ndër temat që do të bisedohet në takimin e sotëm mes kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe zëvendëspresidentit amerikan Xhej- Di Vens në Paris.

Kontakte për këtë çështje me kolegët e tij nga SHBA paralajmëroi edhe komisari evropian për tregti dhe siguri ekonomike Marosh Shefçoviq dhe sipas Gill, kjo do të ndodhë sapo të konfirmohet plotësisht njoftimi për vendosjen e tarifave.

Foto: skrinshot

Тагови

Остани поврзан