Dita e tretë në Davos: Rute kërkon rritje të mbështetjes për Ukrainën për të arritur paqe të qëndrueshme me Rusinë
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute u bëri thirrje liderëve botërorë që të "rrisin, jo të zvogëlojnë" mbështetjen për Ukrainën, në mënyrë që vendi të hyjë në negociata të mundshme paqësore me Rusinë me pozicionin më të mirë të mundshëm, transmeton Gardian.

Davos, 23 janar 2025 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute u bëri thirrje liderëve botërorë që të "rrisin, jo të zvogëlojnë" mbështetjen për Ukrainën, në mënyrë që vendi të hyjë në negociata të mundshme paqësore me Rusinë me pozicionin më të mirë të mundshëm, transmeton Gardian.
Rute thekson se është thelbësore "të ndryshohej rrjedha e luftës", duke paralajmëruar se fronti po lëvizë në drejtim të gabuar.
Sipas Rutes, ka tre arsye të rëndësishme për këtë. Së pari, për vetë Ukrainën. Ai madje thekson se ne nuk duhet të lejojmë që një vend të sulmojë një tjetër dhe të përpiqet ta kolonizojë në shekullin e 21-të. Së dyti, sepse Kina, Koreja e Veriut, Irani dhe Rusia po bashkëpunojnë. Një "marrëveshje e keqe" do të nënkuptonte, siç tha Rute, presidenti rus "të gëzohet me liderët e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës".
Së treti, sepse nëse Ukraina humb luftën, anëtaret e NATO-s do të përballeshin me "trilionë dollarë" shpenzime shtesë për të forcuar ushtritë e tyre, që është një "kosto shumë më e lartë" sesa ajo që duket sot.
Rute shton se ekziston një detyrim që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s.
“Nëse presidenti rus Vlladimir Putin mund të sillet në tryezën e negociatave, është e rëndësishme të sigurohet një “paqe e qëndrueshme”, tha Rute, duke apeluar që të mos përsëriten marrëveshjet paqësore të Minskut në vitin 2014.
“Që paqja të jetë e qëndrueshme, duhet të sigurohemi që Putini të mos tentojë më kurrë të marrë as edhe një kilometër katror të Ukrainës”, shton ai.
Biznesmeni dhe oligarku ukrainas Pinçuk shpjegoi se i pëlqen kur presidenti amerikan ose liderë të tjerë flasin për interesat kombëtare që janë në vend të parë.
"Nëse vendosni në radhë të parë interesin e vendit tuaj, kjo do të thotë se siguria kombëtare është prioritet absolut. Dhe kjo do të thotë që ju nuk duhet të lejoni që armiku ynë i çmendur dhe i tmerrshëm të fitojë në Ukrainë”, tha Pinçuk.
Mark Rute, nga ana tjetër, pranoi se përfaqësuesi amerikan, Riçard Grenel poenton kur kërkon më shumë mjete financiare.
"Problemi me financimin nuk është te SHBA, por në Evropë”, tha Rute. Problemi, siç ka theksuar vazhdimisht presidenti (Donald) Tramp, është se Evropa nuk shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen, vlerësoi Sekretari i përgjithshëm i Aleancës.
Rute tha se jo të gjithë anëtarët përmbushin objektivin për të shpenzuar 2 për qind të BPV-së për mbrojtjen, megjithëse ka rritje të shpenzimeve ushtarake. Ai shtoi se edhe ato 2 për qind “nuk mjaftojnë”.
“NATO, si aleancë, nuk do të jetë në gjendje të mbrohet në katër apo pesë vitet nëse mbetemi me këtë nivel shpenzimesh”, paralajmëron Rute.
Foto: arkivi