• петок, 27 декември 2024

Fadil Cana për MIA-n: Nuk ka vend për panik rreth lisë së majmunëve, jam i informuar me rastin në Kosovë

Fadil Cana për MIA-n: Nuk ka vend për panik rreth lisë së majmunëve, jam i informuar me rastin në Kosovë

Shkup, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Drejtori i Klinikës infektive në Shkup, dr. Fadil Cana në deklaratën për MIA-n tha se në vend nuk ka hapësirë për panik sa i përket lisë së majmunëve dhe theksoi se është i informuar me rastin në Kosovë. Ai kujton se deri më tani nuk është regjistruar rast i lisë së majmunëve dhe nëse shfaqet thotë se janë të gatshëm dhe se kemi ekspertë që e njohin mirë këtë fushë të sëmundjes.

"Tek ne nuk ka. Jam i informuar me rastin, kam pasur një bisedë të gjatë me drejtorin e Klinikës infektive në Prishtinë. Pacienti është stabil, për momentin gjithçka është nën kontroll", ka thënë Cana për MIA-n.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rast të izoluar të një shtetasi të Kosovës i cili një kohë të gjatë ka punuar jashtë vendit.

"Nuk është autokton, por rast i importuar. Qytetarët tanë mund të jenë të qetë. Nuk ka vend për panik", shton drejtori i Klinikës infektive.

Sipas Canës, autoritetet kanë kapacitet të përballen me këtë sëmundje edhe nëse vjen tek ne.

"Absolutisht jemi të përgatitur në rast se këtu shfaqet një person me linë e majmunit. Mund të përballemi me raste të tilla. Kemi ekspertë, është fushë e Klinikës infektive, kështu që sëmundjen si të tillë e njohim dhe gjithçka që mund të ndërmerret rreth kësaj", thotë drejtori i Klinikës infektive.

Transmetimi i lisë së majmunit nga njeriu te njeriu mund të ndodhë nëpërmjet kontaktit me materialin e infektuar nga një dëmtim ose lëngje nga lëkura, goja ose organet gjenitale, duke përfshirë edhe prekjen, kontaktin e ngushtë dhe aktivitetin seksual. Ai gjithashtu mund të përhapet përmes kollitjes ose teshtitjes. 

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

Остани поврзан