• вторник, 30 декември 2025

Erdogan: Vendimi i Tel Avivit për të njohur Somalilendin është përpjekje për të destabilizuar rajonin

Erdogan: Vendimi i Tel Avivit për të njohur Somalilendin është përpjekje për të destabilizuar rajonin

Ankara, 29 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan sot deklaroi se përpjekjet e Izraelit për të destabilizuar rajonin po shtohen, duke përmendur si shembull vendimin e Tel Avivit për të njohur Somalilendin e shkëputur.

Gjatë bisedës telefonike me Princin e Kurorës së Kuvajtit, sheikub Sabah Haled Al-Sabah, Erdogan theksoi se integriteti territorial i Somalisë duhet të ruhet, njoftoi Drejtoria turke e Komunikimeve.

Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu pavarësinë e Somalilendit më 26 dhjetor.

Të njëjtën ditë, Egjipti, Turqia, Somalia dhe Xhibuti e dënuan vendimin.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe Këshilli për bashkëpunim i vendeve të Gjirit Persik, gjithashtu e kritikuan këtë veprim.

Kenia, Uganda dhe Tanzania i kanë siguruar autoritetet somaleze për mbështetjen e tyre.

Bashkimi Evropian theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të integritetit territorial të Somalisë.

Kina sot publikoi se kundërshton çdo përpjekje për të ndarë Somalinë. "Asnjë vend nuk duhet të inkurajojë ose mbështesë forcat separatiste të brendshme të një vendi tjetër në llogari të interesave të veta egoiste", deklaroi në konferencë për shtyp Lin Xhiang, zëdhënës i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme. 

Në vitin 1991, në mes të Luftës Civile somaleze, autoritetet lokale në pjesën veriore të vendit shpallën Republikën e pavarur të Somalilendit.

Shteti i vetëshpallur ka ushtrinë, monedhën dhe pasaportat e veta, dhe mban marrëdhënie joformale me disa vende, përfshirë Etiopinë. ls/

Foto: EPA

 

Остани поврзан