Erik Allar për MIA-n: Depërtimi i Frontit maqedonas ngjarja e parë që çon në armëpushim në Luftën e Parë Botërore
- Depërtimi i Frontit maqedonas më 15 shtator të vitit 1918 ishte ngjarja kryesore në Luftën e Parë Botërore, e cila më pas shkaktoi një varg ngjarjesh, që çuan në armëpushimin, që ka ndodhur në ditën e sotme, më 11 nëntor të vitit 1918, shprehet në bisedë me MIA-n profesori francez i historisë dhe ekspert i Frontit maqedonas, Erik Allar.
Shkup, 11 nëntor 2025 (MIA)
Ana CVETKOVSKA
Depërtimi i Frontit maqedonas më 15 shtator të vitit 1918 ishte ngjarja kryesore në Luftën e Parë Botërore, e cila më pas shkaktoi një varg ngjarjesh, që çuan në armëpushimin, që ka ndodhur në ditën e sotme, më 11 nëntor të vitit 1918, shprehet në bisedë me MIA-n profesori francez i historisë dhe ekspert i Frontit maqedonas, Erik Allar.
Fronti maqedonas në historiografinë ballkanike dhe botërore quhet gjithashtu edhe si: Fronti i Selanikut, Fronti i Orientit, Fronti Ballkanik, Jugor ose Fronti i Harruar. Gjithçka filloi në tetor të vitit 1915 me përqendrimin e forcave të Antantës në qytetin e Selanikut, ndërsa nga dhjetori i vitit 1915 edhe me formacionet ushtarake të Forcave qendrore. Vija kryesore e frontit shtrihej nga Liqeni i Ohrit deri në Gjirin e Orfanit në Detin Egje, ndërsa një pjesë më të vogël strategjike përfshinte vija nga Liqeni i Ohrit deri në Vlorë në Shqipëri me gjatësi të përgjithshme prej 600 km. Sot, në territorin maqedonas, në vijën Dojran-Manastir-Ohër, prej rreth 220 km, en janë ende të dukshme gjurmët e luftimeve në frontin. Në të janë zhvilluar disa operacione komplekse ushtarake dhe beteja të rënda, si ato të Cërna Rekës, Gorniçevës, Kajmakçallanit dhe Dobro Poles. Fronti maqedonas ishte fronti i parë, të cilin Aleatët e depërtuan më 15 shtator të vitit 1918 në Betejën e Dobro Poles, duke paralajmëruar kapitullimin e Fuqive qendrore.
Profesori francez Allar qëndron për vizitë në vend, ku do të mbajë sot ligjëratë në një ngjarje të organizuar nga Instituti Francez në Shkup me temën “Fronti maqedonas përmes pikturave dhe sendeve”. MIA pati rastin të bisedojë me të për rëndësinë e Frontit maqedonas në Luftën e Parë Botërore, për pikëpamjet franceze dhe maqedonase të kësaj periudhe të historisë, për mësimet e nxjerra, por edhe për efektivitetin e komisioneve historike në tejkalimin e kontesteve historike midis shteteve.
"Padyshim, përparimi në Frontin maqedonas është ngjarja e parë që çon në armëpushim. Dhe kohët e fundit, edhe studiuesit dhe historianët ushtarakë francezë kanë konfirmuar se atëherë fillon armëpushimi dhe kjo në njëfarë mënyrë është fakt që është lënë pas dore gjatë gjithë historisë", shprehet Allari.
Historiani francez pohon se qasja e britanikëve dhe francezëve ndaj frontit maqedonas ishte e ndryshme. Ai shprehet se britanikët investuan më pak këtu, jo aq për sa i përket numrit të trupave, por mbi të gjitha politikisht, sepse ishin aktivë në territoret palestineze, Egjipt, Arabi, ndërsa për sa i përket francezëve, ky angazhim është shumë më i madh.
"Do të flas nga aspekti demografik, nëse flasim për miliona viktima në Frontin perëndimor gjatë Luftës së Parë Botërore, të cilët shënuan aq thellë kujtesën kolektive dhe kujtimin e popullit francez, por megjithatë edhe numri i luftëtarëve që humbën jetën këtu nuk është i papërfillshëm, natyrisht që ka pasur shumë viktima, veçanërisht në mesin e ushtrive franceze dhe serbe", thekson historiani francez.
Ai e pranon se është shumë e ndjeshme kur thuhet ushtritë serbe, sepse, shprehet ai, në mesin e tyre me siguri ka pasur shumë maqedonas, duke marrë parasysh se luftëtarët maqedonas janë rekrutuar në ushtritë serbe, por edhe greke dhe bullgare.
Pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore, Maqedonia ishte e ndarë në tri pjesë, dhe populli maqedonas ishte nën sundimin e Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, të tre vendet mobilizuan popullsinë e Maqedonisë në ushtritë e tyre, duke mobilizuar rreth 200.000 njerëz - në ushtrinë serbe rreth 50.000, në atë bullgare rreth 120.000, dhe në atë greke rreth 20.000 luftëtarë.

Komisionet e historisë kanë rol pozitiv në afrimin e vendeve, por ky është proces afatgjatë
“Shpirtrat” e dy luftërave ballkanike, e para, e dyta janë ende aktive në rajon dhe në bashkëveprimin midis vendeve fqinje, ndërsa sipas historianit francez Allar, është shumë mirë që është formuar dhe që kuvendon Komisioni Maqedono-Bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore, ekipet e të cilit po përpiqen të përafrojnë pikëpamjet për ngjarjet historike. Ai konsideron se komisione të tilla të historisë mund të kenë vetëm rol pozitiv në afrimin e shteteve, por përkujton se ky është proces afatgjatë. Ai përmendi gjithashtu shembullin e Francës dhe Gjermanisë, të cilat gjithashtu përmes komisioneve arritën pajtimin e historisë.
"Është një gjë e madhe që ka Komision të përbashkët. Gjermanët dhe francezët kishin tre luftëra...Kur shkoja te të moshuarit, më kujtohet me të vërtetë një urrejtje e gjallë, një ndjenjë e gjallë padurimi ndaj gjermanëve. Sot, falë historianëve, por mbi të gjitha arsimit, bëhet qartë dallimi midis një gjermani dhe një nazisti, thekson Allari në bisedë për MIA-n.
Ai shton se këto janë procese afatgjata, dhe për kohëzgjatjen e proceseve të pajtimit, ai thotë se Franca dhe Gjermania u përpoqën të përafrojnë pikëpamjet menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.
"Në vitet 1920 dhe 1930, kishte lëvizje të mëdha pacifiste në Francë dhe Gjermani, por as ata njerëz dhe as ato lëvizje nuk mund të parandalonin shfaqjen e nazizmit...Por ajo që ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore dhe afrimi midis dy kombeve është realitet që po jetojmë", tha Allari.
Ai theksoi se Fronti maqedonas është një nga më multinacionalët, sepse shumë kombe morën pjesë në të dhe shtoi se pas vitit 1912, respektivisht pas Luftës së Dytë Ballkanike, popullsia maqedonase jetonte në varfëri dhe në kushte shumë të pafavorshme.
Historiani francez shprehet se e bazon hulumtimin e tij në Frontin Maqedonas në bazë të njohurive në arkivat franceze, por gjithashtu bashkëpunon me partnerë italianë, kolegë maqedonas dhe bullgarë. Nëse pikëpamjet franceze dhe maqedonase për këtë periudhë të historisë ndryshojnë, Allari thekson se ai dhe historianët e tjerë, duke përfshirë maqedonasit, kanë metoda pothuajse identike dhe pothuajse të gjitha hulumtimet dhe konkluzionet e tyre janë, mbi të gjitha, objektive dhe neutrale.
"Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të zbulojmë se cilat janë gjurmët dhe mbetjet e kësaj periudhe, por ne punojmë së bashku, unë nuk flas maqedonisht dhe nuk mund t'i kuptoj vërtetë dëshmitë e popullsisë dhe atë që ata e thonë," sqaron Allari.

Arsimi dhe kultura janë armët kryesore për të parandaluar përsëritjen e historisë
Historiani francez Eril Allar beson se arsimi dhe kultura janë armët themelore dhe kryesore për të parandaluar përsëritjen e historisë.
"Arsimi dhe kultura janë armët themelore dhe kryesore në mënyrë që të mund të përballemi me cinikët dhe të çmendurit", shprehet Allari, duke iu referuar zhvillimeve të reja gjeopolitike, respektivisht nëse ato japin përshtypjen se njerëzimi nuk ka nxjerrë mësimet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Në kontekstin e arsimit dhe shkencës, Allari, i cili punoi si arkeolog kërkimor në Institutin Kombëtar për kërkime arkeologjike, mësimdhënës i gjuhës franceze dhe historisë në shkollën e mesme dhe historinë gojore në rajonin e Manastirit, në rajonin e lumit Cërna, me kolegët francezë dhe maqedonas.
Në bisedë për MIA-n, ai sqaron se ata po kryenin hulumtime arkeologjike sipërfaqësore, të cilat u mbështetën nga hulumtime gojore, të cilat po i zhvillonin në mesin e popullatës që jeton në atë rajon.
"Kemi fotografuar të gjithë rajonin, kemi bërë harta dhe plane dhe gjithashtu kemi përdorur dronë për këtë dedikim. Gjetëm edhe shumë materiale ushtarake, të cilat më pas u përdorën nga vetë popullsia që jetonte atje. Vetë varfëria që ekzistonte në atë kohë, në këtë rajon në veçanti, respektivisht lloji i izolimit në të cilin ishte vendosur popullsia, bëri që ky rajon të bëhej një lloj konservatori me kalimin e kohës, respektivisht disa gjëra u ruajtën. Ishim me fat, gjithashtu, që filluam të punojmë për këtë çështje, pikërisht kur po zhvillohej një degë në Francë, e cila quhet Arkeologjia e konflikteve më të reja", sqaron Allari.
Ai shprehet se rezultatet e këtyre studimeve i ka prezantuar në disa konferenca ndërkombëtare, si dhe ka botuar disa studime në revista të specializuara historike.
"Ajo që ne bëmë ishte punë modeste, hulumtime modeste, por të sakta, për të marrë rezultate, të cilat janë në njëfarë mënyre një nga kërkimet e para të bëra midis dy vendeve", shton Allari.
foto: Frosina Naskoviq