Fetai: Dodik si mohues i gjenocidit në Srebrenicë nuk meriton hapësirë në Shkup
- KUMTESË

Shkup, 29 janar 2025
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka reaguar rreth vizitës së fundit të Milorad Dodik në Shkup. Ai ka shkruar se t’i japësh tribunë Milorad Dodikut në Shkup është vendim i gabuar dhe i papranueshëm. “Dodik është një politikan që nxit konflikt, mohon gjenocidin në Srebrenicë, minon sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe mbështet politika që destabilizojnë rajonin.
Për më tepër, ai është i sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe veprime që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Një person i tillë nuk mund dhe nuk duhet të marrë hapësirë në vendin tonë.
Shkupi është dhe duhet të mbetet qytet i dialogut, bashkëpunimit dhe paqes, jo platformë për promovimin e ideve anti-BE, anti-NATO dhe anti-demokratike që kërcënojnë të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Fetai, zëvendëskryeministër. Angazhimi ynë, siç ka shkruar Fetai, ndaj vlerave demokratike evropiane si shoqëri multi-nacionale dhe multi-fetare, nuk guxon të vihet në rrezik duke i dhënë zë një personi si Dodik!
___________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.