• недела, 02 февруари 2025

"Euromaks Resoursis": Paralajmërimi i fundit para arbitrazhit për minierën e bakrit dhe arit "Ilovica – Shtuka"

Shkup, 19 prill 2024 (MIA) - Kompania "Euromaks Resoursis" paralajmëron arbitrazh për minierën e bakrit dhe arit "Ilovica – Shtuka", nëse Qeveria nuk lejon bashkimin e koncesioneve "Ilovica 6" dhe "Ilovica 11".

Në konferencën e sotme për shtyp, ku morën pjesë kryetari i Bordit të drejtorëve dhe drejtori kryesor ekzekutiv i "Euromaks Resousis", Timoti Morgan-Vin dhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë, avokati Gabriel Lanski, u theksua se "trajtimi i projektit nga autoritetet është skandaloz dhe për këtë arsye kompania lëshon një paralajmërim përfundimtar përpara arbitrazhit".

Ata theksojnë se projekti është bllokuar në një rrjet pengesash ligjore dhe administrative, pasi sipas tyre, Qeveria merr vendime arbitrare dhe vazhdimisht pengon progresin.

Drejtori ekzekutiv kryesor i "Euromaks resoursis", Morgan-Vin, tha se kompania nuk mund ta shtyjë më pritjen e vendimeve politike. Ai thotë se nëse politikanët marrin vendim në kundërshtim me ligjin dhe thonë "jo" për minierën e bakrit dhe arit "Ilovica-Shtuka", do të ketë epilog ligjor që nuk do të jetë i favorshëm për qytetarët dhe shtetin.

Avokati Lanski tha se kompania i ka dorëzuar njoftim zyrtar për kontestin Qeverisë në mars të vitit 2020, me qëllim që të hyjnë në konsultime të ndërsjella për zgjidhjen e kontestit.

Procedurat e tilla nga ana e kompetentëve, citoi se po ndodhin në kohën kur vendi është në procesin e përpjekjeve të hyjë në Bashkimin Evropian dhe pyeti "nëse ky mjedis i paparashikueshmërisë ligjore do të zgjerohet edhe te investitorët tjerë ose bëhet fjalë për Euromaks resoursis".

Nga "Euromaks resoursis" u bëjnë thirrje kompetentëve, siç thonë, t'i plotësojnë obligimet e tyre ligjore dhe ta respektojnë sundimin e ligjit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kompania i dërgoi një shkresë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në të cilën kërkonte nga autoritetet që të shqyrtojnë dhe t'i përgjigjen kërkesës për bashkimin e koncesioneve "Ilovica 6" dhe "Ilovica 11". Në letrën e tyre thuhet se në minierën "Ilovica - Shtuka" në procedurën e eksploatimit nuk do të përdoret cianidi apo ndonjë substancë cianide, se planifikojnë të bëjnë një venddepozitim të thatë të mbetjeve me teknologji të fundit e cila nuk do të rrezikojë ujërat nëntokësore, si dhe se do të ndërtojnë një ujësjellës të ri për popullsinë vendase dhe një tubacion të ri nga rezervuari "Turia" që të mos kenë problem me furnizimin me ujë në ditët e nxehta. sa/

Foto: MIA

 

Остани поврзан