Dimitrieska Koçoska: ESHR në dekadat e fundit është ndërtuar si shtyllë e pavarur, profesionale dhe e besueshme në sistemin e kontrollit dhe menaxhimit të përgjegjshëm me financat publike
- Enti Shtetëror i Revizionit është institut që në dekadat e fundit është ndërtuar si shtyllë e pavarur, profesionale dhe e besueshme në sistemin e kontrollit dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, në shënimin e 26-të vjetorit të ESHR-së.
Shkup, 16 dhjetor 2025 (MIA) - Enti Shtetëror i Revizionit është institut që në dekadat e fundit është ndërtuar si shtyllë e pavarur, profesionale dhe e besueshme në sistemin e kontrollit dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, në shënimin e 26-të vjetorit të ESHR-së.
Ministria e Financave, theksoi Dimitrieska Koçoska, e vlerëson shumë rolin e revizionit shtetëror në përparimin e qeverisjes së mirë dhe në sigurimin e përdorimit racional dhe ligjor të mjeteve të taksapaguesve.
"Në një kohë sfidash të rritjes fiskale, resurse të kufizuara dhe pritje të ndryshme nga qytetarët, çështjet që lidhen me menaxhimin e përgjegjshëm me financat publike, transparencën dhe llogaridhënien po fitojnë rëndësi edhe më të madhe. Pikërisht këtu, roli i ESHR-së është me rëndësi thelbësore, jo vetëm si mekanizëm kontrolli, por edhe si partner në përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e një mjedisi kontrolli efikas dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjeteve publike", deklaroi Dimitrieska Koçoska.
Gjetjet dhe rekomandimet e revizionit, sipas Dimitrieska Koçoskës, paraqesin një bazë të rëndësishme për përmirësimin e politikave publike dhe për përforcimin e besimit të qytetarëve në institucione.

"Ligji i ri për revizionin shtetëror, i cili është në fazën përfundimtare, ka për qëllim të përforcojë pavarësinë financiare dhe operative të ESHR-së, si dhe të krijojë mekanizma më efikase për ndjekjen dhe verifikimin e zbatimit të rekomandimeve revizore", deklaroi Dimitreska Koçoska.
Këto aktivitete, siç theksoi ministrja, janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesave të BE-së dhe të standardeve ndërkombëtare për revizionin shtetëror dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit me praktikat evropiane dhe ndërkombëtare.
Ministria e Financave, theksoi Dimitrevska Koçoska, është plotësisht e bindur se përmirësimi i rolit dhe kapaciteteve të revizionit shtetëror është kyçe për arritjen e objektivave të përcaktuara të reformave në sektorin financiar për një menaxhim më të mirë dhe më të përgjegjshëm të mjeteve publike dhe për përforcimin e besimit të qytetarëve në efikasitetin dhe transparencën e sistemit. rq/
Foto: MIA