• петок, 22 мај 2026

Drobnjak: Zgjerimi është përgjigje strategjike në kushtet e realitetit të ri gjeopolitik dhe duhet të shfrytëzohet maksimalisht

Drobnjak: Zgjerimi është përgjigje strategjike në kushtet e realitetit të ri gjeopolitik dhe duhet të shfrytëzohet maksimalisht

Shkup, 21 maj 2026 (MIA) - Zgjerimi është përgjigje strategjike në kushtet e realitetit të ri gjeopolitik dhe investim në stabilitetin dhe rritjen ekonomike – tha gjatë fjalimit të sotëm në panel-diskutimin e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, Vladimir Drobnjak, ish-kryenegociator për negociatat aderuese të Kroacisë me Bashkimin Evropian dhe ekspert i UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime gjatë Projekteve - ZKBShP).

Ai para anëtarëve të pranishëm të Këshillit, përfaqësuesve të komunitetit akademik dhe sektorit civil në panelin “Zgjerimi i BE-së në kontekstin e ndryshueshëm gjeopolitik: çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor”, theksoi se do ta ndihmojë vendin në rrugën drejt BE-së. Siç tha ai, gjeopolitika nuk ishte fjalë që shqiptohej hapur deri vonë, kur Pariamenti Evropian miratoi rezolutën e aprovuar në mars të këtij viti, në të cilën, siç tha ai, konfirmohet trendi i ri në qasjen e përgjithshme për zgjerimin

"Zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe investim me rëndësi më të madhe për BE-në dhe stabilitetin e saj", tha Drobnjak, duke përmendur zhvillimet në Ukraine dhe, siç tha, veprime të tjera armiqësore, duke theksuar se kompletimi i projektit evropian ka rëndësi të veçantë për rajonin e Evropës Perëndimore.

Duke folur për rëndësinë strategjike të vendit, krahas anëtarësimit në NATO, ai theksoi edhe pozitën e shtetit si lidhje primare, duke përmendur korridoret 8 dhe 10, si dhe korridorin 6 – korridorin lindor mesdhetar, nga aspekti ekonomik dhe i sigurisë. 

"Ajo që çdo vend kandidat fiton në proces duhet të shfrytëzohet si mundësi shtesë. Siç na ka treguar historia në shumë situata, momenti i mirë nuk zgjat përgjithmonë. Më lejoni t’i përsëris, me theks të veçantë, fjalët e Parlamentit Evropian – gjeopolitika, në fund të fundit, është çështje interesi personal dhe pavarësisht kostove, kjo kërkon kompromise të vështira. Greqia mund t’ju tregojë shumë për këtë, Kroacia mund t’ju tregojë shumë për këtë. Ne kemi bërë shumë kompromise të tilla dhe ato nuk duhet të kuptohen si vendime politike, por si investim në shtetin tënd", tha Drobnjak.

Ai u ndal edhe te e ardhmja e Ukrainës dhe Moldova, duke theksuar se BE-ja do të jetë në përputhje me aspiratat e popujve të tyre, por edhe se “tejkalohet kostoja dhe procesi i anëtarësimit krijon hapësirë për ndikime nga vende joevropiane”.

"Në rezolutën e Parlamentit Evropian konsiderohet se politika e zgjerimit është e pazëvendësueshme në kohë të paqëndrueshmërisë së shtuar gjeopolitike. Por po aq e rëndësishme është të theksohet se te zgjerimi, gjeopolitika nuk mund t’i zëvendësojë kriteret standarde, sidomos themelet, duke filluar nga sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit", theksoi Drobnjak.

Ai tha se gjeopolitika është dimension i ri dhe duhet të shfrytëzohet maksimalisht, duke përmendur segmentin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor për BE-në në kontekstin e “forcave globale në përshkallëzim, përfshirë luftën në Ukrainë dhe paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme”. Në fjalimin e tij theksoi se gjeopolitika krijon edhe rivalë. Sa i përket planit të menaxhimit të Komisionit Evropian, dokument i miratuar në mars të këtij viti, ai e karakterizoi zgjerimin si komponent kyç për të gjithë BE-në, me qëllim ndërtimin e partneriteteve dhe mbrojtjen e sigurisë ekonomike.

"Dokumenti e thekson zgjerimin si përgjigjen më të mirë ndaj realitetit të ri gjeopolitik", tha Drobnjak.

Këshilli Evropian, siç tha ai, e rikonfirmon përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve, partneriteteve dhe mbështetjen e agjendës reformuese. Duke folur për Malin e Zi dhe grupin ad hok të punës, ai tha se procesi e thekson nevojën edhe për vendet e tjera kandidate, të cilat “duhet të bëjnë përpjekjet e tyre për ta arritur këtë”. Në fjalimin e tij ai përmendi edhe një moment tjetër – Islanda, vend që ka caktuar referendum për vazhdimin e negociatave pas pezullimit të tyre në vitin 2013, sepse, siç tha ai, megjithatë nuk e ka tërhequr aplikimin.

"Data e saktë e zgjerimit të ri, dita kur Evropa do të bëhet më e madhe, a do të jetë viti 2028 apo 2029, ende nuk dihet dhe aktualisht është e pamundur të parashikohet, megjithatë do të ishte mirë të vlerësohej se ajo ditë me siguri do të vijë para fundit të kësaj dekade ose ndoshta edhe më herët. Gatishmëri e plotë për zgjerim të mëtejshëm nevojitet nga të dyja palët, jo vetëm nga vendet kandidate, por edhe BE-ja do të duhet të përgatitet për këtë", tha Drobnjak, duke theksuar se reforma nevojiten edhe atje.

Profesori Ferid Muhiq në diskutim tha se është e rëndësishme të përfshihen të gjithë faktorët në një debat afatgjatë dhe ky proces të shfrytëzohet.

Deputetja Monika Zajkova u pajtua se nevojitet debat më i gjerë, duke përfshirë të gjithë të interesuarit dhe jo vetëm partitë.

Drobnjak ndau përvojën nga Kroacia, ku theksoi se gjatë procesit për hyrje në BE ishte formuar një komision ekzekutiv, i ngarkuar me miratimin e qëndrimeve të Qeverisë; negociatat zhvilloheshin përmes shkëmbimit të dokumenteve që duhej të miratoheshin nga një komision kombëtar i drejtuar nga një përfaqësues i opozitës; të gjitha vendimet merreshin me konsensus; kjo kishte parandaluar ndarjet mes komisionit; bisedimet zhvilloheshin me dyer të mbyllura, pas së cilës fjalën e merrnin përfaqësues të opozitës dhe pushtetit.

Antonio Miloshoski në fund të diskutimit informoi se së shpejti kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë do të nënshkruajnë partneritet strategjik mes dy shteteve mike. rq/

Foto: MIA

Остани поврзан