Fetai me përkushtim të fortë në luftën kundër korrupsionit, do të përfaqësojë vendin në CoSP11 në Doha
- Zëvendëskryeministri, Arben Fetai së bashku me UNODC dhe Iniciativën Rajonale Antikorrupsion (RAI), do të jetë nikoqir i panelit me rëndësi për vendin ku do të diskutohet për strategjitë gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit.
Shkup, 16 dhjetor 2025 (MIA)- Zëvendëskryeministri, Arben Fetai së bashku me UNODC dhe Iniciativën Rajonale Antikorrupsion (RAI), do të jetë nikoqir i panelit me rëndësi për vendin ku do të diskutohet për strategjitë gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit.
“Aty do të flas për lidershipin e Qeverisë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, me fokus te mekanizmat konkretë të implementimit, koordinimi institucional dhe ndërtimi i besimit të qytetarëve”, njoftoi Fetai përmes një postimi në facebook.
Me temën “Formësimi i integritetit të së nesërmes”, CoSP11 do të trajtojë, ndër të tjera forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për rikthimin e aseteve të paligjshme, promovimin e integritetit në sektorin privat si dhe angazhimin më të madh të shoqërisë civile.
“Maqedonia e Veriut është zë aktiv në arenën ndërkombëtare për më shumë integritet dhe më shumë transparencë”, theksoi Fetai.
Në vazhdën e angazhimeve ndërkombëtare për forcimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit, pas organizimit të suksesshëm në Shkup të forumit rajonal “Nga politika te impakti: avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”, sot ai udhëton drejt Dohës (Katar) për të përfaqësuar vendin në Sesionin e 11-të të Konferencës së Shteteve Palë të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (CoSP11).
Ndryshe, Fetai për dallim nga paraardhësit e tij po i jep zë Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare duke marr hapa konkret në luftën kundër korrupsionit.